Futboll Kategoria Superiore Sport

FORMACIONI “HIPOTETIK” I KUKËSIT/ Ja si trajneri Longo mund të hedhë “milionat” në fushë…

Diego Longo ka më shumë se një javë që ka pasur mundësinë që të shohë nga afër lojtarët e Kukësit, por ende pa mësuar shumë rreth tyre. Në fakt, edhe informacionet për të nga ekipi i sezonit të kaluar kanë qenë të cunguara, kjo për faktin se vetëm pak prej tyre janë ende në skuadrën që ai ka në dispozicion.

Shtuar kjo edhe me faktin që ka pasur shumë afrime në këtë merkato, bëhet gjithnjë e më e vështirë për të gjetur ekuilibrat dhe për më tepër formacionin ideal që ai mendon se do të jetë te skuadra e këtij sezoni. Gjithsesi, Kukësi e ka aktualisht një formacion “ideal” dhe është ai i… milionave. “Panorama Sport” ka bërë një hulumtim rreth futbollistëve më të shtrenjtë që janë aktualisht në skuadër, duke formuar edhe titullarët e milionerëve, të cilët për momentin janë ata që në letër vlejnë më shumë në krahasim me shokët e tjerë të skuadrës.

FORMACIONI “HIPOTETIK” – Gazeta ka bërë një kërkim rreth vlerave të futbollistëve në treg sipas faqes së specializuar “transfermarkt.com”, duke përzgjedhur edhe titullarët më të shtrenjtë në skuadër, e cila vlen plot 2.5 milionë euro. Në portë, Tafas fiton duelin me Xhikën, pasi kushton 175 mijë euro, kundrejt 100 mijëve të kolegut të tij. Sa i përket mbrojtjes, Dragoshi në të djathtë dhe Ndreca majtas përbëjnë krahët e kësaj skuadre, ndërsa në qendër të saj është dyshja Lulaj-Bytyçi, të cilët në fakt nuk kanë as rivalë për shkak të mungesave të alternativave. Sa i përket mesit të fushës, dyshja Sh. Taipi dhe Hila janë para mbrojtjes, ndërsa më të avancuar përpara janë Feijao dhe Gashi nga krahët dhe Sh. Taipi midis tyre.

Në sulm, siç dihet, mungojnë alternativat dhe qëndron i vetëm Daci. Sigurisht bëhet fjalë për një formacion sipas të dhënave të vlerave të futbollistëve, sepse të vërtetin në fushë e ka në dorë italiani Longo, edhe pse në pamje të parë duken si titullarët që kanë më shumë shanse për të pasur një vend në formacionin zyrtar. Ajo që vihet re është mungesa e alternativave, sepse mungojnë lojtarët që mund të bëjnë dublantin, edhe pse normalisht shumë prej tyre mund të luajnë në disa role dhe në ndeshje të caktuara të ndryshojnë pozicionin në fushë në varësi të nevojave që ka skuadra.

Related posts

36 VJEÇ POR I PAPREKSHËM/ Interi i përgatit rinovimin e kontratës për yllin e ekipit…

Delo.autor

LOJËRAT OLIMPIKE/ Fokusi tashmë në shëndetin mendor të atletëve

Delo.autor

VETËM 16 MINUTA NË 3 MUAJ/ Objekti misterioz kalon dëmtimin, tifozët e Milanit dhe trajneri presin ta zbulojnë

Delo.autor

Leave a Comment