Futboll Sport

PORTUGALI-FRANCË/ “Gjelat” heshtin në 45 minutat e para, tek portugezët “këndon” Ronaldo

Në grupin F do të luhet sot akti i fundit. Teksa Gjermania e ka më të lehtë teorikisht me Hungarinë, Portugalia dhe Franca luajnë për biletën e fundit për 1/8-at. Nëpër Europianë ka ndodhur tri herë që këto dy kombëtare të përplasen, e nëse në finalen e 2016-ës triumfuan luzitanët, në dy ballafaqimet pararendëse (dy gjysmëfinale) kanë qenë “Gjelat” që kanë shijuar suksesin. Aktualisht, francezët janë të parët më 4 pikë, teksa Hungaria mban vendin e fundit me 1 pikë. Respektivisht e dyta dhe e treta janë Gjermania dhe Portugalia me këtë të fundit që do të duhet të fitojnë për të mos pasur surpriza.

MOMENTI – Franca vjen nga një barazim i befasishëm ndaj Hungarisë (1-1), që kaloi e para në avantazh me Fiolan dhe teksa baraspeshën e vendosi Grizmani. Një pengesë e papritur, e cila i detyron djemtë e Deshampit të djersitin sot në 21:00 për kualifikimin pas fitores debutuese kundër Gjermanisë. Portugalia duhet të gjejë forcën për të rifilluar pas disfatës kundër “Pancerave”. Shuplakë e rëndë 4-2 me protagonist absolut Robin Gosensin. Në ndeshjen hapëse, njerëzit e Fernando Santoshit kishin kaluar jo me pak lehtësi Hungarinë, por sot do të jetë momenti i së vërtetës.

ECURIA – Portugalia ka luajtur 8 nga 9 ndeshjet e fundit në transfertë dhe ka mundur të fitojë shtatë prej tyre. Ronaldo me shokë kanë mbetur pa shënuar në vetëm një nga 18 daljet e fundit. Franca ka një ecuri më të mirë kur luan si ekip pritës, megjithatë vështirësia e Mbapesë me shokët është në 45 minutat e para gjatë të cilave nuk arrijnë të shënojnë siç e kanë vërtetuar në 6 nga 7 ndeshjet e fundit zyrtare në një Europian. “Gjelat” zhbllokohen në pjesën e dytë kur kanë shënuar edhe 16 nga 20 golat e fundit.

SHIFRAT – Historiku i këtij dueli regjistron 27 precedentë midis Francës dhe Portugalisë, me bilancin që anon lehtësisht në favor të transalpinëve: 19 fitore kundër 6 humbjeve, me dy barazime për të kompletuar tablonë. Por, një nga disfatat e pakta ishte shumë e rëndë për Francën: finalen (në shtëpi) të “Euro 2016”, 1-0 për Ronaldon dhe shokët e tij të skuadrës falë golit të Ederit në kohën shtesë. Para kësaj sfide portugezët kishin fituar vetëm në ndeshje miqësore, teksa për të gjetur një sukses në takim zyrtar duhet të kthehemi pas në kohë në marsin e vitit 1978. Pas finales së Kampionatit të fundit Europian, të dyja ekipet kombëtare u takuan dy herë në Ligën e Kombeve: 0-0 në 11 Tetor 2020 dhe 1-0 për Francën në 14 Nëntor, me një gol nga Kantesë që shënonte në fillim të pjesës së dytë. E mërkura do të jetë sfida e katërt në Kampionatin Europian, duke marrë parasysh edhe gjysmëfinalet e edicioneve 1984 dhe 2000 kur në të dy rastet Franca kualifikohej dhe gjithmonë në kohë shtesë. Shkurtimisht: ajo mes dy ekipeve kombëtare në këtë garë është një histori e pafund.

Related posts

MOMENTE GAZMORE/ Mesfushori Asani e “pëson” nga miku i tij, ja çfarë i ndodh… (VIDEO)

Delo.autor

PARA DERBIT KRYEQYTETAS/ “Fanaticsat” futen në fushë dhe i japin “zemër” skuadrës (FOTO+VIDEO)

Delo.autor

Cristiano Ronaldo GODET kameramanin dhe më pas i jep fanellën dhuratë (VIDEO)

Sadik.Autor

Leave a Comment