Futboll Kategoria Superiore Sport

RASTI UNIK/ Të premten hidhet shorti i Superiores, 106 ditë pa futboll

Kalendari i Kategorisë Superiore 2021-’22 dhe ai Kategorisë së Parë do të zbardhen gjatë kësaj jave. Ditën e premte, në ambientet e sallës së konferencave të stadiumit “Air Albania” do të hidhet shorti për kalendarët e dy kampionateve kryesore të futbollit shqiptar.

Zyra e shtypit në FSHF bën me dije se shorti do të nisë në ora 10:00 me përcaktimin e kalendarit të Kategorisë Superiore dhe më 10:30 do të vijohet me zbardhjen e kalendarit të Kategorisë së Parë.

STARTI, MË 11 SHTATOR… Sipas vendimit të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Kategoria Superiore do të fillojë më 11 shtator 2021 dhe do të mbarojë më datën 26 maj 2022. Edhe Kategoria e Parë nis po më datën 11 shtator 2021, për t’u mbyllur më datën 7 maj 2022. Në Kategorinë Superiore këtë sezon marrin pjesë këto skuadra: Teuta, Partizani, Vllaznia, Laçi, Tirana, Kukësi, Skënderbeu, Kastrioti, Dinamo, Egnatia. Ndërsa në Kategorinë e Parë ekipet pjesëmarrëse në edicionin 2021-’22 janë Apolonia, Besa, Besëlidhja, Burreli, Bylisi, Erzeni, Korabi, Lushnja, Maliqi, Pogradeci, Shkumbini, Tomori, Turbina, Vora, Tërbuni dhe Butrinti.

SHQIPËRIA, PA FUTBOLL… Me Kategorinë Superiore që do të startojë më datë 11 shtator, futbolldashësit shqiptar duhet të kalojnë plot 106 ditë pa futboll, si asnjëherë më parë. Sezoni i shkuar u mbyll më 26 maj dhe deri më 11 shtator, janë shumë ditë boshe që skuadrat e futbollit shqiptar duhet të gjejnë një mënyrë për t’i mbushur. Sezoni i shkuar, po ashtu nisi me vonesë për shkak të bojkotit të skuadrave, por 11 shtatori i këtij edicioni, është data më e largët me të cilën ka startuar futbolli. Fillimisht ishte parashikuar që sezoni të fillonte në javën e tretë të muajit gusht, por u shty me më shumë se 20 ditë, me FSHF-në që nuk ka dhënë asnjë sqarim për këtë fakt…

NDOSHTA VAR-I... Shtyrja e nisjes së kampionatit, ndoshta mund të justifikohet me futjen e sistemit VAR këtë edicion të ri futbollistik. Ndoshta stadiumet nuk janë gati, çka mund të ketë sjellë dhe këtë shtyrje, por për futjen e sistemit VAR është folur që në janar. Kjo shtyrje me më shumë se 20 ditë nuk u bën aspak mirë ekipeve, sidomos skuadrave pjesëmarrëse në Europë, pasi kanë më shumë se një muaj që kanë mbyllur fazën përgatitore. E deri më 11 shtator, faza përgatitore vështirë se mund t’u shërbejë shumë. Pavarësisht të gjithave, të paktën do të kemi VAR, për të cilin shpresojmë që do të mirëfunksionojë në të gjitha stadiumet e vendit.

Related posts

Raiola në telashe, Federata Italiane e Futbollit nis hetimin

Sadik.Autor

RIKTHEHET KOMBËTARJA/ Zbardhet axhenda e përgatitjeve dhe datat e dy përballjeve të para

Delo.autor

E BUJSHME NGA SPANJA/ Milan arrin akordin me trajnerin e njohur…

Delo.autor

Leave a Comment