Futboll Sport

HISTORIA/ Harry Kane, djaloshi me këpucët me baltë që nuk u dorëzua kurrë

Historia e Herri Kejnit dhe Anglisë nis në rrethinat e klubit që sot nuk ekziston më, Lejton Uingejt. Ishte aty, sapo kaloje rrugën nga shtëpia e tij në verilindje të Londrës, ku ai u bashkohej prindërve dhe vëllait Çarli, me fytyrat e lyera me flamurin e Anglisë dhe fanellat e kombëtares, për të shijuar në ekranet e mëdha “Euro 1996”, me koret “Its’ Coming Home”.

Herri nuk kishte mbushur as 3 vjeç, por Kejnët ishin tifozë të devotshëm të Anglisë dhe në atë turne: Gaskoin, Sheringam dhe Shirer, frymëzuan një brez. 25 vite më vonë, në “Wembley”, gjithnjë me këngën e Frenk Skiner e Dejvid Badiel dhe Gazën në tribunë, Kejn veshi fanellën e tij të Anglisë edhe një herë tjetër dhe bëri atë që ai bën, shënoi golin e fitores kundër Danimarkës.

Lart në tribunë, vëllai dhe prindërit, Pet dhe Kim, ishin mpirë ndërsa telefonat iu shurdhuan nga telefonatat. Fytyrat i kishin lyer si 25 vite më parë. Jehona ishte surreale, por këtë herë, Herri ishte kapiteni i Anglisë dhe njeriu që po udhëhiqte vendin në ndeshjen më të rëndësishme të historisë, që prej finales së Botërorit 1966. Në kryeqytet, në Lejton Orient, po festonin gjithashtu.

DEDIKIMI – “Ne e kishim këtë djalë në huazim”, ishte cicërima që erdhi nga ajo anë. Rasëll Slejd po e shihte nga TV, duke kujtuar një “17- vjeçar të dobët” të cilin ai e huazoi nga Totenhemi kur ishte trajneri i Orientit dhe i dhuroi Kejnit debutimin në baltën e Ligës së Parë në Roçdejl.

“Nuk mund t’i shihje këpucët e tij të bukura të bardha për shkak të baltës, – thotë Slejd për “DailyMail”. – Por ai ishte shumë i vendosur. Qëndronte pas çdo seance stërvitore për t’u stërvitur për goditjet e dënimit. Ai është një shembull klasik se si një lojtar sakrifikoi për të arritur atje ku donte. Shumë talent ka shkuar dëm gjatë viteve, sepse lojtarët nuk kanë të njëjtin kapacitet mendor. Ai është shumë i përqendruar.

Atij i duhet vetëm gjysmë metri hapësirë për të goditur, mbrojtësit mund t’i shpëtojë edhe në një kabinë telefoni. Rekordi i tij i golave është fenomenal për klubin dhe kombëtaren”. Për gjithçka ka arritur, Kejn nuk e ka harruar Orientin dhe tani sponsorizon fanellat e tyre. Apeli i madh i suksesit të Kejnit është se ai nuk ka ardhur lehtë. Ai shënoi gola në çdo nivel ekipesh zinxhirë dhe njihej si një pasues i mrekullueshëm, por askush nuk e lavdëronte adoleshentin e talentuar apo t’i hapte rrugën drejt skuadrës së parë.

I larguar nga Arsenali në moshën 9-vjeçare, ai u rikthye te futbolli amator, duke luajtur të shtunave për Gledston Rovers dhe të dielave për Rixhuej Rovers. Skauti Mark O’Tull, i cili sot punon për kombëtaren e Irlandës, i tha Totenhemit që ta merrte, por ata refuzuan, derisa Herri shënoi një tregolësh kundër tyre në një provë me Uotfordin. Falë këmbënguljes së O’Tull, ai iu bashkua “Spërsave” në moshën 11-vjeçare. Sot ka shënuar 221 gola me Totenhemin. Vetëm Xhemi Grivs ka më shumë (266), një rekord që dikur dukej i pathyeshëm, por është brenda rrezes së Herrit nëse vendos të qëndrojë një tjetër vit.

