Futboll Seria A Sport

SPECIALE/ Ditëlindja e Ronaldos, 34 sekretet dhe hijet e një “alieni” që nuk plaket

Tek Juventusi dje binin kambanat e festës: ishte datëlindja e 34-t e Cristiano Ronaldos. Sovrani i ri duhet të festonte si mbret, sepse bardhezinjtë kanë zbuluar një fenomen të gjithanshëm.

1 Cristiano sulmues – Ronaldo në qendër, Ronaldo në mes të zonës, Ronaldo finalizues: ashtu si në Madrid, edhe në Torino, ai mbulon rolin që gatoi në vitet e fundit.

2 Cristiano në krah – Allegri po ndërton një Juve të plotë, një formuese me copëza të lëvizshme. Një lojë e vrullshme pasimesh ku shpesh CR7 luan si… 7 dhe lëshohet si shigjetë nga krahët sikur të kishte 10 vite më pak nën lëkurë.

3 Cristiano asistmen – Napolit iu tregua vendi kështu, me portugezin që bëri dhurata për shokët. Pa harruar krosimin për Manxukiçin kundër Valencias, një aksion me peshë të rëndë në Champions.

4 Cristiano Penaldo – Pas silurës në shtesë në “Bernabeu”, i kishte premtuar Alegrit se nuk do gabonte kurrë një penallti. Nuk i bëri llogaritë me duart e Sorentinos, por 5 penalltitë të tjera përfunduan brenda.

5 Cristiano snajper – Porta është si një fiksim i ëmbël, është Itaka që tenton të mbërrijë lundërtari portugez. CR7 e shënjestron katërkëndëshin më shumë sesa bënte te Reali, më shumë se të gjithë në Itali.

6 Cristiano goleador – Flasin numrat: golashënues me 17 gola, vetëm Trezege kishte bërë më mirë pas 22 javësh (2005-06).

7 Cristiano fëmijëror – Lotët në Valencia: përballë atyre që i konsideron padrejtësi, reagon me ndjeshmërinë e një fëmije.

8 Cristiano bujar – Nuk ka fëmijë që t’i refuzojë një foto, por edhe me të moshuarit ka të njëjtën ndjenjë: pyesni gjyshen Luçia, 97-vjeç, se çfarë provon përpara një dedikimi të heroit të saj.

9 Cristiano mburravec – Krenaria është pjesë e paketës: ky është Kristiano, duajeni apo urrejeni! Egon nuk e fsheh. E kujt përveç tij mund t’i lejohet? Por një shtytje si ajo që i bëri Ikazos pas golit, mund ta shmangte.

10 Cristiano humorist – Kush e imagjinonte një jashtëtokësor të ftohtë u befasua: CR7 është një karakter simpatik. Objektivi i preferuar i shakave të tij? Koprraci Manxukiç.

11 Cristiano mbret – Edhe në Torino shndërron në ar gjithçka prek: Falë tij, Juve po Përgatiti: ANDROKLI DRALO shet fanella me ritme të paimagjinueshme, rinegocion kontrata, eksploron tregje të reja. Nga muzeu te hotelet, nga parfumet te të brendshmet. Ronaldo është një makineri parash.

12 Cristiano italian – Vendi i ri i pëlqen, po mëson gjuhën, shikon kanalet italiane dhe sa herë mundet, shkon të vizitojë bukuritë e Italisë.

13 Cristiano portugez – Por atdheun e ka në zëmër. Nuk ka luajtur me kombëtaren që kur është veshur bardhezi, por ka qetësuar gjithë Portugalinë: Kristiano do të rikthehet shpejt. Ndërkohë që praktikën e bën me krosimet e Kanselos.

14 Cristiano magnet – Vjen Kristiano dhe çmimet e biletave të stadiumeve italiane çmenden. Më shumë sesa një mbret është një tiran. Ndonjëherë, Kristiano duket më i madh sesa vetë Juvja.

15 Cristiano besimtar – Në Torino nuk ka ndryshuar devotshmëria: shkon në meshë çdo javë, duke zgjedhur një kishë të ndryshme çdo herë. Fotografët e kanë kapur në dalje nga “Gran Madre”, dy hapa nga shtëpia.

16 Cristiano ‘badibillder’ – Muskujt stërviten, punon pa u lodhur. Të shpeshta fotot e shkrepura në palestër. Legjenda bën mijëra abdominale në ditë.

17 Cristiano shok – Nga Bernardeski te Pinsoljo, tashmë ka shumë miq italianë për t’i ftuar për darkë. Të ftuar të përhershëm mbeten portugezi Paiksao dhe spanjolli Eduardo. Në fortesën e tij ka mjaftueshëm vend.

