Futboll Premier League Sport

KANTE, TRIUMFUESI I NDROJTUR/ Nga liga amatore në Francë drejt Champions, si u bë futbollisti që e duan të gjithë

Kur Çelsi fitoi Champions-in e parë të historisë, N’Golo Kante ishte 22 vjeç dhe luante në ekipin US Bulonjë, në kategorinë e tretë të futbollit francez. Nëntë vite më vonë, i përuluri, i turpshmi dhe i admiruari mesfushor ka ngritur vetë trofeun e Ligës së Kampioneve, duke qenë një nga protagonistët kryesorë.

Ai u zgjodh si lojtari më i mirë i finales kundër Sitit, por edhe në të dyja ndeshjet gjysmëfinale ndaj Realit të Madridit. Diçka e jashtëzakonshme. Kante i qëndroi besnik vetes dhe nuk donte të bënte deklarata pasi fitoi çmimin si lojtari më i mirë i ndeshjes. Shokët e skuadrës filluan ta ngrinin në qiell, sepse po ta lësh në tokë, ai vetëm vrapon dhe nuk di të ndalet.

Me triumfin në Champions, ai bëhet një nga të paktët futbollistë që ka fituar kaq trofe të rëndësishëm si Champions-i, Europa Liga, Premier Liga dhe Botërori. Dhe në të gjithë trofetë ka qenë protagonist dhe vendimtar. Që nga përralla me Lestërin e Ranierit, pastaj me Çelsin e Tuhelit, duke kaluar te Franca e Deshampit apo blutë e Antonio Kontes. Kalojnë vitet dhe trajnerët, por Kante vazhdon të jetë Kante.

FENOMENAL – Kundër Mançester Sitit ai ofroi një tjetër recital në fushën e lojës. Shprehja “po luajnë 11 Kante” është diçka që po përsëritet shpesh, por vetëm kështu mund ta tregosh realisht rëndësinë e këtij lojtari në fushën e lojës. Ai bën që kundërshtarët të zhduken përpara tij.

Kante është shndërruar në një futbollist të kompletuar, me dhe pa top. Ai theu aksionet mes linjave të Sitit, ndërtoi aksionet, ishte jetik në fazën mbrojtëse dhe u bë “hajdut” i topave duke rikuperuar 10 të tillë. Për më tepër ai kreu me sukses 29 pasime nga 34 në total. Krijoi një rast për gol dhe kompletoi dy driblime. Nuk ishin vetëm këto. Kante ishte lojtari që fitoi më shumë duele me kundërshtarin, 11.

CHAMPIONS – Mund ta themi me siguri që sezoni i tij nuk ka qenë aspak i lehtë. Me Lampardin e kishte vendin e sigurt, por pati disa probleme fizike. Kur erdhi Tuhel, e kishte disi të vështirë që t’i gjente vend në skemat e tij dhe në disa ndeshje nuk e aktivizoi, por kjo zgjati pak.

Në ndeshjen e 1/8-ave kundër Atletikos e nisi nga stoli, ndërsa në atë të kthimit si titullar. Aty tregoi se ishte një nivel mbi të tjerët dhe nuk e humbi më vendin. Pesha e tij në fushë nuk u kuptua shumë ndaj Portos, sepse ishte një sfidë pa shumë rivalitet mes dy skuadrave. Me Realin e Madridit shkëlqeu sërish në të dyja sfidat. Në finale u zgjodh më i miri. Shumë kanë nisur të mendojnë se është për “Topin e Artë”.

Related posts

VIDEO VIRALE/ Rasti unikal në Angli, shikoni çfarë i bën ky tifoz kundërshtarit që kryente nxehjen (PAMJET)

Isa.Autor

“NDIHEM SHUMË MIRË TEK MILAN”/ Theo Hernández: Frymëzohem nga Benzema dhe Mike Tyson

Delo.autor

VDEKJA E KOBE BRYANT/ Historia e errët, pse legjenda e basketbollit quhej “Mamba e Zezë” (FOTO)

Delo.autor

Leave a Comment