Futboll Kategoria Superiore Sport

DERBI I KRYEQYTETIT/ Trajneri Mema: Kush humbet super ndeshjen, “digjet” nga gara për titull

Ardian Mema anali zon derbin dhe thotë se tani do të shohë dorën e Orges Shehit. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-i i bardhebluve rrëfen se merkatoja dhe ndërtimi i ekipit lënë shumë për të dëshiruar. Ajo skuadër që mundet, merr një goditje për sezonin, ndërsa Daja ka më eksperiencë se Shehi. Mema foli edhe për shumë detaje të tjera të bardhebluve.

Si i shikoni në këtë moment të kampionatit Tiranën dhe Partizanin në prag derbi?

Si zakonisht e nisin si rivale të përjetshme ashtu siç ka qenë gjithmonë. Momentalisht Tiranën e shoh më mirë psikologjikisht, fizikisht dhe në rezultate. Partizani vjen nga dy rezultate të këqija. Vetëm një pikë në dy ndeshje tregojnë shumë. Kjo tregon se ka humbur dy shanse të mëdha për kreun dhe sot do të flisnim ndryshe për Partizanin dhe arritjet e tij. Megjithatë, në një ndeshje derbi, pa dashur të hyj në detaje, vendos shumë, që do të thotë se për secilën skuadër një rezultat pozitiv ndiqet nga një ecuri e mirë në kampionat.

Është e favorizuar skuadra e Tiranës që është më e plotë dhe më e freskët, pasi disa lojtarë janë rikthyer në janar?

Mua nuk më rezulton një gjë e tillë. Vetëm Seferi ka bërë disi mirë. Po i afrohet gjendjes optimale që duhet të ketë dhe të pritshmërive që kanë në skuadrën bardheblu ose që kanë pasur kur e kanë afruar sulmuesin. Pjesën tjetër të lojtarëve nuk e shoh në ndonjë lartësi për Tiranën. Si lojtari finlandez apo mbrojtësi nuk është se kanë bërë mirë. Ndoshta nuk kanë edhe formën e duhur. Gjithsesi, ne gjykojmë me atë që japin lojtarët në fushën e lojës dhe në kohë. Për momentin vetëm Seferi është në rregull.

Do të ndikojë mungesa e Muçit në këtë ndeshje kundër Partizanit në derbi?

Muçi i takon së shkuarës. Çdo ekip duhet të shohë përpara me lojtarët që ka në dispozicion dhe që do të luajnë në fushë. Skuadra duhet të shohë se çfarë do të japë në fushën e lojës. Pritshmëria e tifozëve është e madhe, sepse ata duan fitore në derbi. Po kështu çdo gjë që kemi lënë pas, nuk kthehet.

E mendonit Tiranën në luftën për titull?

Kampionati ka hyrë në faza shumë interesante. Për mua është një ristart i sezonit, ndonëse mesi i kampionatit. Pikët aty janë dhe mund të ndodhë gjithçka. Vllaznia bëri shkëputjen me nëntë pikë, por nuk diti t’i administronte këto pikë. Gaboi shumë, edhe pse kishte të gjitha mundësitë për të ruajtur këtë diferencë. Futbolli i tillë është. Ka rezultate pozitive dhe negative. Tirana i ka kaluar rezultatet negative. Mendoj se ka përpara rezultatet pozitive. Duhet të shohë me zgjuarsi përpara dhe të marrë fitoret një nga një duke filluar që nga derbi me Partizanin. Skuadra duhet ta menaxhojë kampionatin, rezultatet dhe lojën. Përpos të gjithave, loja është ajo që të jep rezultatet.

Është ndeshja që vendos sezonin për të dyja skuadrat? Pra, ajo që humbet, mbetet pas?

Po. Njëra nga skuadrat, nëse humbet, kompromenton sezonin dhe me shumë mundësi humb garën për titull. Është një nga gjërat më të rëndësishme që ndodh në kryeqytet. Gjithsesi, duhet parë. Jo vetëm në një takim shihet e ardhmja dhe çfarë do të bëjnë skuadrat në kampionat. Aty duket e ardhmja. Nëse skuadrat bazohen te rezultati i kësaj ndeshjeje, është gabim, por që në fund ka impakt nëpër ekipet respektive, kjo është diçka tjetër.

Shehi dhe Daja ku ndryshojnë nga njëri-tjetri si trajnerë dhe karaktere?

Daja ka eksperiencën e nevojshme si trajner. Edhe Shehi ka eksperiencë si futbollist dhe mund të bëjë më mirë. Ardhja e Shehit ka qetësuar ekipin dhe situatën te Tirana. Ndeshjet nuk i ka pasur të vështira. Është momenti të shpalosë idetë e tij si trajner. Tani vijnë ndeshjet e forta të Tiranës dhe tani do të shihet edhe puna e Shehit.

Sivjet është ajo skuadër që ndërtuat vjet, por që nuk e çuat dot projektin deri në fund?

Më lejo ta them sërish. Ecurinë e Tiranës e parashikova. U largova tri pikë nga kreu dhe në vendin e tretë. Shkoi si shkoi, gjërat janë lënë pas. Tiranën dua ta shoh sa më lart, sepse aty është e kaluara dhe vlerat e mia. Suksesi nuk është i pafund, por me periudha, siç ndodhi vjet. Ama ky grup i sivjetshëm nuk është se ka treguar ndonjë gjë krahasuar me skuadrën e vjetshme. Jam skeptik me këtë pjesë. Zakonisht kur ndërron shumë lojtarë, duhet të presësh që ata të kuptojnë ku janë. Por, Tirana nuk të pret gjatë. Të gjitha problemet nisin me ndërtimin e skuadrës në verë. Për mendimin tim, Tirana ka pasur probleme me merkaton dhe për këtë nuk e nisi mirë kampionatin. Tirana i është afruar kreut, falë edhe gabimeve të kundërshtarit, jo vetëm punës së saj.

Related posts

DËMTIMET/ Kombëtaret gjymtojnë Realin e Madridit dhe Barcelonën (LISTA E PLOTË)

F.autor

“E MPOSHTA BRENDA 3 RAUNDESH”/ Khabib bën premtimin para duelit me Gaethje

Delo.autor

KORONAVIRUSI/ Mbappe jep mesazhin e veçantë: Të gjithë duhet të kemi këtë ambicie! (FOTO)

Delo.autor

Leave a Comment