Futboll Seria A Sport

STATISTIKAT/ Juventus me Dybala-n luante për titull. “Zonja e Vjetër” do ishte 3.5 pikë larg Interit

Fitorja e Juventusit kundër Napolit kishte një shije të dyfishtë, e para për tri pikët që konsolidojnë disi situatën lidhur për blindimin e zonës Champions, por në të njëjtën kohë edhe për rikthimin e një përforcimi të rëndësishëm për bardhezinjtë, si Paulo Dibala, për më tepër me një gol që vulosi suksesin ndaj Elseid Hysajt me shokë. Talenti dhe madhështia e golave të argjentinasit ndoshta ishte ajo çfarë i ka munguar më shumë Juves së Pirlos, duke parë jo vetëm realizimin kryevepër, por edhe paparashikueshmërinë që sjell numri 10 i torinezëve në manovrat sulmuese të skuadrës.

Por, akoma më shumë se kaq flasin statistikat, falë të cilave kuptojmë se ndoshta me Paulo Dibalën në funksion të plotë gjatë gjithë sezonit, Juventusi do të ishte sot e kësaj dite, 9 javë nga fundi, rrotë më rrotë me Interin për titullin kampion. 26-vjeçari u rikthye në fushë pas 87 ditësh mungesë dhe për të ishte prezenca numër 12 sezonale, gjatë të cilave Juventusi ka ecur me një mesatare prej 2.3 pikësh për ndeshje. Saktësisht një ritëm i denjë dhe i sigurt për të arritur te titulli kampion. Ndërkohë që në 17 takimet e tjera pa Dibalën, mesatarja e skuadrës së Andrea Pirlos ka qenë vetëm 1.8 pikë për ndeshje. E thënë në një mënyrë tjetër, Juventusi me numrin 10 në dispozicion ka një ritëm prej gjysmë pike më shumë për ndeshje, e cila nëse shumëzohet me 17 ndeshjet që ka munguar do të thoshte 8.5 pikë më shumë në renditje.

Pra, nëse i shtojmë kuotës aktuale 59, 8.5 pikët më shumë që garanton prezenca e Dibalës në fushë, Juventusi do të ishte vetëm 67.5 pikë, diçka më shumë se vetëm një fitore larg Interit në kuotën 71 dhe për më tepër me duelin direkt në kalendar, në javën e treta nga fundi. Sigurisht që këto janë vetëm terma matematikorë për të kuptuar rëndësinë e një lojtari si argjentinasi që di të bëjë diferencën si nga minuta e parë, ashtu sikurse nga stoli, në ndeshjen kundër Napolit. Madje, duke qëndruar nga realizimi si zëvendësues, hera e fundit që Dibala e kishte bërë diçka të tilla kishte ndodhur në mars të vitit 2020, pikërisht në fitoren 2-0 ndaj Interit, në “Allianz Stadium”. Ndaj, rëndësia e këtij lojtari për Juventusin mund të kuptohet qartë…

Related posts

U LARGUA NGA “LOS BLANCOS”/ Zidane, trajneri më i suksesshëm në historinë e Realit. Ja statistikat e frikshme…

Delo.autor

DHUNA NDAJ ARBITRIT/ Reagon FSHF: Kamza të dënohet ekstremisht!

F.autor

Shqipëria mposht Izraelin dhe kualifikohet për në finalet e Ligës së Europës

Sadik.Autor

Leave a Comment