Futboll Sport

MERKATO NË KOHË PANDEMIE/ PSG-ja trondit tregun, por Premier Liga s’ka rivalë

Topi ka pushuar së rrotulluari, të paktën prej disa ditësh në kampionatet më të rëndësishme të Europës. Pas përfundimit të Europianit dhe Kupës së Amerikës, disa futbollistë kanë marrë pushimet, ndërsa drejtuesit po mendojnë për të bërë merkaton. Është një tjetër sesion merkatoje në kohë pandemie dhe nuk pritet që të ketë blerje të jashtëzakonshme.

Sigurisht që disa skuadra kanë ruajtur milionat e tyre për këtë ditë, ndërsa të tjera do të sajohen me kosto zero. Me shumë mundësi “ligjin” në këtë hapësirë transferimesh do ta bëjnë ato me zero euro.

Për të parë bombat milionere, ndoshta duhet të presim vitin e ardhshëm. Efektet e pandemisë vazhdojnë të jenë ende prezente dhe gjithçka pritet të rregullohet me fillimin e sezonit të ri, kur do të rikthehen edhe tifozët në shkallët e stadiumeve. Është viti i dytë që po bëhet merkato vere në krizë ekonomike.

SHKËLQEN PARISI – Luksi në kryeqytetin francez nuk është vetëm në “Elize”. PSG-ja vazhdon të bëjë ligjin në këtë merkato duke transferuar disa nga lojtarët më të rëndësishëm në qarkullim. Sigurisht që moda e operimit ka ndryshuar dhe tani janë në modë futbollistët pa kontratë. Sigurisht që rrogat e këtyre lojtarëve që u transferuan janë të larta dhe kurioze, por kjo gjë del në plan të dytë. Me kosto zero janë transferuar Serxho Ramos, Xhixho Donaruma dhe Vajnaldum.

“Të dalësh nga zona e komfortit është diçka e mirë. Kam ardhur në vendin e duhur për të fituar trofe”, ka thënë ish-lojtari i Realit. Gjithashtu, edhe Donaruma e konsideroi një projekt ambicioz për të fituar. Në Paris janë duke i dhënë formë një skuadre të frikshme, në të cilën vazhdojnë të jenë Mbape, Nejmar, Verrati dhe shumë të tjerë. Pa harruar që këtë verë u ble edhe Ashraf Hakimi për 60 milionë euro nga skuadra e Interit, pa harruar bonuset.

BEFASON LAJPCIGU – E besoni apo jo? Lajpcigu është skuadra që ka shpenzuar më shumë miliona në merkato deri tani. Ekipi gjerman në fakt ka një bilanc spektakolar mes shitjeve dhe blerjeve. Në këtë skuadër u transferuan Andre Silva (23 milionë), Gvardiol (18.8 milionë), Angelinjo (18 milionë), Simakan (15 milionë), Henriks (15 milionë), Klark (1.82 milionë). Nga shitjet kanë arkëtuar 92 milionë euro të shpërndara në këtë mënyrë: Upamekano 42.5 milionë, Konate 40 milionë dhe Uolf 9.5 milionë. Bilanc i shkëlqyer.

MERKATO QENDRE – Skuadrat e mëdha janë në kërkim të qendërmbrojtësve sepse kështu duan të ngrenë murin për të fituar. Siti e futi këtë trend me Dias, Stons, Laport dhe shumë të tjerë. Bajerni transferoi Upamekanon, Liverpuli mori Konatenë, PSG-ja Serxho Ramosin dhe Reali i Madridit Alabanë. Merkato lëviz nga qendra dhe një lojtar që mund të ishte i lirë është Kielini. Mirëpo, ai dje zyrtarizoi lajmin që do të firmosë me Juventusin.

MARSEJA – “Na pëlqen që të ndërtojmë një stil fitues, me një lojë që do të përcjellë pasionin e tifozëve”. Kështu tha spanjolli Pablo Longoria kur u bë president i Olimpikut të Marsejës në shkurt. Në fillim transferoi Horge Sampaolin dhe këtë verë ka bërë revolucion në organikë. Gerson u transferua për 25 milionë, Balerdi për 11, Peres 4,5, Konrad 3, Ynder, Saliba, Paul Lopez janë huazuar. Të gjithë bashkë kanë kushtuar 44 milionë euro. Por u larguan gjithashtu Sakai, Tovë, Maksim Lopez.

BREXIT DHE PREMIER – Kampionati anglez vazhdon të mos ketë rivalë në merkato. Në vitin 2020, në mesin e pandemisë kaluan për herë të pestë radhazi barrierën e 1 miliard eurove. Ekzaktësisht arritën 1.5 miliardë euro. Kampionatet e mëdha shpenzuan të gjitha së bashku 1.6 miliard euro.

Kontratat e majme për të drejtat televizive deri në vitin 2025 kanë bërë që skuadrat të bëjnë blerje të frikshme. “Premier Liga ka marrë më pak goditje nga COVID-i. Vetëm një euro nga 8 që përfitojnë skuadrat angleze vjen në ditën e ndeshjes. Kjo do të thotë avantazh në bërjen e ekonomisë së klubit”, ka thënë Kieran Meguajër, profesor ekonomike.

KOSTO ZERO – Futbollistë si Aguero, Erik Garsia, Depaj, Ramos, Vajnaldum, Alaba, Çalhanoglu, Donaruma janë larguar si të lirë. Një praktikë që u pëlqen shumë drejtuesve të skuadrave. “Nuk ka likuiditet dhe futbollistët presin që të mos varen nga transferimet. Duan që të fitojnë më shumë dhe për këtë arsye e bëjnë.

Për më tepër, shumë skuadra kanë kontrata shumë të gjata me 3-4 vite dhe për këtë arsye lojtarët duan të provojnë aventura të reja”, tregon Marselino Elana, drejtor i një kompanie marketingu në Spanjë. Gjithashtu, shton se lojtarët e lirë dhe huazimet do të jenë lëvizjet më të shumta. COVID-i vazhdon të kushtëzojë gjithçka.

MERKATO

SHPENZIMET

Lajpcig 91.62 mln

Man. Junajtid 85 mln

PSG 76 mln

Lestër 50 mln

Milan 50 mln

Marsejë 44 mln

Bajern 42.5 mln

Shahtjor 41 mln

Liverpul 40 mln

Noruiç 39.6 mln

MË TË SHTRENJTËT

Sançho 85 mln

Hakimi 60 mln

Upamekano 42.5 mln

Konate 40 mln

Buendia 38.4 mln

De Pol 35 mln

Daka 30 mln

Tomori 29.2 mln

Gerson 25 mln

Andre Silva 23 mln

TRANSFERIMET E LIRA

Serxho Ramos

Xhorxhinjo Vajnaldum

Xhixho Donaruma

Serxho Aguero

Erik Garsia

Memfis Depaj

David Alaba

Markos Paulo

Hakan Çalhanoglu

Zhoao Mario

PESË KAMPIONATET

Premier Liga 380 mln

Serie A 251.6 mln

Bundesliga 221.7 mln

Ligue 1 185 mln

La Liga 116.5 mln

Related posts

E KRAHASONIN ME KAKAN/ Pjaca NUK po bind në Firence, drejtuesit gati ta rikthejnë te…

Isa.Autor

Turneun e ndërprerë nga Serbia, EHF-ja e mbyll në mënyrë josportive

Sadik.Autor

KËRKON TA SJELLË NË “CAMP NOU”/ Barcelona ofron Coutinho dhe 150 milionë euro për yllin francez të PSG-së

Delo.autor

Leave a Comment