Boks Sport Të tjera

BËN KRAHASIMIN MES DY BOKSIERËVE/ Kalivopulli: Florian Marku bën shou, nuk do kishte histori përballë Beqirit

Florend Kalivopulli, president i Federatës Shqiptare të Boksit, ka komentuar paraqitjen historike të Alban Beqirit në Kampionatin Botëror të zhvilluar në Serbi. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Kalivopulli e quan 2021-shin si vitin më të artë të boksit shqiptar.

Kreu i federatës ndalet gjithashtu edhe tek akuzat e trajnerit Sead Bushati për organizim të dobët dhe pa fazë përgatitore për Kampionatin Botëror. Sipas Kalivopullit, është bërë maksimumi me mundësitë që ka federata. Presidenti i FSHB-së bën edhe krahasimin mes Florian Markut dhe Alban Beqirit, ndërsa thotë se këta dy boksierë janë si nata me ditën, duke u shprehur se njëri është kampion në shou, ndërsa tjetri në boksin e vërtetë.

Z.Kalivopulli, cili është komenti juaj për paraqitjen historike të Alban Beqirit në Kampionatin Botëror të Boksit në Serbi?

Alban Beqiri, si gjithmonë, edhe këtë herë ashtu sikurse në aktivitetet ndërkombëtare apo kombëtare, ka treguar që është një nga boksierët më të mirë shqiptarë. Për fat të mirë, me paraqitjen e bërë në Botëror u mbushi mendjen të gjithëve dhe u tregoi se kush është edhe si bokson Alban Beqiri, duke marrë medalje ashtu siç di ai. Para pak kohësh u shpall kampion Ballkani, ndërsa tani është i treti në botë.

Trajneri Sead Bushati akuzoi për një organizim të dobët të Shqipërisë, që ka shkuar në Botëror pa fizioterapist dhe pa fazë përgatitore…
Mundësitë e Federatës Shqiptare të Boksit janë këto dhe kemi bërë aq sa mundemi, si me fondin grant që na akordon shteti, por edhe me sponsorizime personale, kryesisht të miat. Mundësitë tona janë këto dhe nuk mund të bëjmë më shumë se kaq në të tilla kushte. Megjithatë, boksierëve, si Alban Beqirit ashtu edhe pjesës tjetër të ekipit kombëtar, nuk u ka munguar asgjë nga këto mundësi që ne kemi pasur. Sigurisht që ne nuk kemi dërguar fizioterapist në Beograd për arsye mundësish, por sportisti, gjë të cilën mund t’ua konfirmojë edhe vetë, është trajtuar gati çdo natë nga fizioterapist i huaj atje, me pagesë ekstra që është paguar nga ana jonë.

Ndërsa për sa i përket trajnerit Sead Bushati, ai nuk ka dashur vetë që të shkojë në Serbi, duke u justifikuar pasi me të drejtë donte një trajtim shumë më shkencor dhe shumë më të mirë në fazën përgatitore të boksierëve, por siç e thashë kjo është jashtë mundësive tona. Unë personalisht i kisha bërë të ditur që ne do të përgatitemi me këto mundësi që kemi dhe kështu bëmë. Seadi nuk kishte besim që mund të shkonte deri në medalje, por edhe sikur të mos merrnim medalje, kemi detyrim ndaj boksierëve që të shkojmë.

Ndërkohë, duke analizuar rezultatet, viti 2021 mund të konsiderohet pa frikë si viti më i artë për boksin shqiptar…
Sigurisht, këtë vit ne kemi arritur katër rezultate të jashtëzakonshme, pa përmendur këtu edhe dy nënkampionë të Ballkanit. Kemi një vend të tretë në Europianin e të rinjve me Ariol Zenelin. Kemi dy kampionë Ballkani, si Alban Beqiri dhe Denis Nurja, ndërsa tani kemi edhe rezultatin më të mirë të të gjitha kohërave, vendin e tretë në botë përsëri me Alban Beqirin. Janë rezultate historike të boksit shqiptar. E përsëris, me kaq mundësi sa kemi këto janë rezultate të shkëlqyera, sigurisht nëse do të kishim më shumë mundësi, edhe rezultatet do të ishin akoma më të larta, por të dalësh në vend të tretë në botë nuk është pak.

Vetëm pak kohë më parë titulli IBF Internacional i fituar nga Florian Marku bëri shumë jehonë. A mund të krahasohet me një medalje në botëror të fituar nga Alban Beqiri?
Nuk ka lidhje fare, janë si nata me ditën, janë shumë larg. Kampioni i vërtetë është Alban Beqiri dhe nuk ia vlen fare të diskutohet një temë e tillë. Alban Beqiri ishte në Botëror mes boksierëve më të mirë të globit nga 88 shtete, ku u ndesh me short dhe eci hap pas hapi, duke u renditur deri në vend të tretë në botë. Bëhet fjalë në një garë ku kishte kundërshtarë yje të boksit botëror dhe kampionë olimpikë. Ky krahasim nuk ia vlen të bëhet! Këtu kemi të bëjmë me një boksier që punon së bashku me trajnerin e tij ditë dhe natë edhe pse jo me mundësitë e duhura ekonomike.

Nëse do të kishim një duel të mundshëm mes Alban Beqirit dhe Florian Markut, të cilët janë edhe në pesha të përafërta, si mendoni se do dilte sfida?
Kjo ndeshje nuk do të kishte histori. E them me bindje të plotë se Alban Beqiri është një boksier shumë herë më i mirë se Florian Marku. Beqiri është një kampion i vërtetë boksi, ndërsa në krahun tjetër kemi një boks që më shumë është për shou dhe biznes.

Related posts

DEKLARATA PËR NDESHJET E KTHIMIT NË CHAMPIONS/ Mourinho provokon: Këta dy skuadra do të eleminohen…

Delo.autor

LAJM I MIRË/ Formula 1 hap dyert për tifozët, në Mugello 3 mijë bileta në shitje

Delo.autor

TIFOZËT “ÇMENDEN” PËR FIZIKUN E SAJ/ Gazetarja e sportit harron të veshë të brendshme, shikoni sa seksi duket…

Delo.autor

Leave a Comment