Futboll Kategoria Superiore Sport

“E LODHSHME PA FUTBOLL”/ Portieri Frashëri: Teuta për titull, por na duhet edhe…

Stivi Frashëri është “i etur” për trofe. Pasi fitoi Kupën e Superkupën vjet, ambiciet e tij dhe të Teutës janë shtuar ndjeshëm për sezonin 2020-2021. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, 29-vjeçari thekson se ata nuk janë një skuadër që bëjnë premtime të mëdha, por vetëm realizojnë synimet e vendosura.

Portieri është optimist për grupin e ndërtuar, ndërsa shpreson që një orë e më parë të plotësohen kërkesat e klubeve dhe futbolli të fillojë në Shqipëri. Gardiani i durrsakëve shprehet se është me fat që stërvitet nga një trajner si Rizvani, ndërkohë që shpreson të ketë edhe pak fat këtë sezon.

Çfarë do të thotë për një lojtar të stërvitet kaq gjatë, pa luajtur një ndeshje?

Po kalojmë një periudhë të vështirë, por bojkoti është për të mirën e futbollit në tërësi. Ne vazhdojmë përgatitjet, por ritmin që të jep ndeshja nuk mund ta fitosh thjesht me stërvitje. Shpresoj që kjo gjendje të mos zgjasë shumë dhe çdo gjë të zgjidhet. Ne do jemi gati në çdo moment. Jetojmë çdo ditë në këtë mënyrë, duke u stërvitur dhe mbajtur regjim. Kjo ka qenë një periudhë e lodhshme, e megjithatë jemi gati.

Me afrime kaq cilësore, do guxonte Stivi të thoshte “po, jemi për titull”?

Fillimisht, unë dua t’u uroj suksese lojtarëve të rinj të ekipit. Shpresoj që ata të jenë ambientuar edhe të gjejnë veten mes nesh. Teuta është ndërtuar që më herët për titull. Më vjen mirë që po ecim në rrugën e duhur, duke u përforcuar çdo ditë. Se sa do jemi të aftë ta ndjekim këtë rrugëtim, duhet ta tregojmë në fushë çdo ditë. Tani për tani është ende herët të themi fjalë të mëdha.

Me konkurrencë të shtuar dhe çdo repart të dubluar, a do e keni më të thjeshtë për të përballuar ngjeshjen?

Konkurrenca është gjithçka në sport. Pa të nuk ka rritje për një sportist. Të paktën kështu mendoj unë. Nëse ke qëllime dhe synime të mëdha, duhet patjetër që çdo repart të jetë i dubluar, pasi kampionati është shumë i vështirë dhe kështu si po shkojnë punët do të zgjasë shumë. Do të ketë ndeshje çdo 3-4 ditë dhe mendoj se do të ketë hapësira për çdo lojtar. Shpresoj shumë që gjithkush të japë më të mirën nga vetja, për të ndihmuar maksimalisht ekipin.

Trajneri i portierëve, Bledian Rizvani, është gjithnjë e më kërkues në stërvitje, ju ndihmon ky fakt?

E kam falënderuar shpesh Rizvanin dhe këtë nuk e bëj për të kaluar radhën, por sinqerisht jam me fat që kam një trajner të këtij kalibri. Është një person që sheh me detaje çdo gjë, që kupton lodhjen përpara se ne vetë ta kuptojmë, që e sheh që në nxemje se sa i gatshëm do jem unë në ndeshjen e radhës. Vërtet ndihem mirë që punoj me një profesionist të tillë, por edhe me veten. Jam në formën optimale.

Kur shihni merkaton që është bërë në Kategorinë Superiore, cili është ai ekip që e mendoni si rival direkt?

Në Shqipëri niveli i futbollit ka pak ndryshim. Thuajse të gjitha ekipet në start kanë të njëjtin nivel loje. Gabimet janë ato që bëjnë diferencën. Vitin e shkuar, ne e nisëm vërtet mirë, por nuk patëm vazhdimësi. Bylisi ishte ekip shumë simpatik, por në fund nuk e arriti dot Europën.

Në letër, Kukësi me yje ishte kampion, por në dhjetor u shpall Tirana e vendit të 7-të. Me këtë përmbledhje, dua të them se futbolli është edhe fat edhe sakrificë. Duhet kapur momenti i favorshëm për të arritur titullin si finale.

Related posts

ITALI-ANGLI/ Finalja një hap i madh për “Azzurrët”, por tani mund të shkruhet historia

Delo.autor

ZHGËNJIMI NË DERBIN E MADONINËS/ Giampaolo ndryshon Milanin për transfertën me Torinon

Delo.autor

Modric nuk fal nga 11 metra larg, dyfishon Kroacia (VIDEO)

Sadik.Autor

Leave a Comment