Futboll Sport

NGA PAGËZIMI TEK SKUADRA E JETËS/ 50 hijet e Mancinit, historia e njeriut që ringriti “Axurrët”

Roberto Mançini mund të duket një personazh i thjeshtë, por nëse hyjmë në rrënjët e tij, që nga vendlindja, karriera si futbollist e deri te njeriu që ringriti nga hiri Italinë, e cila u dramatizua nga mosmarrja pjesë në Botërorin “Rusi 2018”, duhet kaluar nëpërmjet 50 hijeve që fsheh figura e trajnerit aktual të “Axurrëve”.

1) Origjina – Roberto lind në Jesi (provincë e Ankonës), qyteti i skermës (specialitet italian) dhe i medaljeve të arta olimpike, njësoj sikur ikona si Stefano Çerioni, Xhovani Trilini, Valentina Vecali etj.

2) Datëlindja 1964 – Njësoj si kampionë të tipit Xhanluka Viali, Majkëll Laudrup, Marko van Basten, Jyrgen Klinsman, Toto Skilaçi…

3) Imazhi i zonës së Markes – Një vlerësim të tillë e kanë pasur edhe Dastin Hofman, Valentina Vecali, Valentino Rosi, Vinçenco Nibali etj.

4) 1624 ndeshje – Roberto Mançini ka luajtur 800 ndeshje në rang klubesh, 36 me kombëtaren dhe 26 për U-21. Ndërkohë, si trajner numëron 730 ndeshje në pankinë dhe 32 si tekniku i kombëtares. Jo keq për një 56-vjeçar, ndonëse 40 prej viteve të tij i ka kaluar në futboll. Duke hequr pauzat mes ditëve në fushë dhe pushimeve të verës, bëjnë pak a shumë një ndeshje çdo 8 ditë.

5) 208 gola – Karriera e tij flet: 9 me Bolonjën, 171 me Sampdorian, 24 me Lacion dhe 4 me kombëtaren e Italisë.

6) Këmba e preferuar – E djathta. Me të majtën numërohen vetëm një grusht i vogël golash në periudhën e Sampdorias.

7) Trofetë si lojtar – 2 tituj kampion (Sampdoria 1991 dhe Lacio 2000), 6 Kupa Italie (Sampdoria 1985, 1988, 1989, 1994 dhe Lacio 1998 e 2000), 2 Superkupa Italie (Sampdoria 1991 dhe Lacio 1998), 2 Kupa Kupash (Sampdoria 1990 dhe Lacio 1999) dhe 1 Superkupë Europe (Lacio 1999).

8) Trofetë si trajner – 4 tituj kampion (Inter 2006, 2007, 2008 dhe Mançester Siti 2011), 4 Kupa Italie (Fiorentina 2001, Lacio 2004, Inter 2005 e 2006), 2 Superkupa Italie (Inter 2005, 2006), 1 Kupë Anglie (Mançester Siti 2011), 1 Superkupë Anglie (Mançester Siti 2012) dhe 1 Kupë Turqie (Gallatasaraji 2014).

9) Në Murin e Famës – Nga viti 2015 është pjesë e historisë së futbollit italian në kategorinë e trajnerëve, së bashku me Lipin, Sakin, Trapatonin, Kapelon, Ançelotin, Ranierin, Banjolin, Alegrin e Maconen.

10) Çmimi – 500 mijë lireta. Kaq ishte vlerësimi i tij i parë, paguar nga Bolonja për ta shkëputur nga Aurora Jesi, ende pa mbushur moshën 14-vjeçare.

11) Lëkura e dytë – Bluzën me numër 10 e veshi që në shkollë të mesme dhe për të mos e hequr kurrë më nga shpatullat.

12) Pagëzimi – Don Roberto Vigo, prifti i San Sebastianos në Jesi, ku ndodhej edhe selia e klubit të Aurorës, klubi i parë i Mançinit, tregoi se herën e parë e pa Roberton të luante me bluzën numër 10 në ditën e pagëzimit. Dhe po atë ditë shënoi dy golat që shmangën humbjen e Aurorës.

13) Italia e Bashkuar – Don Vigo, pasi martoi prindërit e Robertos, Aldo e Mariana, martoi edhe Mançinin me bashkëshorten e tij të parë, Federika Moreli në Kuarto, pikërisht në shkëmbin nga ku Garibaldi nisi 1000 trimat e tij për çlirimin e Italisë.