18 Cristiano djalë – Mamaja Dolores është domethënia e gjithë ekzistencës së tij dhe falë saj ai u bë Kristiano Ronaldo. Dhe ndikimi i saj ka mbërritur deri në Itali.

19 Cristiano baba – Kristianinjo që rritet është imazhi i ngjashmërisë së Kristianos. Në publik, kërkon gjithnjë dorën e të atit. Ronaldo është një baba i dhembshur dhe krenar. Po ta kishte në dorë, nuk do të humbiste asnjë ndeshje të CR7 Juniorit me Juven.

20 Cristiano i fejuar – Georgina është zgjedhja pas një pasarele të gjatë: në pritje të martesës, me të Kristiano është i kujdesshëm dhe protektiv. I përzemërt mesazhi në “Instagram” për datëlindje: “Urime gruas më të mrekullueshme që Zoti më vendosi në rrugën time”.

21 Cristiano elegant – Nga prerja e flokëve te veshja, CR7 është një markë e ndjekur mode dhe nuk kursehet asnjëherë për pamjen, siç e tregon krenaria e diamanteve që i shfaqi në vigjilje të ndeshjes me Mançesterin. Sa kushtonin? 1.5 milionë euro.

22 Cristiano mësues – Më të çuditur nga metodat e mirësjelljes janë të rinjtë që po i afrohen skuadrës së parë: për cilindo ka një këshillë nga jashtëtokësori.

23 Cristiano i akuzuar – Rasti Majorga që e akuzon për dhunë seksuale, është vetëm një nga episodet që e kanë shoqëruar këto muaj të parë në Itali. Si të mos mjaftonte, ai arriti një akord me fiskun spanjoll prej 18.8 milionë eurosh pas akuzave për evazion fiskal.

24 Cristiano lider – Shiritin në krah e ka Kielini, por kapiten është edhe Ronaldo, i cili kërkon të mësojë prej tij mbi të gjitha në rrafshin europian.

25 Cristiano inatçor – Ato çmimet që mori Modriç nuk i priti mirë. Mendonte se meritonte më shumë dhe këtë nuk e ka fshehur.

26 Cristiano mosketier – “Të gjithë për një, një për të gjithë”, tha Andrea Anjeli pas të kuqit të CR7 me Valencian. Kristiano juventin mes juventinëve, një Dartanjan për “Zonjën”.

27 Kristiano konkurrues – Një, dy, tre, mijëra sfida Ronaldo i organizon në stërvitje për t’u vënë në provë. Dhe nëse dështon në ndonjë, e përsërit derisa ta fitojë.

28 Cristiano vendimtar – Aksionet me Napolin, një silurë Empolit, një penallti në derbi, një gol me kokë në Superkupë: kur Juve vuan, ja tek është shpëtimtari.

29 Cristiano grabitqar – Mund të kërkosh më shumë pasi ke fituar 28 trofe? Po, një trofe të veçantë, trofeun e “tij”: Champions-in e 6-të, po aq sa Gento.

30 Cristiano model – Mes “Facebook”, “Instagram” dhe “Twitter” është personazhi më i ndjekur i planetit. Çdo postim i tij gjeneron miliona pëlqime, pra miliona euro.

31 Cristiano kokëfortë – E vështirë t’ia ndryshosh mendjen, brenda dhe jashtë fushe. Një shembull? Goditjet e dënimit i ekzekuton pak me egoizëm të gjitha ai, edhe pse ka specialistë si Pjaniç-Dibala.

32 Cristiano i palodhur – Me Juven ka luajtur 30 ndeshje nga 31, 28 si titullar. Në stërvitje jep gjithnjë 100% dhe ditën e pushimit e kalon shpesh në palestër. Tani mbushi 34 vjeç, por mos prisni ulje ritmi.

33 Cristiano i rezervuar – Familja, eskorta dhe shokët e vjetër: rrethohet vetëm nga njerëzit që i beson dhe pak njerëz kanë akses në vilën gjigante torineze.

34 Cristiano njerëzor – Gabon edhe ai ndonjëherë në mënyrë banale, si ai rasti vetëm sa për ta shtyrë me Lacion. Dhe kur ndodh, dëshpërohet sikur të ishte fundi i botës. Sepse në fund, ky 34-vjeçar është vetëm dhe vetëm ky: një qenie njerëzore madhështore.

Related posts

SERIE A/ Mbrojtësi rinovon kontratën me Milan deri në vitin 2022

Sadik.Autor

NUK KA MË DILMA/ Mbappe vendos përfundimisht për të ardhmen e tij. Ja ku do të luajë

Delo.autor

SKANDALI NË BALLSH/ Shikoni çfarë u ndodh arbitrave në fund të ndeshjes. Goditen me… (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment