Futboll Kategoria Superiore Sport

GJOBA 1 MILIONË EURO/ Ardjan Takaj konfirmon: Ja pse Skënderbeu nuk do shkrihet

Ardjan Takaj ka vendosur të qëndrojë te Skënderbeu. Këtë e konfirmoi në konferencën e djeshme për shtyp. Mirëpo, janë disa dilema për të ardhmen, që nga gjoba 1 milion euro që duhet paguar, te shkrirja e mundshme e klubit, por që nuk mund të bëhet në këtë moment dhe deri te problemet financiare.

Çfarë ju mban te Skënderbeu?

Unë kam një detyrim shumë të madh moral. Sepse siç kam kaluar sukseset me atë klub, edhe vështirësitë do t’i kaloj. Atë qytet nuk do ta lëmë pa futboll. Unë do të vazhdoj projektin tim me Skënderbeun. Ai qytet do të ketë klubin e vet të futbollit dhe në nivele të larta.

Do të jetë ky klub apo do të krijohet një me emër tjetër?

Nuk e di se si do të vazhdojë pjesa tjetër me UEFA-n. Si do të vazhdojë pjesa e gjobës, do të marrim një vendim të dytë. Por, ne do të jemi në mbështetje të futbollit deri në fund.

Për të folur konkretisht, keni mundësi që ta paguani gjobën apo do të ndodhë siç kanë bërë shumë klube të tjera që kanë ndërruar emrin…

Pjesa e gjobës, prandaj jua thashë që në fillim të bisedës, që është e mirëmenduar. Nuk është e rastësishme një gjobë 1 milion euro. Sepse nuk po ia vendos Real Madridit një gjobë 1 milion euro dhe nuk e ndien, për shkak të të ardhurave. Por për një klub shqiptar, është shumë e mirëmenduar kjo pjesa e 1 milion eurove gjobë dhe 10 vjet pjesëmarrje. Këtu flitet për zhdukjen.

A keni shpresë se mund të bëhet diçka për çështjen e gjobës 1 milion euro?

Nuk e di se si është mënyra e pagesës, sepse akoma nuk kemi kontakte me njerëz të UEFA-s që të na e shpjegojnë se si bëhet pagesa e gjobës. Mirëpo, nuk është vetëm 1 milion euro, sepse të jetë vetëm aq, do ta bëja një sakrificë të madhe dhe do paguhej. Por këtu 1 milion euro është sikur ta hedhësh bosh. Sepse janë edhe 10 pjesëmarrje. 10 pjesëmarrje janë shumë të vështira për një klub futbolli, sepse futbolli pa motivin, lojtarët, stafin dhe të gjithë që nga presidenti i pari, nuk mund të pretendohet që të ngrihet një klub i fortë dhe pretendent në rang kombëtar.

Në komunikimet që keni pasur me studion ligjore, cili është dyshimi që ju bën të besoni në Gjykatën Federale?

Studioja ligjore dhe avokati ynë i janë referuar gjithmonë Gjykatës Fderale në Zvicër. Sepse ajo funksionon ndryshe. Një panel me shtatë gjyqtarë që nuk merr parasysh fare dhe nuk shkon as avokati, por shkojnë vetëm provat. Ajo merret me standardin e provave, nëse është zbatuar ligji zviceran në këtë çështje apo jo. Por, studioja jonë ligjore, duke mos pasur besim te KAS-i, në momentin që ka bërë letrat për KAS, ka dorëzuar letrat edhe në Gjykatën Federale dhe ajo është pranuar që në prill. E kemi bërë për të fituar kohë. Në ditët e para të shtatorit do të dorëzohen të gjitha dokumentet nga ne dhe nga UEFA. Momenti i fundit për t’u shprehur Gjykata Federale është qershori i vitit të ardhshëm.

Skenderbeu

Për ta marrë nën shqyrtim çështjen ose jo, apo për të marrë një vendim?

Vendimet i merr Gjykata Federale dhe unë nuk di se si vendos ajo. Këto janë informacionet e mia. Çështja është regjistruar që në prill.

Me vazhdimin e çështjes ligjore, është e detyruar që KF Skënderbeu të vazhdojë, duke mos krijuar një klub me emër tjetër?

Po, normal që Skënderbeu do të vazhdojë të funksionojë, sepse na humb e drejta në Gjykatën Federale për të vazhduar çështjen nëse nuk funksionon.