DEBUTIMI – Herri Redknap i dha shansin për të debutuar në kualifikuesen e Ligës së Europës kundër Harts (gusht 2011). Pasi kishte fituar me 5 gola diferencë ndeshjen e parë, Redknap donte gjak të ri në fushë. Kejn fitoi një penallti, e ekzekutoi vetë dhe ia priti portieri MakDonald, me ndeshjen që përfundoi 0-0. Ai priti deri në transfertën me Shamrokun, më vonë në fazën e grupeve, për golin e parë me “Spërsat”.

“Tim Sherud, i cili punoi me të rinjtë tanë, ishte një tifoz i madh i Herrit, – kujton Redknap. – Më telefonoi Stiv Roulej, shefi i skautëve të Arsenalit, për të më pyetur nëse mund ta shikonte ndeshjen. Ata donin të firmosnin me Skot Den, i cili ishte i dëmtuar dhe ishte rikthyer e do të luante me Birmingemin. Herri luajti në sulm për ne dhe shënoi 4 atë ditë. Arsenali nuk firmosi me Skot Den”. Redknap e nxiti Kejnin të huazohej. Pas Orientit, kaloi një periudhë te Miluolli në Championship. “Unë jam një tifoz i huazimeve, – tha Redknap, i cili ka ushqyer edhe karrierën e Ferdinandit, Lampardit, Karrikut, Defosë dhe Xhonsonit, duke i huazuar të gjithë.

– Është futboll i vërtetë. Shko dhe luaj pa pasur diçka për të fituar apo humbur. Herri vjen nga shkolla e vjetër. Ai është i përveçëm, punon, stërvitet, jo mendjemadh. Është një njeri fantastik dhe e meriton. Kur njerëzit nisën të flisnin për uljen e tij në stol në fillim të Europianit, unë mendova: ‘OK, paçi fat’, sepse Anglia nuk do të shkojë larg pa të. Garet e dinte më mirë. Herri Kejn është numri 9 më i mirë në botë”. Kejn u huazua te Noruiçi në Premier Ligë kur Boas zëvendësoi Redknapin, por ai theu metatarsin dhe nuk luajti. Totenhemi e zhvendosi te Lestëri në mes të sezonit, ndërsa “Dhelprat” luanin për t’u ngjitur nga Championship me Najxhel Pirsonin. Sërish përmirësimi i Kejnit ishte në rrezik.

Kejn vlerëson shumë Xhon MekDermot dhe Bredli Alen në akademinë e Totenhemit, jo vetëm sepse e përmirësuan si futbollist, por e mbajtën me këmbë në tokë. Sherud gjithashtu, i cili e preferoi përpara Adebajorit apo Soldados gjatë 5 muajve në stol gjatë 2013-‘14. Tre gola në 3 ndeshje në Premier Ligë me Sherudin e bindën Kejnin se mund t’ia dilte. Sezonin pasardhës, me Poçetinon, shënoi 31 gola. Shënoi pas vetëm disa sekondash në debutimin e tij me Anglinë si zëvendësues kundër Lituanisë dhe në ndeshjen e parë si titullar në miqësoren kundër Italisë. Prej atëherë nuk është ndalur më.

Një lojtar që nuk i njeh dëmtimet, është shndërruar në një makineri golash. Sot është maturuar, i përballon kritikat, një model profesionisti. Ai është lideri i Anglisë dhe pasardhësi i Bobi Murit, të cilin do ta linte pas nëse do të triumfojë të dielën. Sytë e tij u përlotën kur dëgjonte “Wembley”-n të këndonte pas triumfit kundër Gjermanisë. Ai mbetet një tifoz i Anglisë në zemër, i frymëzuar nga ato ditë të “Euro 1996” në Lejton Uingejt.

Related posts

E BUJSHME NGA ITALIA/ Konfirmimi i trajnerit Pioli ndryshon gjithçka, kthesë e papritur për mesfushorin e Milan…

Delo.autor

Analiza/ 10 arsye për të shpjeguar eliminimin qesharak të Barcelonës

Sadik.Autor

RIVER PLATE – BOCA JUNIORS/ CAS merr vendimin përfundimtar për finalen , ja verdikti…

Isa.Autor

Leave a Comment