Futboll Ligue 1 Sport

PRAPASKENAT ICARDI-PSG/ Klauzola anti-Juventus, ja shifra që përfitojnë “Zikaltërit” nëse arrihet akordi

Mauro Ikardi duhet të nisë të mendojë për të ardhmen, por ndërkohë nga Franca ka ardhur një prapaskenë, e cila ndoshta nuk do t’i pëlqejë shumë Juventusit, klub i cili vazhdon të monitorojë argjentinasin.

PSG-ja duket gjithmonë e më tepër e vendosur për ta blerë përfundimisht 27-vjeçarin nga zikaltrit, siç është paracaktuar edhe shifra: 70 milionë euro. Por, me sa duket, klubi milanez i ka marrë mirë masat që në një të ardhme të mos e lejojë lehtësisht kalimin e Mauro Ikardit te rivalët historikë bardhezinj.

Sipas burimeve transalpine, PSG-së do t’i mjaftonte të derdhte në arkat e Interit 70 milionë euro, por nëse drejtori teknik i francezëve, Leonardo, do të mendonte që ta blinte dhe ta përdorte sulmuesin si mall shkëmbimi, për të arritur te ndonjë prej lojtarëve që ka vënë në shënjestër në Torino (Dibala, Higuain, Pjaniç, Bentankur apo edhe De Shiljo), atëherë një kalim te Juventusi i Ikardit do t’u kushtonte arkave të PSG-së edhe 15 milionë euro shtesë, sipas një klauzole të paracaktuar në kontratë.

Diçka e tillë duhet ende të marrë konfirmime zyrtare, por faktet thonë se Interi, edhe kur e kishte nxjerrë jashtë skuadre ish-kapitenin e tyre, nuk pranoi kurrsesi që t’ia shiste Juventusit (kujtojmë ofertën e dy viteve e gjysmë më parë, 50 milionë euro plus kartonin e Gonzalo Higuainit nga bardhezinjtë).

Gjithsesi, se si do të avancojnë bisedimet në udhëkryqin PSG-Ikardi-Juventus-Inter, duhet të pritet kjo verë, kur francezët dhe “Maurito” do të ulen të bisedojnë se çfarë do të ndodhë me të ardhmen e futbollistit. Kujtojmë që ditët e fundit është përfolur edhe për një luftë brenda skuadrës që ka nisur mes Ikardit dhe dyshes Mbape-Nejmar, që duket se kanë nisur të injorojnë argjentinasin, si në fushën e lojës, ashtu sikurse edhe në stërvitje.

Related posts

DISFATA NDAJ PSG-SË NË CHAMPIONS/ Trajneri Koeman bën mbledhje tek Barcelona. Ja çfarë ndodhi…

Delo.autor

United e gjen në Real Madrid pasuesin e Michael Carrick

Q.Autor

LIVE/ Po luhet ndeshja Milan-Fiorentina. Rezultati 0-1

Delo.autor

Leave a Comment