14) Esenca e 10-ës – “Magjia e numrit 10 është ajo që lind nga këmbët e trekuartistit, lojtari fantazist, ai i zoti që dinte me një gjest atletik të mahniste të gjithë, ndoshta edhe pa e ditur se nga doli ajo goditje”, ishte përkufizimi i Roberto Mançinit në tezën e tij për kursin e trajnerit.

15) Shkollimi – Ndaj numrit 10 dhe rolit të trekuartistit (lojtarit që luan pas dy sulmuesve) dedikohet e gjithë teza e studimeve si trajner e Roberto Mançinit, në superkursin që ai kreu dhe e mbylli me rezultate maksimale në sezonin 2000-2001, në Koverçano. Në evoluimin e rolit në fjalë ai citon njerëz si Platini, Maradona, Baxho, Pirlo, Rui Kosta, Veron, Sedorf, Zidan. Por, asnjëherë veten…

16) Dhuntitë e nr. 10 – – “Kapacitet për t’u çmarkuar;

– Cilësi të mëdha teknike bazë dhe cilësi teknike përshtatshmërie;

– Paparashikueshmëri;

– Kapacitet për të dërguar në gol në mënyrën më të papritur të mundshme sulmuesit e ekipit;

– Të jetë i predispozuar gjithmonë për driblimin një kundër një dhe për goditjen apo zgjedhjen individuale të momentit;

– Të jetë skarco në detyrat defensive”. Gjithmonë në të njëjtën tezë për trajner, ajo që godet më shumë lidhur me cilësitë e numrit 10 është mbyllja: “Të vrapojë gjithmonë ai pas kundërshtarëve dhe jo kundërshtarët pas tij”.

17) Talent i parakohshëm – Debutimi i tij në Serinë A ndodhi shumë shpejt: Bolonja-Kaljari 1-1 më 13 shtator 1981, kur ishte vetëm 16 vjeç, 9 muaj e 7 ditë, ndonëse një muaj më parë kishte debutuar gjithashtu në Kupën e Italisë. Mançini në atë ndeshje hyri në minutën e 73-të, në vend të Fiorinit. Trajneri i skuadrës: Burgnik!

18) Rroga e parë – Te Bolonja, edhe pse adoleshent, dhe çfarë rroge (për kohën): 90 mijë lireta neto, plus shpenzimet personale.

19) Goli i parë – 4 tetor 1981: Komo-Bolonja, java e katërt e Serisë A, 2-2. Mançini që kishte hyrë në vend të Çiorit, pas një krosimi të Njumanit gjen golin e 2-2, me të majtën, teksa Xhuliani doli më kot për të tentuar ta ndalojë.

20) Skuadra e jetës – Paolo Mantovani, presidenti i Sampdorias, arriti të djegë Juventusin, duke bindur Bolonjën dhe Mançinin që të vishej blu në 1982 për shifrën e 2.5 miliardë liretave, plus kartonët e Galdiolos, Logozos dhe Rozelit, por edhe huazimin e Brondit. Shifra e çmendur e shpenzuar, por edhe kontrata 4-vjeçare në rritje (40 milionë lireta vitin e parë, më pas 68, 80 dhe 100 milionë) ngritën shumë polemika për periudhën në fjalë.

21) Babai i dytë – Paolo Mantovani (ish-presidenti i Sampdorias) ishte i vendosur që Viali dhe Mançini të kishin të njëjtën rrogë, ndonëse gjatë gjithë bashkëjetesës së tyre, si Xhanluka ashtu edhe Roberto kishin dyshime se dikush prej tyre merrte ndonjë premio më shumë nën tavolinë nga klubi.

22) Rojtarë – Si rojë të vilës së tij, Paolo Mantovani kishte dy qen: Lukën (për Xhanluka Viali) dhe Roberton (për Roberto Mançini).

23) Golat më të bukur – 18 nëntor 1990, sezoni i titullit, Napoli-Samp 1-4. Sampdoria mundte Napolin e Maradonës në “San Paolo” me dy gola të Vialit dhe dy të Mançinit. Goli i 1- 4 ishte me të djathtën, gjuajtje e fortë fluturimthi në hyrje të zonës, pas një krosimi në shpejtësi të Lombardos nga e djathta.

