Futboll Sport

ASNJË HUMBJE NË 5 NDESHJET E FUNDIT NDAJ TIRANËS/ Martini ka vetëm një dilemë për formacionin e Teutës

Viti 2020 përkoi me shpalljen kampione të Tiranës, por i vetmi ekip që bardheblutë e patën pisk në sezonin 2019-2020 ishte pikërisht Teuta. Në pesë ndeshjet e fundit që skuadrat kanë luajtur për kampionat, finalen e Kupës së Shqipërisë dhe gjithashtu Superkupën, durrsakët e Edi Martinit kanë koleksionuar 4 fitore dhe një barazim.

Në dy ndeshje finale Teuta arriti t’i merrte dy trofe Tiranës. Në gjithë vitin 2020, bardheblutë kanë fituar vetëm një ndeshje kundër Teutës për kampionat, pikërisht më 2 shkurt, ku fillimisht shënonte Lorenco Vila për durrsakët, e më pas kryeqytetasit përmbysnin gjithçka falë golave të Majkëll Ngo dhe Agustin Torasës. Këtë sezon në javën e dytë të kampionatit Teuta fitoi 0-1 falë golit të Lorenco Vilës, ndërsa në fazën e dytë në Durrës ndeshja përfundoi në barazim 1-1. Për kampionët në fuqi shënoi Grent Halili, ndërsa më pas barazoi Dejvid Kapllani.

Qendërmbrojtësi Rustem Hoxha është gati, ndërsa sulmuesi Sebino Plaku dhe mesfushori Iran Zhunior Gonçalves janë mungesat e vetme të Teutës në ndeshjen e sotme ndaj Tiranës, që do të zhvillohet sot në orën 13:00 në stadiumin “Selman Stërmasi”. Skuadra e Edi Martinit zhvilloi dje të gjitha përgatitjet e nevojshme, teksa krahas këshillave edhe orientimeve taktike, trajneri provoi edhe formacionin që do të luftojë për të mundur Tiranën.

Rikthehet titullar Hoxha pasi kaloi dëmtimin që e mbajti jashtë ndeshjes me Skënderbeun. Nga ana tjetër, braziliani Gonçalves ka probleme me rrëzat e kofshëve dhe nuk do të jetë i gatshëm. Vazhdon të jetë i dëmtuar edhe Plaku, por Martini ka luksin e përzgjedhjes, pasi alternativat janë të shumta. E vetmja dilemë e shkodranit që drejton Teutën është të rikthejë Ernado Karabecin nga minuta e parë apo të vazhdojë t’i besojë në mesfushë Florent Avdylit.

Related posts

NUK KA LËNË ENDE SHENJË ME FANELËN PARISIENE/ Por drejtuesit e PSG-së në faza të avancuara për rinovimin e Neymar

Delo.autor

Barcelona, 11 ndeshje larg rekordit historik të Real Madridit

Q.Autor

SIMBOLI I MILANIT DHE I INTERIT/ Tonali-Barela, titulli kampion kalon nga tifozët e kthyer në flamuj

F.autor

Leave a Comment