Futboll Sport

ANGLI-DANIMARKË/ Sa shumë ngjashmëri mes ekipeve, cilësia e “3 Luanëve” kundër surprizës daneze

Ky Europian ka ofruar disa histori të bukura, por ndoshta çmimin për më të mirën, deri tani, duhet t’ia japim Danimarkës pas asaj që ekipi tregoi pas dramës “Eriksen”. Grupi ka fituar vetëbesim dhe qetësi e në fushë luan si i barabartë ndaj cilitdo. Nuk është rastësi sepse po të shikoni emrat që përbëjnë formacionin danez, kuptoni se të gjithë militojnë në kampionatet më të rëndësishme europiane.

Dolberg nuk ka pasur një sezon mahnitës te Nisa, por mbetet një nga prodhimet më të mira ofensive të akademisë së Ajaksit në vitet e fundit, teksa Breithueit jo më kot luan te Barcelona. Damsgard është ylli më i ri që po shkëlqen të Sampdoria, ndërsa Delanej, me koleg reparti Hojberg (akademia Bajern) është realitet i mesfushës së Borusias.

Prapavija gjithashtu ka elementë cilësorë, si Striger Larsen që ka shumë përvojë me Udinezen në Serinë A dhe Simon Kjaer që pak nevojë ka për prezantim. Kasper, si babai i tij Peter Shmajkëll, po përjeton një përrallë në Europian, por edhe ky gardian na ka mësuar me përrallat e tij te Lestëri. Anglia, ndërkohë, është e stërmbushur me yje. Jo më kot skuadra e Sauthgejtit vlen mbi 1 miliard euro, teksa të gjithë janë kampionë të konsumuar ku, çuditërisht, vetëm Herri Kejn është ndër të paktët që nuk ka fituar kurrë trofe, së bashku me Rajs e Filips, të cilët, përpos cilësisë, janë ngjitur në skenën e rëndësishme, në sezonet e fundit.

TAKTIKISHT – Danimarka shtrihet në fushë me 3-4- 3. Trajner Hjulmand nuk është dogmatik i moduleve dhe ka shpjeguar në më shumë se një rast se kjo skemë përqaset më së miri me karakteristikat e individëve të tij. Delanej dhe Hojber përbëjnë digën e mesfushës, por janë po ata që menaxhojnë ekuilibrin ekipor me dublime në fazë mbrojtëse dhe zbritje të kombinuara në atë sulmuese. Anësorët Mehle dhe Striger Larsen gjithashtu duhet të alternohen kur ekipi sulmon, e teksa Dolberg ofron një terminal ofensiv, Damsgard dhe Breithueit janë respektivisht fantazia dhe shpejtësia e Danimarkës në sulm, por edhe mbrojtësit e parë në fazën pa top.

Në fakt, Damsgard është ai që rrëshqet më shpesh në vijën e mesfushorëve për të impostuar skuadrën në 4-4-2 kur duhet të mbrojë, teksa Dolberg (ose sulmuesi tjetër) duhet të “ruajë” organizatorin rival siç shihet në foton ilustruese numër 1. Anglia ka kaluar nga 4-3-3 në fillim të “Euro”- s, por ka testuar edhe 3-5-2. Rezultati? Ashtu si shumica e trajnerëve në vitet e fundit, edhe Sauthgejt është zhvendosur te 4-2-3-1.

Filips-Rajs garantojnë mbulim, ndërsa Uoker dhe Shou në korsitë anësore suport të mjaftueshëm. Kejn pret shërbimet e Sterlingut, i cili deri më tani ka ndikuar në pesë gola të ekipit (asiste + realizime). Mbrojtja nuk ka nevojë për shumë përshkrim pasi me rikthimin e Meguajërit në formacion dhe bashkëpunimin e tij me Stonsin, porta nuk është prekur kurrë. Dyshja e qendrave nga Mançesteri janë edhe organizatorët e parë të manovrës, siç e dëshmon edhe fotografia ilustruese numër 2.

GODITJET STANDARDE – Duke pasur shumë shtatlartë në ekipet respektive, Kasper Hjulmand dhe Garet Sauthgejt nuk duan të humbin shanse të vyera që mund të krijohen si pasojë e goditjeve standarde. Në sulm, Danimarka popullon zonën minimalisht me 6 lojtarë që bëhen 7 ose 8 në goditjet këndore.

Rrezik i madh duke lënë hapësirë për kundërsulme, por edhe fryte të rëndësishme siç e konfirmon goli i Delanej ndaj Republikës Çeke që erdhi pikërisht në zhvillimet e një këndoreje. Kur i duhet të mbrojë në këto dinamika, Hjulmand ka dhënë urdhër që mbulime direkt të ketë sulmuesi kryesor i ekipit rival, ndërsa markimet e tjera të bëhen me zonë.

Disi ndryshe në këtë aspekt Anglia që zgjedh të mos mbulojë askënd këmba këmbës. Sa i përket anës ofensive të goditjeve standarde, anglezët vendosin pesë lojtarë në zonë. Kjo, jo për frikë, por për mënyrën e ndërtimit të aksionit pasi shpesh “Tre Luanët” zgjedhin t’i zhvillojnë goditjet standarde me dy prekje e shumë fantazi.

Related posts

Starton Champions League/ Tottenham dhe PSV kërkojnë fitoren e parë

Isa.Autor

FORMULA 1/ Shefi i Ferrarit i kënaqur: Arritëm objektivin, ky ishte maksimumi ynë

Delo.autor

Nuk luajti asnjë minutë me Juventusin, vjen oferta 40 milionë euro për këtë lojtar

Isa.Autor

Leave a Comment