17 janar 1999, Parma-Lacio 1-3, goditje këndi nga e majta e Mihajloviçit, me Mançinin që në shtyllën e parë me shpatulla nga porta instinktivisht vendos të godasë sferën me thembër duke dërguar topin poshtë traversës së mbrojtur nga Xhanluixhi Bufon.

24) Ujk i natës – Eksperienca e tij në kombëtare u kushtëzua nga një start negativ. I thirrur për turneun në SHBA nga Berzot, në Nju Jork, Mançini së bashku me Tardelin e Xhentilen vendosin të dalin fshehurazi për të shkuar te “Studio 54”, duke qëndruar deri në 6 të mëngjesit. Berzot e kishte vënë re dhe nuk ia fali, duke mos e thirrur më derisa ishte ai në drejtimin e Italisë, së bashku me Tardelin dhe Xhentilen.

25) Pengje – Talent i kristaltë dhe gjenial, “Diamanti” i U21, por që në kombëtare nuk arriti të shpërthente kurrë. Në të gjithë vitin 1988 shënon vetëm një gol, në Europianin e Dyseldorfit, pikërisht ndaj Gjermanisë Perëndimore. Me të shënuar, vrapoi me egërsi poshtë tribunës së gazetarëve duke lëshuar ofendime ndaj tyre.

26) Net magjike – I përkëdheluri i Viçinit, por papritur krisi çdo marrëdhënie me trajnerin e kombëtares. Teksa kishte përfunduar në morsën “tërhiq e mos e këput” mes Xhaninit, Baxhos e Skilaçit, nuk do të luajë asnjë minutë të vetme në Botërorin “Italia ‘90″. Netët magjike të Mançinit erdhën sezonin tjetër, me titullin e fituar me Sampin.

27) Pendimi – Refuzoi grumbullimin e Sakit për në “USA ‘94″, duke e pranuar menjëherë më pas e deri më sot gabimin e bërë.

28) Tifozllëk – Nën presionin e magazinierit Klaudio Bosotin, Mançini kërkoi ndryshimin e emrit të stadiumit “Luixhi Ferraris”, ndonëse stadiumi si emër të parë ka “Marasi”, në nder të ish-kapitenit të Xhenoas, në fillimin e shekullit të kaluar, i cili ishte vrarë më pas gjatë luftës së parë botërore. Me këtë dalje shkaktoi një kaos të madh diplomatik, duke tërbuar edhe presidentin e tij, Mantovani.

29) Sherre – Viali e Mançini ankoheshin shpesh në stërvitje për pasime dhe lëvizje që vendosën të quheshin “Mançini” e “Viali” dhe jo “Roberto” e “Luka”. Pas kësaj do të nisnin dy javë sherre mes dy yjeve të Sampdorias, me deklarata të hapura edhe në media, teksa për t’i dhënë fund kësaj lufte ndërhyri Valter Zenga. Ish-portieri i mblodhi të dy në mënyrë surprizë në një klub brenda ambienteve të Koverçanos, duke vendosur paqen pas një thirrjeje në kombëtare.

30) Pa frena – “Unë mendoj se pas atij rasti duhet të ishin hapur dyert e hekurta që ultrasit të hynin në fushë dhe të rrihnin arbitrat”. Kjo dalje e fortë kundër arbitrave e Mançinit ka mbetur në histori, pas ndeshjes Atalanta-Samp 1-0, ku si objektiv kishte gjyqtarin Boski, të dielën e 18 janarit 1987. Për këtë frazë Viçini vendosi ta dënonte, duke mos e thirrur në kombëtare.

31) I furishëm – “Hajde luaj tij!”, i drejtohej Mançini Paolo Mantovanit nga fusha, duke hequr shiritin e kapitenit, pasi kishte shfryrë dhe ofenduar për 3 minuta me radhë ndaj arbitrit Niki për një penallti të mohuar. Kjo i kushtoi kartonin e kuq në minutën e 34-t, më 5 nëntor 1995, në Sampdoria-Inter 0-0. Manço dënohet me 6 ndeshje pezullim që më pas u ngushtuan në katër.

32) I tërbuar – Finalja e Champions-it, Sampdoria-Barcelona 0-1 (20 maj 1992): Mançini nis një ndjekje ndaj arbitrit Shmid’huber, duke e ofenduar keq dhe merr 5 ndeshje skualifikim nga UEFA.

