Futboll Seria A Sport

INTRIGA ME PORTIERIN DONNARUMMA/ Zbulohet prapaskena e “lamtumirës”, Juventus e nxori blof

Postimi i “lamtumirës” së Donarumës i vendosi vulën përfundimit të raportit të portierit me Milanin. Pak fjalë, të gjitha të thjeshta dhe pa asnjë lloj shpjegimi mbi ndarjen dhe dëmin ekonomik ndaj klubit për të cilin deklaronte se bënte tifo.

E, në fakt, ishte një lidhje e gjatë ajo e Xhixhos, por edhe “e helmuar” nga rinovimi që djaloshi firmosi katër vite më parë i shtyrë nga familja. Ai vendim binte ndesh me qëllimet e menaxherit Mino Raiola i cili, në fakt, mungoi edhe në ceremoninë e zyrtarizimit të rinovimit. Më interesant është rindërtimi i ngjarjes që ofrojnë mediat italiane të cilat na mundësojnë një pamje më të qartë të situatës dhe kohëve në të cilat u realizua.

MENAXHERI – Mino Raiola nuk i ka dhënë kurrë përgjigje propozimit të Milanit prej 8 milionë eurosh në sezon për pesë vite. Fillimisht ai ka folur me Fabio Paratiçin për të degdisur Donarumën te Juventusi. Akord total me palëve, me menaxherin që priste të arkëtonte 20 milionë euro për ndërmjetësimin.

Kur kupton se Juvja do të rimarrë Alegrin i cili do Sheznin si portier të parë, Raiolën e kap paniku duke arritur të ofrojë 22-vjeçarin me të njëjtën rrogë që kishte te Milani (6 mln euro). Drejtuesit e rinj juventinë nuk pranojnë asnjë lloj kompromisi e aq më tepër të investojnë për portën.

PËRPLASJA ME MALDININ – I zënë në vështirësi, Raiola mundohet të ndërtojë një urë komunikimi me Maldinin duke i propozuar një kontratë dyvjeçare me 10 milionë euro për Xhixhon dhe 20 milionë euro komision. Arsyetimi i tij është i tillë: “Milani kërkon portier për pesë vite me 8 milionë euro në sezon.

Përfshirë edhe taksat, operacioni vlen 80 milionë euro. Shpenzoni 60 për dy vite (rroga e Xhixhos plus komision) dhe e shisni tek ofruesi më i mirë duke kursyer ndërkohë 20 milionë euro të tjera”. Kur vjen ky “propozim”, drejtuesit e Milanit nuk kapen të papërgatitur. Teksa ndërkohë kishin prenotuar Majk Menjan, ata bënë llogaritë në bazë të të cilave rezultoi se me kushtet e reja, Donaruma do të mbronte portën për dy sezone, ndërkohë që kostoja do të ishte 60 milionë euro.

Nuk duhej harruar as fakti se në përfundim të afatit të ri, duhej gjetur një klub që të investonte 50-60 milionë euro për kartonin e Xhixhos. Në variantin më të keq, portieri mund të gjendej përsëri në përfundim kontrate e situata mund të përsëritej. Humbje parash dhe kohe për drejtuesit që vendosën të mos binin pre e shantazhit të Raiolës.

PËRFUNDIMI – I gjendur në këto kushte, menaxheri u rilidh me PSG-në e cila i mbushi xhepat 22-vjeçarit me 12 milionë euro në sezon për pesë vite, ndërkohë që edhe ndërmjetësi mori 20 milionë eurot që dëshironte. Duke lënë Donarumën të largohej, Milani humbi shumë në aspektin teknik, por njëkohësisht dha një mesazh të qartë për pasuesit e Xhixhos, i cili ndoshta gjeti paratë që dëshironte, por jo kurajën për të shpjeguar hapur largimin nga klubi i zemrës…

Related posts

(VIDEO) Ka gol në sfidën midis Hertha Berlin dhe Dortmund

Q.Autor

Sefer Seferi rrëfehet para duelit me Tyson Fury: I uritur për fitore

Sadik.Autor

PAS TRIUMFIT DRAMATIKE NDAJ UDINESES/ Ibrahimovic: Kjo fitore na ka ndihmuar shumë nga…

Delo.autor

Leave a Comment