Futboll Seria A Sport

STATISTIKA TË FRIKSHME/ CR7-Immobile, luhet titulli dhe “Këpuca e Artë”

Juventus kundër Lacios është mbi të gjitha Kristiano Ronaldo kundër Çiro Imobiles. Ajo që duhet të ishte ndeshja e titullit është bërë një ndeshje mes skuadrës së kreut dhe vendit të katërt, por shumë e rëndësishme për bardhekaltrit që të afrohen matematikisht me Champions-in sezonin e ardhshëm.

Dhe ata që do të udhëheqin shokët në fushë janë bomberat respektivë, të cilët vijnë pas dy periudhave të ndryshme. Sulmuesi i Lacios po kalon momentin më të vështirë sezonal dhe ka tri ndeshje që nuk shënon. Imobile ka nevojë për një gol që të zhbllokohet, edhe pse kundërshtari i tij i sotëm, Kristiano Ronaldo, po lundron me një mesatare gol për ndeshje: 7 të shënuar në 7 ndeshjet pas izolimit.

“KËPUCA E ARTË” – Sfida kryesore mes të dyve është sigurisht ajo e garës për golashënuesin e kampionatit italian. Imobile mund t’i shohë ende të gjithë nga lart, falë avantazhit të siguruar përpara ndërprerjes së kampionatit. Por që kur u rikthye në fushë, sulmuesi i Lacios e ka depozituar topin në rrjetë në vetëm dy raste, dhe diferenca me Ronaldon është shkurtuar në mënyrë të ndjeshme. Sot është vetëm një gol që i ndan, me Çiron në kuotën 29 dhe Kristiano 28.

Portugezi do të kërkojë sot jo vetëm që të mposhtë Lacion, por edhe të befasojë rivalin e tij. Në fakt, 29 golat e këtij sezoni do t’i kishin mjaftuar Imobiles për ta fituar “Këpucën e Artë” në 13 sezonet e fundit, përveç atij 2015-‘16, gjatë të cilit Higuain shënoi 36 gola. Pikërisht rekordi i argjentinasit ishte një prej objektivave të tij sezonalë, por tani duket një mirazh. Për të ushqyer këtë ëndërr duhet rikthyer sa më shpejt që të jetë e mundur te goli dhe sfida në “Allianz Stadium” mund të jetë vendimtare për rinisjen e tij.

sTATISTIKAT

BILANCI – Kundër Juventusit gjatë karrierës së tij Imobile ka shënuar 5 gola. Katër prej tyre kanë ardhur me fanellën e Lacios, të ndarë në dy dopieta. Dygolëshi i parë erdhi në një rast special, gjatë finales së Superkupës së Italisë në vitin 2017, zhvilluar në “Olimpico” dhe fituar pikërisht nga skuadra vendëse 3-2, falë golit në fund të Murgias. Dopieta e dytë erdhi vetëm pak muaj më vonë, në 14 tetor 2017. Në atë rast luhej në Torino dhe Lacio ishte protagoniste e një përmbysjeje, që kulmoi me penalltinë e Dibalës, pritur nga Strakosha në frymën e fundit.

Related posts

(VIDEO) Fiorentina ndëshkon Interin në fund, zikaltërit nuk arrijnë të dalin nga kriza

Q.Autor

PO BËHET VIRALE/ Në Iran censurohet ndeshja e Premier League mediat i mbulojnë këmbët… gjyqtares

Delo.autor

KOMENT/ “Grinta” e Liverpoolit apo “eksperienca” e Real Madridit…Ronaldo apo Salah

Sadik.Autor

Leave a Comment