Futboll Kategoria Superiore Sport

ULTIMATUMI PËR FINANCAT/ Situatë kritike me 4 klubet e Superiores, ja hapat që do ndiqen

Futbolli shqiptar është në një situatë kritike, referuar gjendjes financiare të shumë skuadrave. Dy javë më parë, nga mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së doli një ultimatum për katër ekipet e Superiores.

Tirana, Vllaznia, Flamurtari dhe Luftëtari kishin probleme me financat dhe nëse situata nuk përmirësohet deri ditën e sotme, atëherë rrezikojnë licencimin në Kategorinë Superiore për edicionin 2019-2020. Pikërisht sot është dita finale e këtij afati teksa mbyllet edhe dosja e licencimeve për katër ekipet dhe më pas do të vijohet me vendimet për edicionin e ri.

SITUATA

nga burime në institucionin e futbollit në vend ka mësuar se vetëm dy prej këtyre katër ekipeve kanë nisur të lëvizin. Nga sa bëhet me dije, Tirana dhe Vllaznia kanë bërë përçapje për të zgjidhur situatën financiare me marrëveshje dhe zgjidhje të situatës së borxheve, kryesisht me Tatimet. Mirëpo, edhe për këto dy klube pritet edhe sot nëse do të arrijnë që të sjellin garancitë e nevojshme për pagesat e kësteve të marrëveshjeve ose për likuidimin e borxheve me palët e treta.

Ndërkohë, për Luftëtarin dhe Flamurtarin situata raportohet e pandryshuar. Gjirokastritët po kalojnë një situatë paqartësie edhe në aspektin administrativ, teksa aksionerët janë përfshirë në diskutime mes tyre për drejtimin e ekipit. Ndërkohë, vlonjatët janë skuadra e vetme në Superiore që nuk kanë nisur ende stërvitjet, si një sinjal shtesë tregues se ngërçi është i madh.

HAPAT

Nga sa gazeta ka mësuar, pritet që sot të jetë dita e fundit në të cilën katër ekipet kanë kohë për të paraqitur në FSHF dokumentet e nevojshme për të pasqyruar bilancet financiare, që plotësojnë kriteret e licencimit në kampionat.

Më tej, do të jetë Komisioni i Licencimit në FSHF që do të marrë kohën e nevojshme për të shqyrtuar dokumentacionet. Edhe pse, në bazë të situatës fillestare, nëse do të ketë mungesë të dokumentacioneve të duhura nga katër ekipet, verdikti mund të ndërmerret me lehtësi. Më tej, pritet të ketë një mbledhje të radhës të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së. Paraprakisht nuk ka një lajmërim dhe datë fikse për diçka të tillë, por mund të jetë edhe të premten e parë të muajit gusht, më datë 2.

VENDIMI

Do të jetë Komiteti Ekzekutiv që do të japë ose jo dritën jeshile për të katërta ekipet, në bazë edhe të verdikteve që do të firmosë Komisioni i Licencimeve. Në rast se do të ketë skuadra që nuk licencohen, atëherë për Komitetin lind nevoja e vendimmarrjes drastike.

Megjithatë, mbetet për t’u parë se çfarë lëvizjeje do të bëjnë të katërta klubet për të garantuar zgjidhje për problemet financiare, kryesisht me borxhet, e më tej se çfarë do të vendosë qeveria drejtuese e futbollit, për përjashtimin apo amnistinë edhe për të paktën një sezon.

Related posts

“ATMOSFERA E NUK ËSHTË E MIRË”/ Flet kapiteni Hysaj: Tifozët prisnin të fitonim kundër Francës…

Delo.autor

E ardhmja e DEMBELE/ BARCELONA ndan mendjen PËRFUNDIMISHT për FRANCEZIN

Isa.Autor

“EL CLASSICO”/ Solari nuk rrezikon me Iscon. Pritet…

F.autor

Leave a Comment