Futboll Seria A Sport

NGA LOJTAR NË TRAJNER/ Gian Piero Gasperini, juventini i lindur që do të mundë… “Bardhezinjtë”

Me makinë, nga Gruliasko deri në “Allianz Stadium”, duhen më pak se 20 minuta, ndonëse nuk ishte vetëm vendlindja ajo që e ka lidhur jetën e Gian Piero Gasperinit me Juventusin, pavarësisht se nga hera e fundit që ai ka mbajtur veshur ngjyrat bardhezi kanë kaluar thuajse 18 vite.

Gjithsesi, fakti që ai ka qenë pjesë e skuadrave zinxhir të Juves për 10 vite si futbollist dhe në 9 të tjerë më vonë ka drejtuar pankinat e “fidanishteve” e bën më të veçantë përballjen e sotme, finalen e Kupës së Italisë. Por, akoma më shumë se kjo, fati donte që pikërisht Gasperini të bënte “arbitrin” e këtij fund sezoni të çmendur të Juves, duke qenë se përveç finales, sot në orën 21:00, pikërisht Xhanpiero ka në dorë edhe fatin e të shkuarit të torinezëve në Champions (të dielën nuk duhet ta lejojë Milanin të fitojë në Bergamo), por gjithashtu është edhe një ndër kandidatët më të fortë për të pasuar Andrea Pirlon në stolin juventin.

E SHKUARA – Duket thuajse e pamundur të mendosh se Gasperini ka kaluar 19 sezone me Juven, ndonëse në skuadrën e parë ka qenë fare pak protagonist si futbollist. Me ngjyrat bardhezi Xhanpiero ka hedhur hapat e parë qoftë si lojtar ashtu sikurse trajner, për të arritur sot kur e rivalizon edhe si i barabartë. Hera e parë që shkeli në klub ishte në moshën 9-vjeçare, në vitin e largët 1967, derisa bëri debutimin në skuadrën e parë në sezonin 1976-1977, pikërisht në Kupën e Italisë. Më pas një huazim te Rexhiana, një rikthim i shkurtër, derisa vendosi të largohet përfundimisht nga Torino. Në total për Gasperinin juventin 9 ndeshje, të gjitha në Kupë dhe 1 gol i shënuar, por pa debutuar kurrë në Serinë A. Gjithsesi, rikthimi nuk mungoi sërish, por këtë herë si trajner i të rinjve, teksa në moshën 36-vjeçare (viti 1994) mori drejtimin e skuadrës U-15, për t’u ngjitur më pas deri në ekipin “Primavera” (U-19), me të cilët fitoi edhe turneun e Viarexhos. 180′

SHPRESË – Dhe ideja Gasperini te Juventusi është më shumë sesa thjesht fantazi apo një intrigë për fatet me të cilat përballet “Zonja e Vjetër” në këto 180 minuta të fundit që i kanë mbetur. Në fillim është Kupa e Italisë, ku pa dyshim Ronaldo me shokë duan të fitojnë. Por, edhe sikur Gasperini t’i mundë, atëherë kjo do të jetë një plus edhe më i madh në “CV” për trajnerin, por për të vënë qershinë mbi tortë, duhet ta mundë Milanin të dielën dhe t’i hapë rrugë atij kualifikimi në Champions të Juves, për të cilin do të kishte ndikuar vetë…

“Gasp”. Shkurt, Pirlo është në fundin e udhëtimit të tij, ndaj tani i takon Xhanpieros që ëndrrën e madhe të fëmijërisë ta bëjë realitet, të ulet në “prehrin” e “Zonjës së Vjetër” duke larguar ndoshta edhe hijen e fortë të Zidanit e Alegrit. Fundja, kush e ka parë në hapat e tij të parë në katedër, por edhe me bilbil në gojë gjatë stërvitjeve, flet për njeriun perfekt që përfaqëson “stilin Juve”, falë tri parimeve bazë: e para mbrojtja me tre; e dyta markimi një kundër një; i treti një stil loje intensivoagresiv. Por, me qetësi… Fillimisht Gasperini do të jetë kundërshtar, më pas “aleat” për të dielën, dhe në fund ku i dihet…

Related posts

CHAMPIONS LEAGUE/ Kaos në Liverpool, tifozi vendas goditet me thikë në prag të ndeshjes

Sadik.Autor

Laçi me dy fytyra, duhet të ndryshojë faqe për të kapur Europën

Sadik.Autor

PO BËHET VIRALE/ Entuziazëm dhe acarim nervash në Izrael, shikoni sesi lojtari fiton ndeshjen (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment