Basketball Sport

BASKETBOLL/ Tronditet Liga Unike, ekipi shqiptar tërhiqet nga gara. Ja arsyeja…

Liga Unike e basketbollit është tronditur ende pa filluar. Një ditë para startit të eventit të përbashkët me skuadra nga Shqipëria dhe Kosova, Teuta ka njoftuar mospjesëmarrjen në këtë aktivitet. Skuadra durrsake nuk është pajtuar aspak me mënyrën e zhvillimit të këtij eventi, duke akuzuar organizatorët për vendime arbitrare të pakonsultuara me ekipet.

Drejtuesit durrsakë ngrenë gjithashtu dyshime edhe për sa i përket shortit të Ligës Unike si dhe nuk pajtohen me vendin e zhvillimit të fazës “Final 4”. Me anë të një letre të presidentit Arqile Gorea, Teuta njofton zyrtarisht mospjesëmarrjen në edicionin e parë të Ligës Unike që do të startojë sot në Rahovec të Kosovës. Kështu, liga mbarëkombëtare humbet një prej skuadrave më të mira të Shqipërisë në këto vitet e fundit, teksa Superliga tashmë do të prezantohet vetëm me 3 ekipe (Goga, Vllaznia dhe Tirana). Kujtojmë që presidenti i bregdetarëve, Arqile Gorea, prej kohësh e ka ngritur zërin për sa i përket mënyrës së organizimit të Ligës, madje dhe për emrin e zgjedhur për këtë kompeticion, duke e lidhur atë me kompaninë “Sigal Uniqa Group” të presidentit të FSHB-së, Avni Ponari. Më poshtë ju pasqyrojmë letrën e plotë të Teutës drejtuar Ligës Unike:

LETRA E TEUTËS –

PËR DIJENI: Ligës Unike, FSHB-së, FBK-së Të nderuar. Ditën e premte me datë 2 prill në orën 11:30, morëm lajmin rrufe për hedhjen e shortit të Ligës Unike që sipas njoftimit zyrtar të ardhur po në të njëjtën ditë do të hidhej short në orën 14:00 dhe kompeticioni do të zhvillohej në datat 6 dhe 7 prill. Na çudit ky nxitim për zhvillimin e kësaj lige, në një kohë ku kampionatet respektive kanë hyrë në fazën kulmore dhe të gjitha ekipet janë të fokusuar në objektivat e tyre sezonalë, në të cilët Liga Unike nuk ishte e përfshirë. Menduam se eksperiencat pozitive të FBK, korrektesa dhe legjislacioni i zhvillimit të kampionateve të basketbollit kosovar, si dhe vendosja në krye të kësaj lige e z.Ilir Trebicka si basketbollist dhe menaxher me eksperiencë menduam se do të sjellin zhvillime pozitive në atmosferën e basketbollit shqiptar.

Në kuadrin e kësaj situate, Teuta Basket ka mbledhur stafin drejtues dhe nga debatet e zhvilluara në frymë konstruktive konstatojmë se në kuadrin e këtyre befasive jemi të pamundur për të ekonomizuar potencialet e ekipit në favor të eventeve shqiptare të basketbollit, të cilat përpos lëngatës pandemike duhet të përballojnë edhe situata të tilla që nuk po e kuptojmë ku e kanë burimin. Të nderuar drejtues, një sjellje e tillë me vendime arbitrare të pakonsultuara më parë me ekipet pjesëmarrëse vënë në dyshim seriozisht dhe zhvillimin e eventeve të basketbollit shqiptar, i cili me sa duket të gjitha mangësitë e veta për të cilat Avni Ponari i pranoi si gabime dhe u angazhua t’i korrigjojë, po eksportohen dhe te basketbolli kosovar që ka pranuar jashtë traditës të vet të bëhen njoftime urgjente, të hidhen shorte që për hir të së vërtetës janë të dyshimta si dhe gjysmëfinalet dhe finalet e një aktiviteti mbarëkombëtar mos të zhvillohen në pallatin e sportit ‘Feti Borova’.

Nisur nga këto arsyetime dhe situata e krijuar, shoqata Teuta Basket nuk e konfirmon pjesëmarrjen në Ligën Unike. Shpresojmë që kjo përgjigje të shërbejë si një reflektim për zyrtarët e ligës dhe FSHB-së që të jenë më seriozë në organizimin e të tilla eventeve. Është detyrë e këtyre institucioneve për të respektuar kontributin e ekipeve pjesëmarrëse si dhe të mos marrin vendime pa u konsultuar me të gjithë aktorët që janë promotorë të zhvillimit të basketbollit në Shqipëri e Kosovë.

Related posts

“PENALLTIA E VITIT” JEPET NË SUPERIORE/ Ja 11 metërshi qesharak i arbitrit Llapra (VIDEO)

Isa.Autor

TIFOZËT E BARCELONËS PRESIN MIRALEM PJANIC/ Por trajneri Koeman shpjegon gjendjen e boshnjakut

Delo.autor

Alisson tregon aftësitë e tij në stërvitje (VIDEO)

Sadik.Autor

Leave a Comment