33) Pabarazi – “Po shko arbitro Juven dhe Milanin”. Si trajneri i Interit, Mançini nuk e kishte humbur vesin e shpërthimeve, duke shtuar edhe Trefolonin në listën e tij, pas një Lacio-Inter 1-1, sezoni 2004-2005. Dy ndeshje pezullim!

34) Vlerësim – “Doveri kundër nesh nuk gabon kurrë asnjë vendim”, u shpreh Mancini, trajner i Interit, pas një sfide Inter-Sasuolo 0-1, sezoni 2015-2016.

35) Trajnerët e tij – Në karrierën 20-vjeçare si futbollist (1981-2001) ata që patën fatin të stërvitnin Mançinin ishin: Marino Perani, Romano Folji, Tarçizio Burgnik, Franko Liguori, Renco Ulivieri, Azeljo Viçini, Enco Bearzot, Euxhenio Berselini, Vujadin Boshkov, Narçizo Pezoti, Sven Goran Erikson, Arrigo Saki.

36) Marrëdhënie humane – “Ishim mësuar me kazermën e rreshterit Berselini. Me Boshkovin po na duket sikur kemi rilindur, pasi dëfrehemi edhe në stërvitje, edhe në ndeshje”. Nëse nuk do të kishte ardhur Boshkov te Sampi në 1986-ën, Mançini do kishte kërkuar largimin.

37) Pauza – “Roberto luan gjysmë ore si fenomen dhe më pas i fut një gjumë. Më pas ops, papritur zgjohet dhe luan sërish 20 minuta të tjera drithëruese”, thoshte Vujadin Boshkov.

38) Menaxher – Një vit përpara se të largohej nga futbolli, Mançini vendosi të punonte paralelisht edhe si drejtues, përkrah presidentit Kranjoti te Lacio. Me xhaketë, kravatë dhe valixhe, ishte ai që në verën e vitit 1999, ndonëse ende lojtar, mbylli me Piaçencën tratativën për të sjellë Simone Inzagin te Lacio. Dhe në vitin e fundit të karrierës fitoi titullin kampion, në 2000.

39) Shkëndija – Edhe pse me role dytësore, Mançini ishte një njeri shumë i pushtetshëm, i fortë për faktin se menaxhohej nga kompania “Gea” e Luçiano Moxhit, por edhe marrëdhëniet e ngushta me bankierin Çezare Geronzi bënë që ai në hapin e parë të karrierës të katapultohej direkt si trajner i parë i Fiorentinës, pasi kishte qenë asistent i Eriksonit te Lacio. Këtë post Mançini e mori duke bërë presion te presidenca vjollcë: “Shkarkoni Terimin dhe ma jepni mua stolin, ndryshe harrojini paratë nga bankat apo edhe futbollistët që pëlqeni, që ka nën menaxhim ‘Gea’”. Kjo prapaskenë, pasi u mësua në të gjithë rrethin e trajnerëve italianë, u dënua ashpër nga Viçini, Lipi, Ulivieri dhe shumë trajnerë të tjerë. Madje, Agropi shkoi edhe më tej duke i vënë pseudonimin “I rekomanduari i të fortëve!”

40) Pa pushim – Ndryshe nga shumë kolegë të tijtë, të cilët kishin si parim kontratat e gjata, që edhe në rast shkarkimi të paguheshin edhe duke bërë një vit të plotë pushime, Mançini si trajner nuk ka marrë asnjë vit pushim, përveç një pauze pas eksperiencës me Interin, duke kaluar nga një skuadër te tjetra pa pushim. “Në vend nuk di të qëndroj”, thoshte Roberto pas kalimit nga lojtar në trajner.

41) Ka luajtur me… – Bolonjën (1981-1982), Sampdorian (1982-1997), Lacion (1997-2000), Lestër Sitin (2001).

42) Perëndimi – Te Lestëri në fillim të vitit 2001 luajti vetëm 4 ndeshje, pa shënuar, pasi i kishte dhënë lamtumirën futbollit të luajtur në Itali dhe pasi ndërpreu eksperiencën si ndihmës i Eriksonit te Lacio. Pas kësaj, menjëherë u katapultua në stolin e Fiorentinës.

