Futboll La Liga Sport

SUPERKUPA E SPANJËS/ Valencia-Real Madrid, përballja që përcakton finalistin e parë

Edicioni i 36-të i Superkupës së Spanjës starton me një format krejtësisht të veçantë, ku ndryshe nga herët e tjera do të përballen katër klubet më të suksesshme të sezonit të mëparshëm. Një kompeticion që mungonte që nga gushti i vitit 2018, kur Barcelona përmbysi në Marok disavantazhin e një goli ndaj Sevillas, për t’u kurorëzuar me trofeun e 2-të në 3 edicionet e fundit të këtij kompeticioni dhe të 13-ën herë në historinë e klubit katalan.

17 muaj më pare, ky aktivitet u zhvillua në Stadiumin Ibn Batouta të Tangier-it, ndërsa këtë radhë të gjitha ndeshjet do të mbahen në Arabinë Saudite, më saktë në Jeddah, në Stadiumin e Mbretit Abdullah, i pagëzuar me emrin e veçantë “Xhevahiri i Shndritshëm”. Në këtë impiant modern, me një kapacitet prej 62.000 spektatorësh, do të zbresin pikërisht katër klubet më të spikatura të sezonit të kaluar, pra nga kompeticioni i dytë më i rëndësishëm Valencia, që fitoi Kupën e Mbretit në finalen e Sevillas me rezultatin 2-1, dhe Barcelona si kampione në fuqi, por gjithashtu edhe si finaliste e Kupës, ndërkaq dy skuadrat e tjera madrilène, Atletico me Reali, paraqiten në këtë aktivitet falë kampionatit, ku u pozicionuan respektivisht në vendin e dytë dhe të tretë.

Shorti ka bërë edhe ndarjen e sfidave, ku fillimisht do të luhet takimi Valencia – Real Madrid, ndërsa një ditë më pas, pra të enjten në mbrëmje, do të matin forcat Barcelona me Atleticon e Madridit. Finalja e këtij edicioni të Superkupës së Spanjës është programuar për ditën e diel, në orën 19:00.

Si Valencia ashtu edhe Reali kanë patur kohën e mjaftueshme për të bërë përgatitjet e nevojshme, për më tepër të dy ekipet vijnë edhe nga faza e pushimeve dimërore, pas shkëputjes 2-javore në periudhën e ndërrimit të viteve. Valencia rikthehet për të marrë pjesë në këtë aktivitet pas 12 vjetësh, ndërkaq trofeun e parë dhe të vetëm në këtë kompeticion “Los Ches” e kanë marrë dy dekada më parë, kur kjo skuadër kaloi me rezultatin e përgjithshëm 4-3 Barcelonën, ndërsa Reali i Madridit, që ka triumfuar plot 10 herë në këtë aktivitet, trofeun e fundit në Superkupën e Spanjës e ka ngritur në gushtin e vitit 2017, kur nën drejtimin e trajnerit Zinedine Zidane shkatërroi Barçën me shifrat e përgjithshme 5-1.

Për Valencian kjo është pjesëmarrja e 5-të në këtë kompeticion, ndërsa klubi “merengues” luan për të 16-ën herë në histori. Të dy klubet paraqiten në Arabinë Saudite pas një ecurie pozitive, me “Los Blancos” që nuk njohin humbje në plot dy muaj e gjysmë, periudhë që përkon me 14 ndeshje në të gjithë kompeticionet, që nga disfata 1-0 me Mallorcan në ishull. Pavarësisht vuajtjeve të mëdha fundjavën e kaluar, formacioni madrilen fitoi 0-3 me Getafen brenda në Coliseum Alfonso Perez. Ndeshja e tretë radhazi që ekipi madrilen nuk pëson gol, ndërsa Valencia që mposhti në “Mestalla” minimalisht Eibarin 1-0, ka pësuar vetëm 1 humbje në 12 sfidat e fundit në të gjithë kompeticionet, atë me Real Betisin në fundin e muajit nëntor, në “Benito Villamarin”, pikërisht stadiumin ku 6 muaj më herët ky klub mundi Barçën në finalen e Kupës.

Me skuadrat e mëdha “Los Ches” nxjerrin vazhdimisht ndeshje shumë të mira e shembulli më i mirë është pikërisht dueli i tri javëve më parë në Primera Division, kur Reali i Madridit me shumë shumë fat barazoi vetëm në 95′ me anë të sulmuesit Karim Benzema, pas daljes përpara në një goditje nga këndi të portierit Thibaut Courtois, një ndeshje e luajtur më mirë për pjesën më të madhe të kohës nga ekipi vendas.

Këtë here, përveç dyshes Hazard – Asensio, që mungon prej kohësh, trajneri Zinedine Zidane nuk do të ketë në dispozicion as emra të tillë të rëndësishëm si Benzema dhe Gareth Bale, sidoqoftë trajneri francez mund të mbështetet te lojtarët e rinj Vinicius Junior, Rodrygo, Ferland Mendy, Eder Militao apo dhe Luka Jovic. Trajneri i Valencias, Albert Celades, pritet të vuajë mungesën e sulmuesit Rodrigo Moreno, që ka dalë pikërisht nga Akademia e Realit, ndërsa mesfushori i talentuar portugez, Goncalo Guedes, do të vijojë të mbetet jashtë fushave të lojës deri në fundin e muajit janar.

Në Primera Division Reali e përfundoi fazën e parë në vendin e dytë, me 9 pikë më shumë sesa Valencia, që pozicionohet në vendin e gjashtë, sidoqoftë fitoren e fundit ndërmjet këtyre dy skuadrave në kampionat e ka regjistruar pikërisht Valencia që në fillimin e muajit prill dominoi takimin mes tyre, për të triumfuar në fund me rezultatin 2-1. Ndeshja do të luhet në orën 20:00 dhe do të drejtohet nga 35-vjecari Jesus Gil Manzano.

Related posts

Manchester United, tabloidët zbulojnë të ardhmen e Mourinho’s

Q.Autor

VENDIMI QESHARAK/ Guardiola tregon pse e la Sanen jashtë skuadrës, dua që…

Isa.Autor

ISH-LOJTARI I REAL MADRIDIT/ Alvaro Arbeloa befason: Messi është shumë i mirë, por unë nuk kam arritur…

Delo.autor

Leave a Comment