Futboll La Liga Sport

REAL MADRIDI NË KOLAPS/ Lëndimet zënë një “vend nderi” në listën e problemeve, ja statistikat befasuese

Katër lëndimet e fundit; Vinicius, Lucas Vazquez, Bale dhe Carvajal, kanë konfirmuar “përmbysjen” tjetër të madhe të Real Madridit, pas asaj ndaj Ajax në Champions. Bëhet fjalë për 41 dëmtime të pësuara nga lojtarët e bardhë deri më tani, në këtë sezon. Së bashku me rezultatet, lojën e keqe, polemikat dhe dështimin sportiv, lëndimet zënë një “vend nderi” në listën e problemeve, që kanë shkaktuar “daljen nga shinat” e kampionëve europianë në fuqi në La Liga, Kupën e Mbretit dhe Champions.

Plot 21 lojtarë kanë pasur probleme dëmtimesh (vetëm Modric, Ceballos, Brahim dhe Valverde kanë shpëtuar). 41 është numri i lëndimeve në total, nga të cilat 29 muskulare dhe 12 traumatike. Ky është një bilanc i dhimbshëm mjekësor i Real Madridit, i goditur nga lëndimet gjatë gjithë sezonit. Madje, herë pas here, “Los Blancos” kanë përjetuar momente veçanërisht kritike, si në fillim të vitit, kur Solari mezi kishte lojtarë në sulm dhe duhej të “arnonte” për të shkuar përpara.

Tani historia përsëritet, megjithëse në një moment kur ekipi ka dalë jashtë objektivave. Në fakt, ndeshja ndaj Ajax-it ishte vijim i këtij kalvari, që të bardhët e kanë përjetuar rregullisht këtë sezon: rezultate të këqija, lojë e keqe, mungesa e golave, tri dëmtime. Dje është konfirmuar me probleme në kofshën e majtë edhe Carvajal, çka do ta mbajë më shumë se një muaj jashtë fushave të lojës.

Shkalla e problemit fizik që e detyroi Lucas Vázquez të zëvendësohej ndaj Ajax është gjithashtu e njohur. Bale njihet mirë në këtë drejtim, si një “lojtar kristali”, me shqetësimet e fundit në kyçin e këmbës. Deri më tani, uellsiani po stërvitet veçmas grupit dhe është pothuajse i përjashtuar nga ndeshja e së dielës në Valladolid. Për Vinicius lëndimi është më serioz nga të gjithë.

Braziliani do të jetë dy muaj larg skuadrës, çka “përkthehet” ndryshe në lamtumirë sezonit. Vinicius është “viktima” e fundit e një liste të gjatë të lëndimeve, që ka prekur 84 përqind të të bardhëve. Këtë situatë e ka vuajtur Lopetegui i pari, pastaj edhe Solari. Interesant është fakti se janë dëmtuar edhe tre portierët e ekipit. Keylor dy herë, ashtu si Courtois dhe Luca Zidane. Gjithashtu, të gjithë mesfushorët.

Bale, Asensio, Mariano, Benzema, Lucas Vázquez dhe Vinicius kanë kaluar nëpër “infermierinë e bardhë”. Mariano ka qëndruar më shumë se 80 ditë larg fushave, Asensio mbi 40 ditë, Bale regjistron problemin e katërt fizik të sezonit, ndërsa Vinicius i ka thënë lamtumirë sezonit. Carvajal dhe Marcelo e panë veten të frenuar nga ripërsëritja e lëndimeve, ndërsa Isco operoi apendicitin dhe mbeti “pit stop” për 25 ditë.

Related posts

Lazio – Roma, formacionet zyrtare të derbit drithërues

Sadik.Autor

NAPOLI-INTER/ Gafë e pafalshme nga Handanovic, mbrojtësi “Zikaltër” realizon një autogol (VIDEO)

Delo.autor

ITALI-BELGJIKË/ Pritet një ndeshje e “luftuar” nga të dyja skuadrat për vendin e tretë (FORMACIONET ZYRTARE)

Delo.autor

Leave a Comment