43) Trajner/Lojtar – Përveç talentit si futbollit, Mançini etiketohej edhe si “trajner në fushë”. Janë të shumta episodet kur ai diskutonte ashpër me trajnerët e tij, ku më e famshmja është ajo në një Bari-Sampdoria 1-1, në sezonin 1991-1992. Mançini diskuton ashpër me Boshkovin, proteston për dispozitat taktike dhe zëvendësimet e kryera. Boshkov, pavarësisht momentit, jo të bukur nuk e zëvendëson, ndonëse Mançini e kërkoi, duke e tërbuar edhe më shumë Roberton.

44) Ka drejtuar… – Fiorentina (2001-2002), Lacio (2002-2004), Inter (2004-2008), Mançester Siti (2009-‘13), Gallatasaraji (2013-2014), Inter (2014-2016), Zenit (2017-2018), kombëtaren italiane (nga maji 2018 e deri më sot). Është trajneri i 53-të i historisë së kombëtares së Italisë. 20 vjet si futbollist dhe 20 vite si trajner.

45) Pa kafshuar gjuhën – “Sarri është një racist, burra si ai nuk duhet të jenë pjesë e futbollit. Përdori fjalë raciste fillimisht, ndërsa më pas më tha ‘pederast’. Do të isha krenar të isha i tillë, nëse ai është vërtet burrë. Nga një si ai që është 60 vjeç dhe nuk e pranon, duhet vetëm të ketë turp”. Mançini shfryn ndaj Sarrit në përfundim të Napoli-Inter 0-2, çerekfinalet e Kupës së Italisë, në janar 2016.

46) Trashëgimi – “Unë për Totin kam pasur gjithmonë një dobësi. Kemi mbajtur mbi shpatulla të njëjtin numër dhe magjitë e tij ishin të miat. Kur nisa ta ndiqja, shihja tek ai veten time”, shprehej Mançini, pas lamtumirës së Totit nga futbolli.

47) Informim zero – “Unë nuk shoh asgjë, nuk lexoj gazeta, nuk dëgjoj radio dhe aq më pak ndjek kanale private. Ah, më falni, ndonjë film porno ia lejoj vetes…”, Mançini i përgjigjej kështu një pyetjeje mbi problemet e Interit me Mauro Ikardin.

48) Shalli – Shalli u transformua menjëherë në simbolin e elegancës të Mançinit. Mes disave prej tyre, më e veçanta ishte një në periudhën e Interit, në të cilin shkruhej “Ati ynë” në 10 gjuhë të ndryshme. Në periudhën e Sitit u shkaktua një bum shitjesh për shallin e tij me ngjyrat bardhekaltër të klubit. Por, edhe në kohën e Zenitit, vendosi të zgjidhte një shall që për nga ngjyrat mbartte një mesazh politik, që ndiqnin tifozët e klubit nga Shën Pjetërburgu.

49) Ops! – “Kombëtarja italiane duhet të jetë… italiane. Unë mendoj se në kombëtare duhet të luajnë vetëm italianët, jo disa të tjerë që vetëm se kanë pasur stërgjyshërit italianë mund ta kenë të drejtën e veshjes së kësaj fanelle. Kush nuk ka lindur në Itali, nuk mendoj se e meriton bluzën e kombëtares.

Nëse Konte e mendon ndryshe, është punë për të, por unë e mendoj ndryshe”. Me këto fjalë Roberto Mançini shprehej më 23 mars 2015, kur drejtonte Interin, në një takim mes arbitrave, kapitenëve dhe trajnerëve të Serisë A. Por, me sa duket, pas tri vitesh ai ka ndryshuar mendim, duke qenë se nga maji 2018 e deri tani ka grumbulluar në skuadër lojtarë të natyralizuar si Zhorzhinjo, Emerson Palmieri e Toloi.

50) “Rock & Roll” – “Mançini është pa dyshim një person me bo… Nervozohet, ulërin, lufton. E vërteta është që më mungon pak. Për mua është më e lehtë që Mançini të rikthehet te Siti, sesa që grupi Oasis të ribashkohet”, shprehej Noel Gallager, rokeri dhe tifozi i deklaruar i Mançester Sitit.

Related posts

LIVE/ Premier League: Mbyllet ndeshja Manchester City-Aston Villa. Rezultati 2-0

Delo.autor

NË PRAG TË NDESHJES NDAJ EMPOLIT/ Gattuso karikon ekipin: Ndeshje të lehta nuk ekzistojnë, ndaj…

Delo.autor

El Clasico, Ronaldo dhe Alba mungojnë në stërvitjet e skuadrave të tyre përkatëse

Delo.autor

Leave a Comment