Futboll Kategoria Superiore Sport

MERAKU I TIJ ËSHTË EUROPA/ Olsi Rama “thumbon” rivalët: Partizani ka qenë më lart, fati ndihmon…

Drejtori i Partizani, Olsi Rama, ishte i pranishëm ditën e sotme në “Wake Up” në “Top Channel”, ku foli për këtë sezon të të kuqve që u shpallën kampionë, si dhe thekson se meraku i tij tani është përgatitja për në Europë.

FESTA – Është një proces, po reflektoja këto ditë pas derbit, dhe mendoja se kur të mbaronte çështja e titullit, do isha më i qetë. Në fakt, nuk ishte kështu. E kam kuptuar ditën e fitores në derbi, jam gëzuar me ato djem, që më në fund arritën një objektiv që e kishin ëndërr. Për mua, kam akoma merakun e punës që duhet bërë. Tani vjen pikësynimi tjetër, që është përgatitja për Champions League.

RIVALËT – Ka qenë një kampionat interesant. Komplimentat më të bukura që i kemi marrë, kanë qenë se ishte kampionati i luajtur më ndershmërisht, dhe i pakontestuar. Të gjitha ekipet kanë qenë në lojë, dhe asnjë ndeshje nuk ka qenë e lehtë. Kukësi ka qenë nga fillimi rivali direkt, se ishte ndjekësi më i afërt. Skënderbeu nuk ishte në vitin më të mirë. Teuta pati një ngritje nga viti i kaluar. Nuk harroj të them që ndeshjet më të vështira, kanë qenë me Laçin, Kastriotin. Disa ekipe që nuk bëjnë pjesë në elitën e sipërme të kampionatit. Por, që i kanë dhënë një ngjyrim të bukur këtij edicioni.

MERKATO E JANARIT – Ne shtuam disa lojtarë, patëm fatkeqësinë që dy u dëmtuan. Fokusi kryesor i imi në janar, ishte që ose do të sillnim elementë më të mirë se ata që kishim në ekip, duke kuptuar që duhej të shtonin një vlerë, sepse deri në atë moment nuk na kishin çuar në krye vetëm individët, por forca e një grupi. Duhej të merrnim elementë që të integroheshin mirë. Patëm durimin me Dukën, që erdhi në janar, i tregoi vlerat e tij ndeshjet e fundit. Presim dy nga lojtarët e rinj, që na janë dëmtuar, të rikthehen për edicionin e ardhshëm.

NDESHJET E FORTA – Nuk ka qenë vetëm Laçi. Ata kanë një ekip që luajnë prej vitesh në një mënyrë të caktuar, organizohen mirë në mbrojtje. Kanë djem të mirë. Këto janë disa elementë që e bëjnë të vështirë, brenda dhe jashtë fushe. Ekipet e tjera nuk mendoj se nuk ishin në lartësinë e duhur, por ishim ne më lart. Kukësi ka bërë investime të konsiderueshme, ka lojtarë cilësorë. Edhe Teuta bëri goxha, shpenzoi lekë në janar. Por, nuk është çështja se sa shpenzon, por është çështja se sa mirë i integron të gjithë faktorët. Faktorin sportiv dhe moral.

TAKTIKA – Në sport ka gjithmonë fat, por unë them që fati ndihmon më të fortët. Fati mund të të tradhtojë në një ndeshje te veçantë, por në një kampionat të gjatë me 36 ndeshje, meritat dalin në pah. Deklarata e Mehmetit ka të bëjë më shumë, me disa spekulime, se Partizani nuk ka një sulmues. Ne kemi biseduar shpesh me trajnerin Gega, dhe futbolli ka treguar, se Spanja ka fituar një Europian pa një sulmues të mirëfilltë. Edhe ne kemi pasur lojtarë në sulm, që e ngritën vlerën e ekipit, Mala, Asani dhe Bardhi. Asnjë nuk është sulmues tipik, por me teknikën e tyre krijojnë panik në zonën kundërshtare.

EKIP MODEL – Jemi në rrugën e duhur, e them gjithmonë, ndeshjet nuk fitohen ditën e shtunë apo të diel, ato fitohen gjithë javën në stërvitje. Fitohen në mënyrën se si sillesh kur je i grumbulluar, në mënyrën si lojtarët komunikojnë kur janë jashtë fushe. Vlerat e ekipit duhet të jenë respekti, disiplina dhe rregulli. Ne këtë e kemi bërë në një farë mënyrë. Një nga gjërat kryesore që shoh te një lojtar që dua të sjell në ekip, është se pas vlerës teknike, që nuk e vlerësoj unë, dua të shoh çfarë karakteri ka. Si është historia e tij në raport me lojtarët dhe ekipet ku ka qenë. Për ata që luajnë në Kosovë në Maqedoni, është e lehtë sepse pyet lojtarët e tjerë që ka pasur përreth. Për ata që luajnë jashtë, mundohem të gjej një informacion, apo të shoh edhe videot se si sillen në fushë. Është e rëndësishme, sepse është një jetë që bëjnë me njëri-tjetrin. Gjatë një viti, ata takohen më shumë bashkë, se sa me familjarët.

PARTIZANI SI LIVERPULI – I shkon edhe ngjyra e kuqe, edhe entuziazmi që kanë në fushë, dhe lufta sportive. I ekzagjëruar si krahasim, por le ta marrim për shpirtin e garës dhe për dëshirën që kanë pasur për të treguar që ne jemi, ne jemi këtu, faktor, ne do fitojmë dhe do vazhdojmë kështu. E shoh te ata djemtë, dhe entuziazmi i tyre shpesh ka tërhequr edhe mua dhe klubin, të investojmë më shumë, dhe na ka dhënë besim.

KOMBËTARJA – Mendoj se trajneri i ri, ka një bagazh dhe eksperiencë të madhe. Do arrijë që të integrojë më mirë elementët. Për aq pak njohuri sa kam unë, edhe mënyra e tij e lojës mund t’i përshtatet karakterit të një ekipi si Shqipëria. Me një seleksionim të mirë, do marrë edhe rezultatet e duhura.

Related posts

SFIDA NDAJ LAÇIT/ Tekniku Josa “shkund” lojtarët para ndeshjes, ja fjalimi i trajnerit të Kukësit…

Delo.autor

TRIUMFON NDAJ DUSTIN POIRIER/ I pamposhturi Khabib mbron titullin e kampion të UFC-së

Delo.autor

Tifozët e Galatasaray bëjnë diçka të pabesueshme për Shaqirin

Sadik.Autor

Leave a Comment