Futboll Kategoria Superiore Sport

DËNIMI NGA DISIPLINA/ Flet mesfushori Lika: Vllaznia rikthehet më e fortë, në shtëpi nuk…

Vllaznia po vuan ende pasojat e “klasikes”. Sikur të mos mjaftonte disfata përballë Tiranës, tashmë duhet t’i bëjë llogaritë edhe pa tifozët.

Gilman Lika e quan humbje të madhe mungesën e lojtarit të 12-të, ndërsa për “Panorama Sport” vendimin e disiplinës e cilëson të padrejtë. “Drejtuesit e klubit po merren me këtë punë. Neve na është kërkuar që të vazhdojmë punën dhe të rritemi në aspektin fizik dhe atë taktik. Drejtuesit kanë kërkuar që ne të jemi të fokusuar vetëm në këtë drejtim. A është i drejtë vendimi? Asnjëherë dhe askujt nuk i duken të drejta dënimet”, ka thënë Lika.

NDIKIMI – Mesfushori mendon se mungesa e tifozëve ka ndikimin e vet të pakrahasueshëm. E megjithatë, ai qartëson se skuadra nuk ka pse të shqetësohet, derisa janë brenda objektivave.

“Një tifozëri kaq të madhe në numër si kjo jona do ta kishte zili çdo skuadër. Ata janë lojtari i 12-të dhe i kemi pasur në krah në të mirë e në të keqe. Mungesa e tyre do të ndihet dhe kjo nuk diskutohet. Na demoralizon, por nga ana tjetër duhet që të na nxitë më tepër për të dhënë maksimumin tonë për të fituar për ta. Pas Teutës, kur luajmë edhe dy takime radhazi në shtëpinë tonë, duhet të marrim maksimumin. Do ta bëjmë këtë vetëm për sportdashësit, që kur të kthehen tifozët në shkallët e stadiumit, të na gjejnë sërish me objektivat që kemi. Për ne fitimi i ndeshjeve në fushën tonë është një detyrë shtëpie. Ne duhet që t’ia dalim për hatër të tyre. Ata meritojnë shumë. Shkodra dhe tifozët e Vllaznisë e ndiejnë sportin e sidomos futbollin. Ata jetojnë me të”, vijoi kapiteni.

OBJEKTIVAT – Pavarësisht këtij dënimi në start, 32- vjeçari është i bindur se nuk do të ndikojë te vazhdimësia e ekipit.

“Nuk mendoj se dënime të tilla do të ndikojnë te objektivat tanë. Atmosfera në skuadër, pavarësisht se jemi mërzitur disi nga ky dënim, nuk ka ndryshuar. Madje, ndihemi më të motivuar për të arritur më të mirën. Është herët që të flitet se ku do ta kemi vendin pas përfundimit të sezonit, por jam i bindur se kemi forca dhe me këtë grintë që po shfaqim, të jemi mes ekipeve të para. Megjithatë, takimet duhet t’i marrim një nga një. E më e rëndësishmja është që në fushën tonë të luftojmë vetëm për pikët maksimale”, përfundoi Lika.

Related posts

“KUR MENAXHERI IM…”/ Dest zbulon pse zgjodhi Barcelonën para Bayernit dhe pret me padurim sfidën speciale

Delo.autor

TRAJNERI SHEHI ME “DHIMBJE KOKE”/ Titullari i “bardhebluve” humbet ndeshjen ndaj Kastriotit. Ja gjendja e skuadrës…

Delo.autor

MBROJTËSI MUNGOI NË NDESHJEN NDAJ WATFORDIT/ Solskjaer sqaron: Menduam që ai të mos luante pas…

Delo.autor

Leave a Comment