Ndeshjet Live Sport

LIVE/ “EURO 2020”: Mbyllet ndeshja Holandë-Ukrainë. Rezultati 3-2

Duke filluar nga ora 21:00 do të luhet sfida Holandë-Ukrainë e vlefshme për Grupin C të Kampionatit Europian.

Holandezët do të luajnë në shtëpinë e tyre në ‘’Johan Krujf Arena’’ duke pasur dhe një shtysë më shumë në këtë ndeshje. Tekniku De Bur do të rreshtojë një formacion të çuditshëm me 5 mbrojtës, 3 mesfushorë dhe 2 sulmues.

Në mbrojtje do të mungojë futbollisti i Juventusit, Mathij De Ligt i cili u dëmtua në stërvitje disa ditë më parë. Vendin e tij do ta zërë mbrojtësi tjetër, Timber. Në sulm, De Bur ka menduar të aktivizojë nga minuta e parë Depain dhe Uegrost.  Ndeshja pritet të jetë e hapur dhe mjaft e luftuar nga dyja skuadrat.

 

LIVE/ Holande – Ukrainë 3-2

Vajnaldum 52′ , Vergost 58′, Damfris 85′   / Jarmolenko 75′ , Jaremçuk. 79′ 

KOMENTI LIVE:

90+3′ Sidorçuk është futbollisti i parë i sfidës i ndëshkuar me karton të verdhë.

90+1′ De Bur kryen zëvendësimin e pestë, largohet Depaj, vendin e tij e merr Malen.

90′ Akordohen 5 minuta shtesë.

88′ Holanda kryen dy zëvendësime të tjera, largohen Vergost dhe Timber, në fushë Luk De Jong dhe Veltman.

85′ GOOOOOL HOLANDA 3-2/ Përballje dramatike, vendasit sërish në avantazh. Realizon futbollisti Damfris. Shpërthen festa në stadium. Emocione të jashtëzakonshme. 

79′ GOOOOOL UKRAINA 2-2/ Shtangen “tulipanët”, miqtë barazojnë shifrat me Jaremçuk. Pas harkimit të Malinovskit, sulmuesi godet saktë me kokë, duke vendosur baraspeshën. 

75′ GOOOOOL UKRAINA 2-1/ Spektakolar Jarmolenko, që dhuron një perlë nga distanca, duke rihapur sfidën. Gjuajtja e sulmuesit me të majtën, u ndal në trekëndëshin e portës. 

64′ Zëvendësim edhe te Ukraina, largohet Marlos, i futur në minutën e 13, në vend të tij Shaparenko.

64′ Holanda kryen 2 zëvendësime, largohen Blind dhe Van Anholt, në fushe Ake dhe Vajndal.

58′ GOOOOOL HOLANDA 2-0/ Shënojnë sërish “tulipanët”, sulmuesi Vergost, dyfishon shifrat, duke përfituar nga një mosmarrëveshje e mbrojtësve ukrainas brenda zonës. Futbollistët miq pretendojnë për pozicion jashtë loje, por goli konfirmohet. 

52′ GOOOOL HOLANDA 1-0/ Kapiteni Vajnaldum kalon në avantazh “tulipanët”, me një ekzekutim fantastik, duke e dërguar topin në trekëndësh, pas kthimit të topit nga Busçan. 

46′ Starton pjesa e dytë!

Mbyllet pjesa e parë me rrjeta të paprekura! 

45′ Akordohet 1 minutë shtesë!

40′ E pabesueshme çfarë humbet Damfris, shumë pranë portës, gjuajtja e tij me kokë, shkoi jashtë kuadratit.

38′ Busçan është heroi i Ukrainës në këto minuta. Gardiani shpëton kombëtaren e tij nga një tjetër gol i sigurt. Tentativa e Vijnaldum, ndalet mjaft bukur nga ukrainasi.

28′ Jarmolenko rrëzohet dhe kërkon penallti, por për gjyqtarin gjithçka e rregullt.

27′ Fantastik deri tani portieri Busçan, i cili ndal tentativën e sulmuesit Vergost. Vendimare ndërhyrja e gardianit.

20′ Minuta të mira për Holandën, që nuk heq dorë nga sulmet e vazhdueshme.

13′ Zëvendësim te Ukraina, largohet i dëmtuar, Zubkov, vendin e tij e merr, futbollisti brazilian i natyralizuar si ukrainas, Marlos.

10′ Holanda merr frenat e lojës në dorë, duke ushtruar presion të vazhdueshëm në zonën e ukrainasve, që tentojnë të kundërpërgjigjen me aksione të shpejta, por pa sukses.

5′ Portieri Busçan eviton një gol të sigurt, duke ndalur gjuajtjen e Dumrai brenda zonës. Goditje nga këndi për Holandën.

2′ Ndeshja nis në mënyrën më të mirë të mundshme, me sulme dhe kundërsulme të shpejta nga të dyja krahët. Depaj lëshon kërcënimin e parë, gjuajtja e tij ndalet nga portieri Busçan.

1′ Starton sfida!

Related posts

Anderlecht ”peshkon” në Shqipëri, talenti i Besës drejt Belgjikës

Isa.Autor

Imami përshëndetet me Kukësin, ka edhe një mesazh falënderues

Sadik.Autor

“THE SUN” PUBLIKON LISTËN/ Shifra të çmendura të sportistëve, shikoni sa fiton McGregor për 7 sekonda

Delo.autor

Leave a Comment