Futboll Kategoria Superiore Sport

“KORREKTËSINË FINANCIARE E SHPËRBLEJMË ME REZULTATE”/ Moçka: S’na ndal as balta, e kemi harruar krizën

Kampion në fund të sezonit dhe sa më larg në Kupën e Shqipërisë. Shpëtim Moçka shpall objektivat e klubit, në një intervistë për “Panorama Sport”. Portieri është i kënaqur nga ecuria pozitive, ndërsa premton se skuadra nuk do të dijë të ndalet. Përballet për herë të parë me fushat me baltë të kësaj kategorie, por është i bindur se asgjë nuk do ta pengojë Flamurtarin në rrugën drejt ringritjes në elitë.

Fituat edhe në moçal, të vështira fushat në Kategorinë e Dytë?

Po, është e vërtetë. Terreni në javën që kaloi ka qenë i papërshtatshëm për t’u luajtur një futboll cilësor. Kështu ndodhi edhe në Gjirokastër. Ishte një situatë shumë problematike sa i takon fushës, por ekipi ka treguar karakter dhe luftë sportive. Ka qenë një fitore e merituar nga ana jonë. Jemi në krye dhe vazhdojmë të mos ndalemi në rrugëtimin tonë.

Pamjet nga këto fusha kanë bërë edhe xhiron e rrjetit. E keni ndeshur ndonjëherë gjatë karrierës këtë situatë?

Jo. Asnjëherë nuk jam ndeshur me këto fusha skandaloze. Ishte hera e parë që luaja në të tilla kushte. Por, ja që ka gjithnjë një herë të parë. Javën e 9-të që të gjitha fushat e kësaj kategorie kishin të njëjtën tablo, ishin të rënduara sa s’ka më. Janë terrene shumë të vështira që nuk të lejojnë që të shpalosësh potencialin që zotëron. Në këto kushte nuk flitet më për futboll.

Si asnjëherë më parë, keni 6 fitore radhazi. Si ndiheni?

Ndihemi mjaft mirë, ndonëse kemi bërë vetëm detyrën. Kemi një atmosferë premtuese brenda grupit, gjithçka po shkon në perfeksion. Në këto kushte jemi të përgatitur t’i mbyllim me sukses edhe këto dy takime që na kanë mbetur për këtë vit. Patjetër që edhe në dy ndeshjet e radhës futemi në fushë për të marrë 6 pikë.

Morët premion e parë, por klubi ka premtuar sërish. I keni harruar problemet ekonomike që kishit në të shkuarën?

Presidenti ka qenë superkorrekt në çdo aspekt. Tani na del neve për detyrë t’ia shpërblejmë në fushën e lojës, duke dhënë maksimumin për të arritur objektivin që të gjithë kemi.

Projekti i Flamurtarit është 2023-shi, a do të riktheheni në Kategorinë Superiore?

Pa diskutim që po! Flamurtari është rastësisht këtu ku ndodhet. Kjo është një skuadër me emër të madh dhe traditë. Shumë shpejt do ta kthejmë ku e ka vendin.

Ju duket e vështirë kjo kategori?

Të them të drejtën, e vështirë është. Të gjithë dinë të luajnë futboll, por ne jemi një ekip cilësor me kualitet që bëjmë diferencën nga të tjerët.

Keni qenë disa javë i dëmtuar, ndiheni më mirë tani?

Po, e kam kaluar dëmtimin, i përket së shkuarës tashmë. Jam në formën më të mirë të mundshme dhe gati të jap maksimumin për Flamurtarin. Dua të arrijmë objektivin.

Objektivi është vetëm ngjitja apo diçka më shumë se kaq?

Shpallja kampion në këtë kategori dhe të shkojmë sa më larg në Kupën e Shqipërisë, këta janë objektivat e Flamurtarit për këtë edicion.

Related posts

U INJORUA NGA NEYMAR/ Hakmarrja e Draxler është e hidhur

F.autor

MEDIAT SPANJOLLE PLASIN BOMBËN/ Modric tek Inter, me kosto zero (DETAJE)

Isa.Autor

Neymar vendos për trajnerin e ardhshëm të PSG

Sadik.Autor

Leave a Comment