Futboll Kategoria Superiore Sport

SFIDA NDAJ AEL LIMASOL PËR CONFERENCE LEAGUE/ Mbrojtësi Imami: Besimi ekziston dhe mendoj që…

Eni Imami pret t’i bëj mbylljen më të bukur aventurës me Vllazninë. Mbrojtësi do të vazhdojë karrierën te Dinamo, por ai do të zyrtarizohet te blutë në momentin që eliminohen shkodranët nga Liga e Konferencës.

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, 28-vjeçari flet për shanset ndaj AEL-it, tifozërinë dhe të ardhmena e tij.

Eni, pas humbjes në ndeshjen e parë në Qipro, në skuadër ka shumë besim te një përmbysje si ajo që bëtë ndaj Shiroki Brijegut. Ju si e prisni këtë takim, e mendoni kualifikimin?

Sigurisht që e mendoj, sepse është gjithçka e hapur. Ne bëmë një përmbysje të madhe me Shiroki Brijegun, prandaj dhe besojmë e në këtë ndeshje të kthimit ndaj AELit, do ta përsërisim një gjë të tillë. Besimi ekziston dhe mendoj që edhe mundësitë e ekipit janë të mëdha, paçka se qipriotit janë një skuadër e fortë.

Çfarë i duhet Vllaznisë për të kaluar AEL Limasolin?

Edhe në Limasol kemi bërë ndeshje shumë të mirë, duke ditur që kishim mungesa dhe për më tepër disa lojtarë që u aktivizuan nuk ishin në 100 % të tyre prej virozave, lagështisë dhe vapës që ishte në Qipro. Në Shkodër do të jetë ndryshe, sepse luajmë në fushën tonë, para një tifozërie shumë të zjarrtë.

Përmendët tifozërinë shkodrane, cili është apeli juaj për ta?

Thjesht një stadium i tejmbushur si ndeshjen me Shirokin. Jam me fat që po i shijoj këta tifozë të mrekullueshëm. Apeli im është që vetëm ju lutem që mos të përdorin kapsollat, pasi në këto raste arbitri ndërpret ndeshjen dhe do të ishte katastrofë për të gjithë ne.

Prisni që ky takim të jetë i fundit për ju me Vllazninë apo jeni të bindur te kalimi i turit dhe vazhdimi i aventurës europiane me fanellën kuqeblu?

Unë kam shumë besim dhe ndenja pozitive se do të kalojmë edhe këtë tur. Për sa i përket ndeshjes së fundit apo jo, e rëndësishme është të kualifikohet Vllaznia, ndërsa unë do të jap maksimumin si gjithmonë. Pastaj më duhet të ulem me drejtuesit e të dy klubeve, Dinamos dhe Vllaznisë, për të gjetur një zgjidhje. Sigurisht do të doja ta vazhdoja edhe në turin tjetër me Vllazninë në rast suksesi.

Ju do ta vazhdoni karrierën te Dinamo, por a mund të jepni një mendim për Vllazninë aktuale pas ndryshimeve që janë bërë në merkato. E shihni më të fortë se vjet apo të dobësuar?

Vllaznia do jetë konkurruese. Të gjithë bashkë e nxorëm nga ajo situata që ishte zhytur në vitet e fundit. Tani ka lezet, sepse e shikon me një sy tjetër. Vllaznia është ekip i madh dhe jam krenar që isha pjesë e këtij grupi, që arriti këto suksese. Sigurisht, më vjen keq, por do të ikë Imami dhe do vijë dikush tjetër, sporti kështu e ka. Në fund, më i rëndësishëm është klubi dhe jo individi.

Related posts

“DIGA BORDO”/ PSG ndalet për herë të parë në Francë, NEYMAR rishkruan historinë

Isa.Autor

Paletta drejt largimit nga Milani, surprizon me klubin e ri

Q.Autor

(FOTO) Formacionet zyrtare: Nottingham Forest – Arsenal

Q.Autor

Leave a Comment