Futboll Kategoria Superiore Sport

SFIDAT ME RIVALËT/ Laçi është prova e zjarrit për pretendimet e Dinamos

Faza e parë mund të ketë qenë një lloj stazhi për Dinamon, që duke qenë se vinte nga një mungesë e gjatë në Superiore, parashikohej të kishte vështirësi, pavarësisht investimit të madh të verës. Skuadra e trajnerit Shkëmbi shfaqi luhatje të mëdha, sidomos në disa nga ndeshjet me rivalët direkt për vendet e kreut, ku nuk mundi të merrte më shumë se 3 pikë, pas barazimeve me Laçin, Teutën dhe Partizanin.

Blutë u mundën nga Vllaznia fillimisht, por edhe nga Kukësi dhe Tirana, çka bëri që ata të mbeteshin në katet e poshtme të tabelës, por edhe të “hiqnin dorë” shpejt nga titulli dhe të vendosnin si objektiv të ri Kupat e Europës. Edhe ato vështirë se arrihen, nëse nuk mposhtin rivalët direktë.

MALORJA NIS NË LAÇ – Me Laçin nis malorja e bluve. Në fazën e parë nuk fituan asnjë ndeshje ndaj pretendentëve. Nesër Dinamo nis xhiron e dytë të ndeshjeve me rivalët direktë në fushën e Laçit. Vjen pas fitores me Kastriotin, ashtu si dhe në fazën e parë, por prova e së vërtetës janë pikërisht ndeshjet që nisin nesër me Laçin e për të vazhduar pastaj me Teutën, Partizanin dhe Vllazninë, pastaj një ndeshje më e lehtë në letër me Skënderbeun, për t’u mbyllur me derbin me Tiranën. Tani këta kundërshtarë njihen më mirë nga dinamovitët, po ashtu skuadra, pas 10 ndeshjesh të zhvilluara në kampionat duhet të krijojë një lloj stabiliteti apo profili të sajin. Edhe pse mungesat nuk i janë ndarë asnjëherë trajnerit Shkëmbi, ashtu si dhe tani, Dinamo duhet të tregojë një tjetër fytyrë ndaj rivalëve, fitoret ndaj të cilëve kanë vlera të dyfishta.

ASNJË FITORE – Në mbyllje të fazës së parë Dinamo e shihte veten afër fundit të tabelës pikërisht për faktin se nuk fitoi asnjë nga 6 ndeshjet me rivalët direktë. Nga 18 pikë të mundshme, blutë morën vetëm 3, një shifër shumë e ulët kjo në raport me skuadrat e tjera që pretendojnë titullin kampion apo edhe Kupat e Europës. Në Laçin, kundërshtarin e nesërm, Dinamo barazoi 1-1 në Elbasan. Dy rezultatet e tjera pozitive ndaj rivalëve janë barazimet me Teutën në Rrogozhinë dhe me Partizanin në Elbasan.

Humbjet 6-3 me Vllazninë dhe 4-0 me Tiranën është më mirë që blutë të mos i kujtojnë, ndërsa humbja 0-1 ndaj Kukësit është një nga ato ndeshje ku fati i ka dënuar kryeqytetasit. Kualifikimi në çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, duke eliminuar Tiranën, si dhe fitorja 0-1 ndaj Skënderbeut në Korçë, ku asnjë skuadër tjetër nuk ka fituar, deri tani janë “arritjet” më të mëdha të bluve. Nëse kalojnë me sukses maloren që nis nesër nga Laçi, atëherë ata do të kenë vërtet shanse reale për të shkuar në Europë që në sezonin e parë të rikthimit në Superiore.

Related posts

LIVE/ Brazil-Peru, starton finalja e Copa America në “Marakana”

Delo.autor

MERKATOJA E JANARIT/ Chelsea arrin marrëveshjen me zëvendësuesin e Fabregas

Delo.autor

NË SPANJË TË SIGURTË/ Perez po përgatit goditjen e madhe, zëvendësuesi i Ronaldos është…

Isa.Autor

Leave a Comment