Futboll Sport

“NUK E KUPTOVA RRËSHQITJEN, E HAPËN VETË KAMPIONATIN”/ Lika: Askush nuk besonte, Vllaznia e mbyll me trofe

Gilman Lika beson te një mbyllje e sezonit me trofe nga Vllaznia. Ish-kapiteni i shkodranëve, i cili që prej verës së vitit të kaluar nuk është më i angazhuar në ndonjë skuadër, ka analizuar ecurinë e kuqebluve në një intervistë për “Panorama Sport”. Mesfushori shkodran i bën thirrje skuadrës që të ketë shumë kujdes nga Skënderbeu, duke filluar që këtë të shtunë. Sipas Likës, diferenca që pati ekipi në fazën e tretë duhej të ishte shfrytëzuar më mirë nga skuadra.

Gilman, si e keni parë kampionatin deri më tani?

Më duket një kampionat shumë i luftuar, sidomos nga disa ekipe që kanë synime madhore. Besoj se kështu do të jetë deri në fund.

Vllaznia u kualifikua në finale dhe është vetëm 2 pikë nga kreu kur kanë mbetur 8 ndeshje. Ju ka surprizuar kjo?

Asnjë nga ne nuk e ka pritur këtë paraqitje të deritanishme të Vllaznisë. Për mendimin tim, ekipi ka marrë më shumë se maksimumi. Nuk e kuptova pse pati atë rrëshqitje në fazën e tretë. Ajo diferencë e madhe duhet të ishte shfrytëzuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Vllaznia e hapi vetë kampionatin, por megjithatë është pozitive që ekipi ka mbetur sërish në lojë për titullin.

Cili është rivali më i fortë për titull sipas jush?

Për mua janë tri ekipe: Teuta, Partizani dhe Laçi.

Sa shanse mendoni se ka skuadra shkodrane në këtë luftë katërshe për të rikthyer titullin pas dy dekadash?

Gara do të jetë e vështirë, por shpresoj që të arrihet fitimi i titullit kampion. Shkodrës ka shumë vite që i mungojnë trofetë dhe sidomos titulli.

Gjithsesi, më vjen mirë që kapi finalen e Kupës, pasi ka zhvilluar ndeshje shumë të mira. Duke pasur parasysh edhe faktin që ekipi ka pasur shumë fat këtë vit, jo vetëm gjatë ndeshjeve të këtij sezoni, por edhe në shortin e Kupës, mendoj se nuk do ta mbyllë pa trofe. Kam shumë besim se një trofe do të vijë në Shkodër.

Ju keni qenë pjesë e ekipit fitues për të fundit herë të Kupës së Shqipërisë në vitin 2008, madje keni shënuar në finale ndaj Tiranës. Është ky momenti që Vllaznia të bëjë të njëjtën gjë kundër Skënderbeut, që në kampionat lufton për mbijetesë?

Ajo finale ndaj Tiranës në vitin 2008 ka qenë një nga ndeshjet më të bukura dhe më emocionuese për mua. Ishte diçka e bukur të ngrije Kupën me Vllazninë, e për më shumë të ishe protagonist në atë sfidë. Duket se jemi të favorizuar, por nuk duhet harruar se është finale dhe duhet vlerësuar në maksimum. Nuk mendoj se ka finalist të lehtë.

Ju besoni se ky ekip mund të luftojë në të dyja frontet deri në fund?

Është në garë për të dy trofetë dhe futbollit nuk i dihet asnjëherë. Siç e thashë edhe më lart, asnjë në Shqipëri nuk e besonte këtë paraqitje të Vllaznisë. Pse të mos pretendojmë për të dy trofetë, nuk shikoj asgjë të pamundur. Do të ishte diçka e madhe për Shkodrën e për të gjithë tifozët e Vllaznisë kudo ku ndodhen.

Kujt duhet t’i trembet më shumë Vllaznia në këtë fund sezoni?

E rëndësishme është që të japin më të mirën. Pastaj, nëse bëhen aleanca, nuk është faji i tyre. Duhet të përqendrohen në çdo ndeshje.

Të shtunën luajnë ndaj Skënderbeut për kampionat, si e parashikoni?

Skënderbeu është rritur shumë në ndeshjet e fundit dhe është një skuadër që duhet vlerësuar. Në takimin ndaj Teutës së vendit të parë nuk pashë që kishte ndonjë diferencë në lojë. Prandaj, them se Vllaznia duhet që të bëjë kujdes dhe ta fitojë këtë takim.

Miku juaj, Albert Kaçi, ka thënë aw fitimi i Kupës kalon nga ndeshja e kampionatit mes Vllaznisë e Skënderbeut. Cili është mendimi juaj?

Janë dy ndeshje të ndryshme dhe duhet përgatitje e veçantë. Unë mendoj se vetëm kështu do të fitohen të dyja.

Related posts

PSG-LEIPZIG/ Ronaldinho sërish me Messin? “Parisienët” bëjnë njoftimin e rëndësishëm (FOTO)

Delo.autor

E pranon edhe vetë ylli i Realit! E preka topin me dorë dhe ishte penallti

Sadik.Autor

Dikur pjesë e Man United, sot nuk do ta besoni skuadrën e re të Anderson

Sadik.Autor

Leave a Comment