Futboll Sport

ANALIZA NGA ANTONIO CONTE/ Italia e meritoi finalen, pa frikë kundër Anglisë

Italia është me meritë finaliste. Një ndeshje mund të fitohet ose humbet edhe për arsye episodike, por ata që e njohin futbollin e dinë se sa punë ka pas serisë së gjatë të rezultateve pozitive dhe arritjes në këtë finale europiane kanë rrënjë të thella. Nga ana tjetër, futbolli ynë ka qenë gjithmonë i përbërë nga studimi, aplikimi dhe njohuria. Do të ketë një arsye pse në turnet e mëdha pothuajse gjithmonë kemi shkuar deri në fund të rrugës. Italia mbetet një garanci. Historia jonë e thotë.

Qarkullimi spanjoll është sinonim rrezikshmërie… Luis Enriken e respektoj si trajner dhe si njëri, por gjykimi im për Itali-Spanjë nuk është aq entuziast sa kam lexuar lart e poshtë. Këto ditë është folur shumë për mbajtje topi dhe dominim, por çfarë nënkuptohet me dominim dhe cili është thelbi? Për mënyrën se si e shoh unë, dominimi duhet të sjellë raste dhe gola e nga kjo pikëpamje dominim spanjoll ndaj Italisë nuk ishte kaq i dukshëm. Nëse qarkullimi i topit nuk shndërrohet në hapje loje nëpër korsi apo në vertikalizime, atëherë quhet steril.

Duhet parë përtej statistikave dhe të vlerësohet se sa e rrezikshme është një skuadër në mbajtjen e saj të topit. Gruaja e tjetrit jo gjithmonë është më e bukur… Trajnerët italianë janë ndër më të kompletuarit në botë dhe dinë të transmetojnë njohuritë e tyre. Ndërtimi i aksionit duke nisur nga mbrojtësit, shfrytëzimi i qarkullimit për të vertikalizuar, presingu agresiv dhe rreziku në duelet një kundër një, janë disa nga aspektet më të cilat Italia është përmirësuar.

Gruaja e tjetrit thuhet se është më e bukur, por jo gjithmonë ama. Kjo metaforë vlen, por edhe vjen si pasojë e përmirësimit që ka pasur lëvizja futbollistike italianë në tërësinë e saj. Sidoqoftë, këto cilësi nuk mjaftojnë, sepse si në jetë, ashtu edhe futboll, për t’ia dalë mbanë duhet të dish të bësh gjithçka. Leximi i lojës është kriteri bazë, sepse ka momente kur duhet të sulmosh e ka të tjera kur mund të presësh rivalin të zbulohet.

Diferencën e bëjnë zgjedhjet, të cilat mundësojnë hapjen e ekipeve, krijimin e hapësirave dhe sulmimin e pikave të dobëta. Kam vënë re se shpesh për të përshkruar një aksion ofensiv mjaftohen me fjalën “kundërsulm”, por ky term duhet të përdoret vetëm kur t’i vjedhur topin rivalit dhe të mundohesh ta sulmosh. Nëse topin e ke vetë, atëherë nuk kemi të bëjmë me kundërsulme, por me ndërtim manovre që mund të nisë nga portier, mbrojtësit, mesfusha, por edhe nga gjysmëfusha kundërshtare nëse rivalët qëndrojnë shumë të tërhequr.

Dy faza, tri momente

Në futbollin modern, një trajner duhet t’i mësojë skuadrës tri faza në dy momente, që janë ai me top dhe ai pa top. Lojtarët kanë për detyrë ta kuptojnë si koncept e më pas ta vendosin në praktikë. Momenti i mbajtjes së topit përfshin tri lloje të ndërtimit të manovrës që mund të jetë nga prapavija, e mesme dhe në gjysmëfushën rivale. Momenti pa top, parashikon presionin agresiv, mesatar dhe bllokimin e hapësirave në gjysmëfushën tënde. Kombëtarja jonë ka treguar se i njeh të gjithë këta hapa. Kjo është një nga arsye që na bën të kompletuar. Ndeshja me Spanjën nuk duhet të na lërë ndjesinë që patëm fat, por duhet të na ndërgjegjësojë që ishim më të fortë. Për të fituar, sigurisht, nuk mjaftojnë njohuritë, sepse cilësia e lojtarëve është ajo që luan një rol thelbësor. Në të kaluarën, nuk kemi qenë fort të predispozuar për të bërë presing, pasi ishim me mendimin se kishte më shumë rreziqe sesa përfitime, por sot jemi përmirësuar shumë në këtë drejtim. Italia është një kockë e fortë, sepse është vështirë ta kapësh papërgatitur, nuk dhuron hapësira e të detyron gjithmonë që të bësh zgjedhje të ndërlikuara.

