Formula 1 Sport Të tjera

FORMULA 1/ “Vettel mentor për mua”, djali i legjendës Schumacher: Ja çfarë kam trashëguar nga im atë

Mik Shumaker disa javë më parë mbylli edhe sezonin e tij të parë në karrierë në Formulën 1. Së bashku me Nikita Mazepin, kolegun e skuadrës te Haas, ishin pilotët e vetëm që nuk arritën të merrnin asnjë pikë në kampionat. Por, duke parë moshën dhe makinën modeste, kjo sigurisht që ishte diçka e parashikuar.

Ndërkohë, në një intervistë për mediat gjermane, djali i legjendës Majkëll Shumaker, ka komentuar sezonin e tij të parë në elitën e automobilizmit.

“Jam ndier menjëherë mirë në F1 dhe kjo besoj se është gjëja më e rëndësishme. Argëtohem dhe makinat janë shumë më të shpejta në krahasim me kategoritë e tjera, gjë që më tërheq pa masë.”

“Objektivin tim të parë tashmë e kam arritur, që ishte pjesëmarrja në F1, ndërsa tani synoj të reduktoj diferencat me kundërshtarët”, shprehet fillimisht Mik Shumaker, i cili më tej shton:

“Nëse nuk u referohemi pikëve, por përmirësimit nga java në javë, mund të them se jam i kënaqur me sezonin tim të parë. E kisha menduar më stresues. Madje, nuk i kam pasur problem as zhvendosjet e shpeshta nga njëri kontinent në tjetrin, pasi fle në avion.

“Sebastian Fetel po më ndihmon shumë dhe për mua ai është një mentor, ashtu sikurse im atë ka qenë për të. Më jep këshilla dhe takohemi shpeshherë. Madje, kur gjejmë kohën darkojmë së bashku. Ndërsa për sa u përket gabimeve, jam i kënaqur, pasi kështu kam pasur mundësinë ta njoh më mirë si makinën ashtu edhe Formulën 1”, deklaron 22-vjeçari.

SHUMAKER DHE I ATI – Në vitin 2022, Shumaker, përveçse do të vazhdojë të garojë me makinën Haas, do të jetë gjithashtu edhe një pilot rezervë te Ferrari. Krahasimi me të atin, Majkëll, është i pashmangshëm: “Mua nuk më pëlqejnë krahasimet, por kur bëhet fjalë për tim atë, e marr me kënaqësi. Më thonë se jemi të njëjtë.”

“Më ka impresionuar gjithmonë energjia dhe forca që im atë ka përdorur për të fituar gara dhe kampionate. Arrinte gjithnjë që të përqendrohej 100%. Besoj vërtet që edhe unë kam arritur të trashëgoj diçka prej tij në këtë aspekt”.

Ndërkohë, për sa i përket dokumentarit të publikuar së fundmi për jetën dhe karrierën e Majkëll Shumakerit, Mik shprehet:

“Janë  përqedruar edhe tek aspekti i tij human, përtej pjesës së sukseseve në pistë. Mendoj që kanë realizuar diçka të bukur, edhe pse për mua ka qenë e vështirë që ta shikoj. Ky është një tregues i qartë që bëhet fjalë për një dokumentar tepër emocionues”.

E ARDHMJA – Në sezonin e ardhshëm Mik kërkon që të jetë më shumë konkurrues. “Dëshirojmë që të kemi një makinë në lartësinë e duhur dhe të jemi në mënyrë konstante në luftë për zonën e pikëve.”

“Ëndrra ime është që të luftoj për titullin kampion. E di që nuk është diçka realistike, por nëse nuk do të kisha këto ëndrra dhe objektiva, atëherë nuk do të isha pjesë e Formulës 1.”

“Gjithashtu, dua ta shfrytëzoj vitin 2022 për të synuar kalimin në ndonjë skuderi të madhe. Ky është objektivi im”, përfundon Mik Shumaker.

Jemi në fundvit, në kohë bilancesh, por objektivat e pilotit gjerman tashmë janë të fiksuar.

Related posts

“PËRULU PARA MBRETIT”/ Bomberi Ibra i kundërpërgjigjet thumbës së Lukaku me… kapuçino (FOTO)

Delo.autor

Futboll në qytetin “pa diell”/ Aty ku tymuesit nuk janë… koreografi (FOTO+VIDEO)

Isa.Autor

ZYRTARE/ U largua nga Kukësi, Skënderbeu nënshkruan kontratën 3-vjeçare me … (FOTO)

Delo.autor

Leave a Comment