Futboll La Liga Sport

ÇËSHTJA “PLESHTI” VAZHDON/ Schuster i nxjerr “të palarat” Messit: E kuptoi se kjo Barcelonë nuk bëhet më

Nëse ka një ish-futbollist elitar, tani trajner, i cili mund të interpretojë me njohuri të plotë të fakteve situatën që po kalon Leo Messi, ky është Bernd Schuster (Ausburg, Gjermani, 60 vjeç). Jeta e tij sportive ishte një doktoraturë për situata të ngjashme, që po kalon tani ylli argjentinas. Ai u largua nga Këlni për në Barcelonë në moshën 19-vjeçare. U largua nga ekipi gjerman vullnetarisht, pasi ishte kampion Europe për U-19. Braktisi një finale të Kupës Europiane (1986). Pasi u zëvendësua, i hipi një taksie dhe shkoi në hotel, ku pa që ekipi i tij humbi finalen me penallti. Ai u largua nga Barça për te Real Madridi. Pastaj nga Real Madridi tek Atlético…

Pyetjes së “El Pais”, se çfarë mendon për çështjen “Messi”, ai iu përgjigj: Është një hap më shumë sesa kemi provuar tashmë në klubet e mëdha. Shumë herë duket se yjet e mëdhenj duhet të largohen nga dera e pasme. Tashmë ka ndodhur me shumë lojtarë, jo vetëm te Barcelona. Rasti i Messit është më kurioz, sepse konsiderohet lojtar i shtëpisë. Më shumë sesa ajo që ka bërë atje nuk mundet. Duke u rritur atje, duke u bërë një profesionist, duke qenë i suksesshëm, Messi ka qenë lojtari më i mirë në botë për shumë vite, pothuajse duke fituar gjithçka. Problemi i madh është gjithmonë se si përfundon kjo, si mund ta ndryshoni skenën dhe ta përfundoni karrierën në një vend tjetër.

A e kuptoj atë, apo vendos veten në endin e Messit? Unë e kuptoj plotësisht. Ideja e tij nuk ishte kjo, që të largohej nga Barça, por me kalimin e kohës e kuptoi se futbolli është i tillë, nuk të fal. Futbolli është rezultat, duhet të vazhdoni të fitoni. Ndonjëherë, futbolli nuk është i drejtë dhe pastaj vendosni të shkoni diku tjetër. Disa kohë më parë e thashë publikisht se Messi e meritonte Barcelonën konkurruese edhe për dy ose tri vite më shumë. Lojtarët shkojnë me hundë, ne shkojmë me sy dhe kuptojmë gjithçka. Ne kuptojmë shumë gjëra. Ai e pa sezonin e kaluar se kjo situatë nuk do të ndryshonte, se nuk mund të rregullohej Barcelona. E kuptoi se nuk do të përmirësohej asgjë, prandaj shkoi drejt atij vendimi. Tupërimi ndaj Bayernit ishte pika e fundit e gotës së derdhur. Humbje të tilla, 8-2, ju bëjnë të thoni mjaft, faza ime ka mbaruar. Lojtarët, ndonjëherë, kanë më shumë besim se normalisht.

Barcelona fitoi titullin e La Liga-s vitin e kaluar, ndaj mashtroi pak veten dhe të gjithë. Sezonin e fundit doli duarbosh fare. Që para mbylljes prej koronavirusit ishte e qartë se kjo Barçë nuk mund të fitonte asgjë, aq më shumë Champions-in. Pas izolimit, asgjë nuk u përmirësua. Messi e ngriti alarmin, por u pa që nuk ndryshoi asgjë. Dhe në këtë rast nuk do ta fajësoja trajnerin. Ekipi ka përfunduar një cikël dhe duhet të ndryshohet. Lojtari e ndien kur diçka ka mbaruar, kur brenda tij nuk është më e njëjta gjë si dy vite më parë. Leo ka vendosur të mos vazhdojë dhe ta përfundojë karrierën e tij diku tjetër. Kjo është periudha, erdhi momenti. Natyrisht, ndarja është shumë e vështirë, për dhjetëra arsye. Zgjidhja e mirë e këtyre situatave ekstreme është e ndërlikuar, pothuajse e pamundur. Askush nuk të ndihmon.

Këtu është një luftë për pushtet. Nga njëra anë presidenti me klubin, nga ana tjetër lojtari më i mirë në histori. Kush pranon të dorëzohet? Askush në këtë duel. Në klub, presidenti nuk dëshiron të hyjë në histori si njeriu që lejoi Messin të largohet. Për pjesën tjetër të jetës së tij, do ta kujtonin vetëm për këtë, për asnjë titull. Mbetet vetëm që ai të pranojë se është koha për ndryshim dhe të thotë se do të bëjë një ekip të shkëlqyeshëm për dy ose tri vite, por problemi i Bartomeu është se i kanë mbetur pak muaj në detyrë. Kjo është arsyeja pse mendon vetëm të mos jetë ai, që e largoi Messin.

A mund të jetë një zgjidhje siç bëri Cristiano (Juve pagoi pak më shumë se 100 milionë)? Po, këshilla ime do të ishte të negociohet një zgjidhje dinjitoze. Messi gjithmonë ka thënë se i ka borxh shumë këtij klubi dhe nga ana e tij do të duhej të përpiqej të arrinte një ndarje të mirë. Çështja e Cristianos ishte një zgjidhje e mirë. Ai ishte i zgjuar, edhe Real Madridi. Cristiano u pa që po largohej. Ai, gjithashtu, mendoi si Leo, se cikli i tij te Real Madridi po mbaronte. Nuk ishte një bindje sot për nesër. Tani, vendimi i Messit ka qenë më i shpejtë për shkak të asaj që ka ndodhur këto muaj”.

Related posts

“ÇFARË PREDHE”/ Mesfushori SHQIPTAR mahnit në Zvicër, shënon SUPERGOL “Alla-Zidane” (VIDEO)

Isa.Autor

FORMULA 1/ Piloti Vettel: Jam më i fortë se kur shpallesha kampion bote, do të shkruaj historinë

Delo.autor

FITUAN NDAJ PORTUGALISË/ Lojtarët serbë festojnë me simbole politike nacionaliste. A do dënohen nga UEFA?

Delo.autor

Leave a Comment