Futboll Seria A Sport

PREZANTIMI TEK “KUQEZINJTË”/ Portieri Maigna: Dua trofe, Milani vendi ideal

Pesëmbëdhjetë milionë euro investim dhe porta që deri një muaj më parë i përkiste ndoshta më të mirit në botë. Trashëgimia e Donarumës dhe paratë nuk e ngarkojnë me trysni Mike Magna, i cili do të mbajë numrin 16 në sezonin e ri si titullar i Milanit pas titullit me Lilën në Francë.

Dje ka qenë dita e prezantimit të gardianit, i cili ka folur 360 gradë mbi pritshmëritë dhe objektivat e aventurës së re në karrierë.

Milani shquhet për shpirt grupi dhe lidhje të fortë mes të gjithëve. E keni ndjerë?

Atmosfera ka qenë e jashtëzakonshme që në ditën e parë. Që të gjithë më kanë pritur shumë mirë. Kushtet janë fantastike dhe punohet me përkushtim të madh. Jo më kot Milani është një klub me histori të madhe.

Një ish-kuqezi si Zhan Pier Papen tha se Lila fitoi titullin, por meritat e mëdha i keni ju. Sa krenar ju bëjnë këto fjalë?

Tej mase shumë. Ai ka bërë histori me Milanin, por kampionatin e fitova së bashku me shokët. Te Lila kishte frymë grupi dhe ia dolëm të gjithë së bashku.

E ndieni presionin e të qenët pasardhës i Donarumës?

Donaruma ka dhënë një kontribut të madh në rezultatet pozitive të Milanit. Historia ime sapo ka filluar, por ju garantoj se do të punoj shumë për të bërë të njëjtat gjera.

Si është të punosh me Didën?

Impakti i parë ka qenë shumë pozitiv. Po flasim për një ish-portier, i cili në rolin e tij ka qenë nga më të mirët. Mendoj se mund të më ndihmojë shumë në rritjen time profesionale.

Ku mund t’ju ndihmojë?

Statistikat e mia në sezonin e kaluar ishin tepër pozitive, por janë fryt i punës me ekipin. Te Milani kam ardhur për të bërë hapa përpara dhe me Didën kam besim se mund të përmirësohem në të gjitha aspektet. Ai ka përvojë e me siguri do të jetë diçka e vlefshme për mua që të stërvitem prej tij.

Cilat janë pikat tuaja të forta dhe të dobëta?

Aspekti mendor është arma ime më e mirë. Jam gjithmonë i përqendruar. Si çdo sportist, as unë nuk jam i përsosur, ndaj te Milani do të punoj për të korrigjuar të gjitha mangësitë e mia.

Jeni gati për miqësoren kundër Nisës?

Kjo javë ka qenë veçanërisht e ngarkuar, por unë jam gjithmonë gati.

Çfarë dallimi ka mes shkollës së portierëve në Francë dhe Itali?

Nuk mund t’i rendis të gjitha, por sigurisht që ka diferenca. Personalisht dua të punoj e të mësoj sa më shumë.

Si u ndjetë kur mësuat për interesin e Milanit?

Më erdhi shumë mirë kur Maldini e Masara më telefonuan. Ishte një emocion i fortë. Po mbyllja kampionatin fantastik me Lilën, por drejtuesve u thashë që isha i gatshëm të zbarkoja në Milano.

Në çfarë aspekti mund t’ju ndihmojë të luajturit në Serinë A?

Unë do të mundohem të ndihmoj Milanin dhe shpresoj anasjelltas. Kampionati italian do të më rrisë në rrugëtimin tim profesional.

Te Milani ka shumë frëngjishtfolës. Sa mund t’ju ndihmojë kjo?

Pa dyshim që është pozitive, por jemi në Itali e unë duhet të mësoj italishten.

Si u zhvilluan bisedimet për transferimin tuaj?

Fillimisht patëm një bisedë, por gjithçka varej nga vendimi i Donarumës. Kur ai u largua më erdhi radha për të firmosur.

Sa ka ndryshuar në vitet e fundit roli i portierit?

Futbolli ka ndryshuar shumë e në shumë aspekte. Mbase roli i portierit është prekur më pak. Me siguri që tani nevojitet që të luhet më tepër me këmbë, por kryesorja është që të mbrohet porta në mënyrën më të mirë për të mos pësuar gol.

A ju kërkoi ndonjë klub tjetër përveç Milanit?

Më kontaktoi edhe Roma, por isha në bisedime me Milanin dhe firmosa.

Ka ndonjë ngjashmëri mes Piolit dhe ish-trajnerit tuaj te Lila, Galtie?

Vështirë të bësh një krahasim, por mund të them se janë që të dy profesionistë që i bëjnë ekipet e tyre të punojnë më intensitet të lartë.

Cilat janë objektivat sezonalë?

Te Milani të gjithë punojmë për të fituar. Secili prej nesh do të luajë në kampionat për të fituar titullin. Do të shohim se si do të na shkojë sezoni, por di që nevojitet përqendrim dhe gatishmëri për të punuar fort çdo ditë.

Related posts

5 KARTONË TË KUQ NË “NIKO DOVANA”/ Teuta mposht Kampionët e Superiores dhe i zhyt në krizë

Delo.autor

KUPA E BOTËS ÇDO DY VJET? FIFA takime virtuale për këtë çështje

Delo.autor

SHEH SHPËRTHIMIN E YLLIT TË UNITED/ Phil Neville: Ai është lojtari më i mirë në klub, kur luan…

Delo.autor

Leave a Comment