Sport Të tjera

PESHËNGRITJE/ Shqipëria mbyll garat në Botëror, Shoraj e Godelli larg kreut

Shqipëria ka mbyllur ditën e djeshme konkurrimin e saj në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes që po mbahet në Tashkent të Uzbekistanit. Krenar Shoraj dhe Daniel Godelli nuk mundën të linin gjurmë në kategorinë e peshave 89 kg, teksa i mbyllën garat larg kreut. Të dy i matën forcat në Baterinë B, por rezultatet e tyre ishin shumë larg zonës së medaljeve.

KRENAR SHORAJ – Shtangisti vlonjat e filloi garën duke kaluar me sukses provën e parë me 151 kg në shkëputje. Edhe në provën e dytë arriti që të realizonte saktë 157 kg, ndërsa dështoi në tentativën e tretë me 163 kg. Në stilin e shtytjes 29-vjeçari e fillon duke ngritur 190 kg, për të dështuar më pas në dy provat e radhës me 194 kg. Kështu, me 347 kg në dygarësh, Krenar Shoraj pozicionohet në vendin e 13-të mes 27 konkurrentëve.

DANIEL GODELLI – Vite më parë rezultatet e tij ofronin garanci në arenën ndërkombëtare, por tashmë peshëngritësi peqinas është shumë larg lavdisë së dikurshme. Në garën e djeshme Godelli e startoi shkëputjen me provën e parë të suksesshme me 145 kg, por më pas dështoi dy të tjerat me 150 dhe 151 kg. Në shtytje 29-vjeçari kaloi provën e parë me 175 kg, e më pas nuk mori më pjesë në dy provat e tjera, duke e mbyllur dygarëshin me 320 kg. Me këtë rezultat Godelli pozicionohet në vendin e 21-të.

BILANCI – Gjithsesi, bilanci i Shqipërisë në Botëror mbetet i shkëlqyer, e kjo për meritë të Briken Caljes, i cili u shpall kampion bote në stilin e shkëputjes, si dhe nënkampion në stilin e shtytjes e në dygarësh. Një rezultat historik që ngriti peshë zemrat e miliona shqiptarëve.

Gjithashtu fantastik u tregua edhe Erkand Qerimaj, i cili u klasifikua në vendin e katërt, në shkëputje, shtytje dhe dygarësh, duke qenë shumë pranë podiumit. Një sportist që tregoi nivel shumë të lartë, ndonëse në një kohë të shkurtër ka rënë 8 kg, duke ndryshuar kategorinë nga 81 kg, në atë 73 kg.

Evangjelia Veli shkëlqeu në shkëputje, duke u renditur e katërta, por dështoi në provat te stili i shtytjes dhe nuk u klasifikua në dygarësh. Kështu, kuqezinjtë kthehen nga Uzbekistani me rezultate shumë të mira, ku edhe një herë tjetër peshëngritja konfirmohet si sporti më i suksesshëm i vendit nëarenën ndërkombëtare.

Ky ishte edhe evenimenti i fundit për vitin 2021 për shtangën shqiptare, që do të rikthehet në sezonin e ardhshëm me gara madhore, ku priten të tjera medalje, duke nisur që nga moshat e deri te skuadra e të rriturve.

Related posts

REKORDI I ÇMENDUR/ Hidhet PA PARASHUTË nga avioni, shikoni ku përfundon (VIDEO)

Isa.Autor

Braçe sulmon sërish Dukën: Vijon që të manipulojë kampionatet

Q.Autor

GLADIATORI I MESFUSHËS/ Rikthehet “pitbulli” Abrashi, tregon gjendjen e tij (VIDEO)

Isa.Autor

Leave a Comment