Futboll Kategoria Superiore Sport

MERKATO E VERËS/ Skënderbeu bën goditjen e madhe, “rrëmben” sulmuesin që priste Vllaznia

Skënderbeu bën një goditje të madhe në merkaton e verës. “Panorama Sport” ka zbuluar ekskluzivisht nga burime të sigurta në klubin korçar, se presidenti Ardjan Takaj ka arritur marrëveshjen me sulmuesin ganez, Ngisah Bismark, i cili në muajin qershor ishte në bisedime të avancuara me Vllazninë dhe akordi u prish vetëm për shkak të vonesës së dokumentacionit.

Gazeta mëson se drejtuesit bardhekuq, duke përfituar nga kjo situatë, kanë arritur të bindin 23-vjeçari për një kontratë 2-vjeçare me opsion rinovimi edhe për një tjetër sezon. Bismark ka qenë në pronësi të Kievos për katër vite, por pas përfundimit të këtij sezoni, ka prishur kontratën me klubin italian.

Ai më tepër është dhënë nga veronezët në formë huazimi në klube të Serisë C. Së fundmi ka qenë te skuadra e Pro Sesto, ku në 10 ndeshje shënoi vetëm një gol.

Gjithsesi, në klubin korçar janë të bindur se Bismark është një qendërsulmues me të dhëna premtuese. Mësohet se ai ka karakteristikat të përafërta me Kaleb Ekuban, i cili pesë vite më parë erdhi nga Kievo te Partizani dhe shkëlqeu në Superiore. Bismark pritet të mbërrijë këto ditë në Korçë për të nisur menjëherë stërvitjen nën urdhrat e trajnerit Migen Memelli.

Afrimi i tij blindon repartin e avancuar të bardhekuqve, aty ku luajnë edhe emra të rëndësishëm të sezonit të kaluar si Alfred Mensah, Elvi Berisha dhe Belajdi Pusi, me këta 2 të fundit që kanë luajtur më shumë nga krahët.

HISTORIA – Sulmuesi Ngisah Bismark pritej te Vllaznia më 26 qershor, mirëpo një gjë e tillë nuk ndodhi për shkak të një problemi në pasaportën e sulmuesit.

Gjithçka ishte kryer në kohën e duhur dhe lojtari do të udhëtonte nga Milano për në Tiranë, por në aeroportin e qytetit italian, autoritetet pikasën se pasaporta e lojtarit skadonte më 22 shtator të këtij viti.

Në këto kushte, në bazë të rregullave ndërkombëtare, duhet që pasaporta të ketë një afat skadence më të madh se gjashtë
muaj, në mënyrë që të udhëtosh lirisht në shtetet europiane dhe më konkretisht nga Italia në Shqipëri. Lojtari kishte njoftuar Ambasadën e Ganës në Itali për t’u siguruar se nuk do të kishte probleme.

Nga ambasada mori konfirmim se pasaporta e re do t’i dërgohej me postë për pak ditë, mirëpo Bismark u bllokua në aeroportin e Milanos dhe e pati të pamundur të vinte në Shqipëri.

Kjo situatë revoltoi drejtuesit e Vllaznisë, që nuk pritën shumë ditë dhe hoqën dorë nga afrimi i ganezit Bismark, edhe pse ky i fundit u kishte siguruar se do ta zgjidhte shpejt problemin me pasaportën.

Related posts

“PËR MUA DO TË JETË NJË SURPRIZË DERI NË FUND TË KAMPIONATIT”/ Mancini: Titullin në Itali e fiton…

Delo.autor

E RËNDË/ Sir Alex FERGUSON ndalohet të shoh ndeshjen e Man United, ja kush është SHKAKU

Isa.Autor

RIKTHEHET DE VRAJ/ Inzagi ia beson sulmin e Interit dyshes Lautaro-Sançez

Delo.autor

Leave a Comment