Futboll Sport

RIHAPET GARA PËR TITULL/ Teuta i shkakton humbje Tiranës pas 6 muajsh

Ishte kryendeshja e javës së 29 të Kategorisë Superiore dhe e tillë rezultoi përballja mes Teutës dhe Tiranës në “Niko Dovana”, ndërsa në fund ishin vendasit ata që festuan 3 pikët, falë fitores minimale 1-0.

Me dyert e stadiumit të mbyllura për shkak të pandemisë, një numër tifozësh kishin zgjedhur të ofronin mbështetjen e tyre nga përtej mureve, ose ballkonet e pallateve pranë, shkruan Supersport.

Sfida filloi menjëherë me ritëm të lartë dhe dyluftime të ashpra, ndërsa ishte pikërisht skuadra e drejtuar nga Edi Martini, që mori kontrollin e lojës dhe e zhvendosi atë në gjysmëfushën e kryesuesve të kampionatit Tiranës.

Grintë e lartë, dyluftime të shumta të fituara dhe qarkullim i saktë e i shpejtë i topit, ishin veçoritë e Teutës në pjesën e parë, ndërsa pas disa kërcënimeve,. Goli do të vinte në minutën e 26’, kur pas një aksioni model, Emiljano Vila shtyu topin në rrjetë dhe kaloi në avantazh të tijtë.

Tirana provoi të reagojë, por vendasit nuk kishin ndërmend të lëshonin hapësira dhe jo vetëm ia dolën të mbajnë larg kundërshtarin, por iu afruan edhe golit të dytë, ndonëse pjesa e parë u mbyll me shifrat 1-0.

Ndryshe nga pjesa e parë, Tirana ndryshoi qasje në 45-minutëshin e dytë dhe mori kontrollin e lojës, e ndihmuar edhe nga një sprapsje e vendasve, që preferuan të presin në gjysmëfushë dhe të provojnë kundërsulmet.

Disa sulme radhazi nga ana e Tiranës, krijuan panik në zonën e durrsakëve, por si për meritë të portierit Frashëri, ashtu edhe për pasaktësi të bardhebluve, topi nuk arriti të gjejë rrugën për në rrjetë.

Nga ana tjetër, “djemtë e detit” zbritën disa herë në kundërsulme të shpejta, ndërsa në një moment vetëm shtylla pingule e kuadratit të mbrojtur nga Ilion Lika, u mohoi golin që do t’u jepte avantazhin e dyfishtë.

Egbo ngurroi shumë të kryejë ndryshime, ndërsa vetëm në 5 minutat e fundit provoi të hedhë në fushë edhe sulmuesin tjetër Ismael Dunga, por rastin për të shënuar e pati sërish Teuta, që i shkoi pranë golit të dytë me Kallakun, që u ndal vetëm nga Ilion Lika. Në minutat shtesë pati vend edhe për një karton të kuq, të marrë nga mesfushori Celhaka.

Vërshëllima finale e arbitrit kryesor Eldorian Hamiti la në fuqi rezultatin 1-0 në favor të Teutës, e cila i kujtoi Tiranës shijen e humbjes, që nuk provohej në kampin bardheblu që prej 7 dhjetorit të vitit të kaluar ndaj Kukësit.

Me këtë fitore, bregdetarët rikuperojnë distancën nga zona europiane e renditjes dhe shkojnë në kuotën e 44 pikëve, ndërsa Tirana mbetet në krye të renditjes me 59 pikë, por tani e sheh Kukësin vetëm 6 pikë larg.

Kur kanë mbetur edhe 7 javë deri në fund të Kategorisë Superiore dhe për më tepër edhe me një përballje Tirana-Kukësi për t’u luajtur, gara për titullin kampion mund të quhet e rihapur dhe lufta bëhet akoma më interesante.

Related posts

Bushi ‘votëbeson’ Panuccin: Duhet t’i japim kohë, do bëjë mirë

Sadik.Autor

Manchester City shfaq interes për mesfushorin e Napolit

Sadik.Autor

NJIHUNI ME TË DASHURËN E RE TË NEYMARIT/ Shihni foto-t përvëluese dhe seksi

Delo.autor

Leave a Comment