Futboll Sport

BONUSE DHE KLAUZOLË/ “Ngec” rinovimi i Paulo Dibalës me Juventuain

Në shtëpi bardhezi vazhdon me vrull tratativa për rinovimin e Paulo Dibalës, por “tymi i bardhë” nuk duket ende në ajër. Përkundrazi, edhe ditën e djeshme, pavarësisht 90 minutave takim kokë më kokë mes Pavel Nedvedit (zëvendëspresidenti i Juves), Federiko Kerubinit (drejtori sportiv bardhezi), Horge Antunit (agjenti i lojtarit) dhe Karlo Novelit (menaxherit që merret me sponsorizimet e futbollistit), në fund nuk ka ardhur sërish shtrëngimi i duarve. Madje, Juventusi nuk është se ka dalë shumë i qeshur, duke qenë se në fund u ka kërkuar përfaqësuesve të numrit 10 bardhezi përgjigje brenda ditës së diel, duke qenë se po flasim për një futbollist që është në skadencë kontrate dhe “Zonja e Vjetër” as që ka ndërmend të rrezikojë që të humbë një si argjentinasi me parametër zero.

Nëse bazohemi te shifrat, oferta e Juventusit ka qenë dhe ka mbetur edhe dje ajo e përhershmja: 8 milionë euro neto në sezon, plus bonuse. Por, pikërisht lidhur me bonuset ka qenë edhe ngecja e parë, duke qenë se Horge Antun kërkon që ato të jenë lehtësisht të arritshme: 500 mijë euro për arritjen e 10 golave në kampionat; 500 mijë euro për kuotën e 10 asisteve në sezon; 500 mijë euro nëse luan 60 për qind të prezencave sezonale dhe 500 mijë euro për kualifikimin në Champions).

Juventusi ka qenë praktikisht kampion, por kërkon që të rrisë numrin e golave në 20 sezonalë dhe jo 10 në kampionat dhe asistent në kuotën 15, ashtu sikurse 500-mijëeuroshin e fundit në rast fitimi të titullit kampion dhe jo vetëm për kualifikimin në Ligën e Kampioneve.

Këto pika do të diskutohen deri në fundjavë mes menaxherit dhe vetë Paulo Dibalës, ndërkohë që kërkesa e cila ka nervozuar Nedvedin dhe Kerubinin ka qenë futja me çdo kusht e një klauzole për prishjen e kontratës së Paulo Dibalës, plus një përqindje në favor të tij (agjentit) dhe vetë futbollistit në rast të një shitjeje në vitet e ardhshme, përpara skadencës 2026 që kërkon të arrijë Juventusi.

Dhe duke parë të gjitha këto detaje të reja që kanë dalë nga mbledhja e ditës së djeshme, në klub shpresojnë që këto “përplasje” mes kërkesave dhe ofertës të mos sjellin atë që askush nuk kërkon as ta hipotetizojë: një divorc me parametër zero në verën e ardhshme mes Dibalës dhe “Zonjës së Vjetër”, aq më tepër në një periudhë kaq të rëndë ekonomike për shumë prej klubeve më të mëdha në botë. Ah po, ndoshta me përjashtim të PSG-së dhe Mançester Sitit…

Related posts

SY E ZEMËR NGA “AIR ALBANIA”/ Shqipëria takim me historinë. “Euro2024” kalon nga…Çekia

F.autor

IAAF ME DORË TË RËNDË/ Lihet në fuqi pezullimi, Rusia jashtë Europianit

Sadik.Autor

Patrick Vieira shpjegon pse Franca e fiton Kupën e Botës në “Rusi 2018”

Isa.Autor

Leave a Comment