Futboll Seria A Sport

300 MILIONË EURO NË STOL/ “Zonja e Vjetër” e zhytur në luks, rezervat forca e vërtet e Juventus

Nga rombi i tij i dashur, te 4-3-3- shi. Mauricio Sarri po i jep formë një Juventusi në format “kameleon”. Mundësitë në drejtim të trajnerit, në fakt, janë të shumta dhe këtë e tregon numri i madh i lojtarëve të klasit që ai mban në stol në çdo ndeshje. Të dielën mbrëma, Higuain, Xhan dhe Bentankur i dhanë ekipit shtytjen fituese për tri pikë ndaj Interit.

Kushdo që vjen nga stoli juventin përbën një garanci, sepse bëhet fjalë për lojtarë që do të ishin pa sforco titullarë në çdo ekip tjetër të Serisë A. Madhështinë e bardhezinjve, këtë herë rivalë, ia njohu edhe Antonio Konte, i cili pas “Derbit të Italisë”, foli pa doreza mbi diferencat e ekipeve: “Juvja i përket një kategorie tjetër, në çdo këndvështrim madje. Nuk krahasohemi dot me ta. Diferenca është e madhe dhe me përmasa të rëndësishme”.

Nuk ka faj tekniku zikaltër, fundja dy net më parë, dallimin e bëri pikërisht stoli i rezervave. Kur Sensi doli për shkak dëmtimi, në vend të tij u fut Vesino, ndërsa Sarri zgjodhi treshen e sipërpërmendur. Krahasimi është i kotë dhe nuk lë vend për interpretime. Impakti i Higuainit ishte shkatërrimtar.

higuain

Argjentinasi vendosi ndeshjen, i asistuar nga Bentankur që gjithashtu nuk e nisi ndeshjen titullar. Uruguaiani nuk u mjaftua me pasimin vendimtar, por bëri presing asfiksues për të gjitha minutat që luajti. Emre Xhan, nga ana tjetër, mbase nuk ra në sy më shumë se dy të tjerë, por prania e tij i garantoi Juves muskuj dhe dinamizëm, çka bëri që Barela të shuhej i sfilitur nga forca e homologëve që kishte përballë.

STOL I GJATË – Edhe Mauricio Sarri është i vetëdijshëm për forcën dhe larminë e zgjedhjeve që ka në organikë, pavarësisht se mes mungesave ka edhe emra prestigjiozë, si Duglas Kosta, Kielini apo Danilo. Trajner i “Zonjës së Vjetër” nuk fshihet, përkundrazi vendos objektiva edhe më të vështirë:

“Jemi një ekip që mund të përmirësohet akoma më tej. Individualisht jemi shumë të fortë dhe nëse kthej kokën nga stoli, vërej se ka shumë cilësi”. Niveli i rezervave bardhezi është absolut e për këtë mjafton të thuhet që mes spektatorëve pa pagesë ndaj Interit ishin lojtarë, si Ramsej, Rabio, Demiral dhe Rugani.

juventus

Mbase flasim për alternativa të një projekti fitues, por stoli juventin vlen mbi 300 milionë euro, ndaj termi “rezerva luksi” i përshtatet më së miri Juventusit.

MES MË TË MIRËVE – Edhe në Europë ka disa ekipe të zhytura në bollëk për sa i përket stolit të rezervave. PSGja të shtunën mundi 4-0 Onzhersin e mes titullarëve Tuhel nuk aktivizoi asnjërin mes Angel Di Marias, Laivin Kurzaua e Tomas Mëniem, teksa Draksleri i dëmtuar nuk ishte as në stol. Mançester Siti në fundjavë humbi, por Guardiolës nuk i mungojnë alternativat. Pa Sanenë, Laport, Stons e De Bryjne të dëmtuar, spanjolli nuk përfshiu në formacion Gabriel Zhesusin, Bernardo Silvën, Oleksandr Zinçenkon dhe Fill Fodenin.

juventus

Edhe në Spanjë vuajnë të mbajnë ritmin e Juves, pavarësisht se Reali mundi Grandaën pa Asension, Kurtuan, Marselon, Mendin dhe Naçon teksa në stol ishin Isko, Joviç, Militao, Hames Rodriguez dhe Rodrigo. I njëjti diskutim te Barcelona që fitoi ndaj Sevijes pa ndihmën si titullarë të Albës, Arauzhos, Busketsit, Fatit, Grizmanit e Rakitiçit. Sarri të mos shqetësohet, në Europë ka kolegë të njohur që kanë probleme si të tijat.

Related posts

HARMONIA TEK BRAZILI/ Neymar: Edhe 5 gola të kisha shënuar NUK do isha gëzuar…

Isa.Autor

MANDZUKIÇ NUK ËSHTË MË LOJTAR I JUVENTUS/ Kapet nga kamerat duke kryer vizitat mjekësore tek klubi i ri (VIDEO)

Delo.autor

PAS BARAZIMIT ME CHELSEAN/ Solskjaer deklaron: Nuk duhet të dorëzohemi, asnjëherë nuk…

Delo.autor

Leave a Comment