Prisni ndonjë dënim analog nga federata?

Pak rëndësi ka kjo. Ne jemi dënuar për kompeticionet europiane. Gjyqin me federatën e kemi fituar në KAS. Dhe ajo është një çështje e mbyllur, e fituar. Për pjesën e kësaj, nuk e di.

Po sezoni i ri, kur do të nisë për Skënderbeun?

Sezoni i ri do të fillojë rregullisht, por duke pritur edhe një përgjigje. Megjithatë, futbollistët kanë një garanci, të gjithë ata që janë me kontratë, që do të vazhdojnë me Skënderbeun dhe financat e tyre nuk do të preken.

Jemi në një moment kritik, ku shumë klube janë në krizë financiare. Ju si Skënderbeu, keni detyrime të prapambetura?

Vështirësi kanë të gjithë. Të investosh për Skënderbeun dhe të mos arkëtosh, situatat sa vijnë edhe rëndohen. Por, ne për të garantuar një sezon të mirë, jemi në gjendje që t’i përballojmë.

A është e vërtetë se UEFA ju ka bllokuar një pjesë të të ardhurave për pjesëmarrjen e dytë në grupet e Europa Ligës?

U bllokuan për një moment, një javë. Por pas ndërhyrjes së studios tonë, u liruan. Absolutisht nuk ka bllokime nga UEFA të financave tona.

Skenderbeu-para-Kairat

Në këtë situatë, tifozët duan të dëgjojnë se çfarë do të ndodhë…

Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me bashkinë, sepse ajo është ortakja jonë kryesore. Jemi duke biseduar për të zgjedhur modelin. Gjëja më e rëndësishme është që Korça duhet të ketë futbollin, duhet të ketë ekipin e vet dhe të vazhdojë me po ato suksese të viteve të fundit.

Po nga ana e bashkisë keni marrë garanci për një shtim të buxhetit?

Nga ana e bashkisë kemi mbështetjen maksimale edhe nga njerëzit më të rëndësishëm të Korçës për ta vazhduar këtë projekt. Po flasim fillimisht për bashkëpunimin, për mënyrën se si do të vazhdojë klubi i Skënderbeut. Kjo është shumë e rëndësishme, pasi pjesa tjetër nuk është shumë e rëndësishme për ne. Kemi gjetur bashkëpunimin dhe gjuhën e përbashkët që projekti të vazhdojë.

Sa optimist jeni që gjithçka do të mbyllet në mënyrën e duhur?

Unë u besoj shumë. Jo unë, sepse unë nuk jam ekspert që marr vesh nga ligjet, por duke i besuar studios tonë që kemi në Zvicër, ku bëhet fjalë për një nga studiot më prestigjioze dhe ata janë shprehur që në fillim për Gjykatën Federale, sepse atje është një vend ku merret drejtësi dhe drejtësia sportive mund të influencohet nga UEFA ashtu siç dyshonte avokati ynë. Dhe kështu ndodhi.

Skenderbeu

A keni folur me federatën pas vendimit të KAS dhe çfarë mendoni për votën pro që dha presidenti Duka për raportin e UEFA-s për këtë dënim?

Këto janë pyetje që i takojnë Dukës. Por kur janë raporte që bëhet fjalë për votim në tërësi, një raport 1-vjeçar i UEFA-s, jo Duka, por nuk besoj se ka asnjë president tjetër që do të bënte një kundërshtim të hapur kundrejt UEFA-s në sallën e kongresit.

Po kontakte me federatën, a keni pasur së fundmi?

Ne jemi marrë me këtë çështjen e UEFA-s, me KAS-in dhe nuk kemi pasur kohë që të merremi me këtë çështje. Për gjëra të tjera mund të pyesni FSHF-në. Për çështjen “Skënderbeu” mund të përgjigjem deri nesër (sot) në mëngjes.

Related posts

LIVE/ Europa League: Mbyllet ndeshja Arsenal-Villarreal. Rezultati 0-0

Delo.autor

BARCELONA-REAL MADRID/ “El Clasico” nis me më të mirët në “Camp Nou” (FORMACIONET ZYRTARE)

Delo.autor

E PABESUESHME/ “Topi i Artë”: Kësaj radhe MESSI e RONALDO janë pjesë e…

Isa.Autor

Leave a Comment