Muri prapa si pikë e fortë

Me gjithë respektin e duhur për të gjithë lojtarët e tjerë, forca e Italisë përfaqësohet sot nga treshja DonarumaBonuçi-Kielini. Të tre së bashku i japin siguri të gjithë ekipit. Unë e konsideroj Donarumën si një nga portierët më të mirë në botë: vendimtar në portë, guximtar në daljet e tij dhe i aftë në lojën me këmbë. Për Bonuçin dhe Kielinin, çfarë të them? Përkundër një mijë betejave, ata ende nuhasin gjakun. Mentaliteti fitues, përvojë, karakter, forcë. Sa i përket menaxhimit të momenteve janë dy lojtarët absolutë në rolin e tyre.

Ekipi fitues nuk duhet ndryshuar

Diskutohet nëse është e përshtatshme të bëhen ndryshime në formacion ose në skemë. Mançini nuk ka nevojë për sugjerime, por në këtë pikë nuk ka as arsye. Ka mekanizma që funksionojnë dhe në ekipin kombëtar nuk ka kohë për të studiuar shumë alternativa. Skuadra e gjen veten me më së miri në këtë shtrirje taktike. Nga ana tjetër, nuk jam dakord me kritikat ndaj Imobiles, sepse bën punë të padukshme, shqetëson gjithmonë dy qendërmbrojtësit rivalë dhe e sulmon mirë hapësirën. Përtej golave, shokët e tij të skuadrës e shfrytëzojnë punën e tij. Ideja e një nëntë false për Italinë nuk më duket e përshtatshme. Insinje nuk i ka ato karakteristika, do të ishte diçka jashtë natyrës tonë. Dhe për më tepër, do ta gjenim veten me pak pika referimi në zonën kundërshtare.

Respekt po, frikë jo

Anglia është një skuadër e fortë, me shumë shigjeta në harkun e saj, duke filluar me treshen e sulmit. Anglezët, në korsitë anësore janë gjithashtu të rrezikshëm sepse synojnë të të driblojnë ndërkohë që spanjollët nuk kishin turp të pasonin edhe prapa. Driblimet, diagonalet ofensive dhe mbivendosjet janë specialitet jo vetëm i Sterlingut, por edhe i Sakas, Fodenit, Sanços dhe Grilishit. Pastaj është edhe Kejn që luan për skuadrën dhe me skuadrën, siç e vërtetoi në golin e parë anglez kundër Danimarkës. Si trajner, do ta mbaja gjithmonë në majën e sulmit, ndërkohë që Anglia ka në mesfushë lojtarë si Rajs e Filips që kanë forcë, por japin edhe ekuilibër. Ndoshta vertikalizojnë pak, por janë lojtarë që luajnë thjeshtë. Pika e dobët angleze mendoj se është faza mbrojtëse nëse sulmohen vazhdimisht sepse nuk kanë aftësinë e Spanjës për të shmangur presingun.

Efekti “Wembley”, thikë me dy presa

Anglia ka një jetë që e pret këtë finale pre, aq më tepër që suksesi i vetëm është ai i vitit 1996 dhe ishte Botëror. Tifozët mund të jenë ndihmë siç ndodhi pasi Anglia u gjend në disavantazh me Danimarkën, por edhe peshë sepse “Wembley” të mbingarkon me trysni. Ne do të kemi më pak mbështetje në tribuna, por më shumë përvojë në fushë sepse e dimë se si luhen finalet. E aq më tepër, e dimë se si fitohen.

Related posts

PAS KONFLIKTIT ME MOURINHON/ Manchester United nuk lejon mesfushorin francez të largohet në…

Isa.Autor

KËRKON TË FITOJË TROFEUN E PARË SEZONAL/ Guardiola: Surprizat nuk mungojnë kurrë

Delo.autor

“US OPEN”/ Grand Slam me surpriza, ja tenistet që sigurojnë fazën çerekfinale

Delo.autor

Leave a Comment