Sport Të tjera

VOLEJBOLL/ Rrëfehet kapitenia bardheblu, Xhenifer Pira: Tirana si familje, derbi më emocionon

Prej disa muajsh mban peshën e kapitenes te Tirana e volejbollit të femrave, por Xhenifer Pira duket se po e kalon me sukses këtë mision, teksa skuadra bardheblu po realizon një sezon të shkëlqyer. Pira është një nga lojtaret kryesore të ekipit, si dhe një nga volejbollistet më të mira të kampionatit.

Me mbylljen e pjesës së parë të sezonit, 25-vjeçarja është rrëfyer në një intervistë për “Panorama Sport”. Pira flet për fillimet e saj në volejboll dhe tregon se si është të jesh pjesë e sportit të rrjetës në vendin tonë. Ajo gjithashtu tregon ndryshimet në klubin bardheblu dhe risitë që ka sjellë trajnerja Amarilda Prenga. Nuk mund të mungonte as bilanci për sezonit aktual dhe një koment mbi kundërshtarët, ku për Pirën sfidat derbi me Partizanin mbeten pa diskutim ato më emocionueset. Ndërkohë, për sa i përket situatës në volejbollin shqiptar, Xhenifer Pira thotë se rikthimi i ekipeve zinxhir është një nga gjërat më të rëndësishme që duhet përmirësuar.

Xhenifer, si ju ka lindur pasioni për volejbollin?
Unë vij nga një familje sportdashëse, por asokohe jo me një fokus për t’u angazhuar personalisht. Është bërë shkak rastësisht trajnerja ime e parë, Rudina Omari, të cilën e falënderoj që më bëri pjesë të kësaj bote të bukur, që zgjoi tek unë një pasion, i cili nuk është shuar ende deri më sot. Fillimisht ti argëtohesh e më pas të shoqëron dhe ndjenja e kontributit për pasionin që ushtron.

E mbani mend ndeshjen tuaj të parë me ekipin e të rriturave? Sa vjeçe keni qenë atëherë?
Sigurisht që po. Kalimi i hallkave, pra i ekipeve zinxhir, për të përfunduar te skuadra e parë, është fokusi kryesor që të shtyn për të punuar më shumë e për të përjetuar emocione akoma edhe më të forta. Sigurisht që nuk është e lehtë që të sigurosh vendin tënd në ekipin e të rriturave, pasi duhet shumë vullnet dhe punë sistematike, sepse edhe përgjegjësia është më e lartë. Kam qenë 18 vjeçe kur kam debutuar për herë të parë me ekipin e të rriturave të Tiranës.

Si është të jesh volejbolliste në Shqipëri?
Mendoj se të qenët sportist është një profesion shumë i bukur. Por, në vendin tonë të vogël është një profesion i vështirë për t’iu dedikuar tërësisht sportit, për vetë faktin që nuk merr vëmendjen e duhur. Nuk ke një normë kthimi që të të kompensojë gjithë kontributin që ti jep për sportin. Mirëpo janë pasioni dhe dëshira që qëndrojnë më lart dhe i mbulojnë kostot.

Cila është ëndrra e Xhenifer Pirës?
Besoj se ashtu si çdokush, edhe unë dua të jem një njeri i realizuar në të gjithë prizmat, që të kem arritur objektivat e mi profesionalë e personalë, me një karrierë të gjatë sportive. Por, të jem një njeri me këmbë në tokë e mbi të gjitha një njeri i mirë. Mirësia nuk i kushton asgjë askujt!

E shikoni veten në një eksperiencë jashtë vendit?
Pa dyshim që eksperienca jashtë vendit është ndër gjërat më të lakmuara për sportistët. Të shfaqësh në një vend të huaj atë se çfarë ti je e aftë të bësh është një arritje, është një e mirë që ty të besohet. Kështu që, pse jo, eksperienca të tilla e kanë gjithmonë derën e hapur.

Duke u kthyer tek aktualiteti, si do ta komentoni këtë pjesë të parë të sezonit dhe deri ku mund të arrijë kjo Tiranë? Cilët janë objektivat?
Sezoni aktual ka qenë goxha i kënaqshëm për ekipin e Tiranës. E mbyllëm fazën e parë të kampionatit në vendin e dytë, ndërsa në fazën e grupeve për Kupën e Shqipërisë jemi në vend të parë. Një Tiranë e ristrukturuar, me një grup vajzash të reja që kanë dëshirë për të arritur diçka, mendoj që mund të bëjë akoma dhe më tepër. Kemi fatin që kemi mbështetjen e shefes sonë të klubit, Deborah Keçit, ku gjej hapësirën për ta falënderuar për të gjithë punën që ka bërë, për përpjekjen dhe dashamirësinë që ajo ka treguar. Dhe, për sa kohë ne ndihemi mirë edhe kemi mbështetje, do të bëjmë më të mirën tonë për të arritur dhe objektivin final që është titulli kampion.

Për sa u përket paraqitjeve në aspektin personal, jeni e kënaqur me veten?
Unë nuk kënaqem kollaj me veten time. Gjithmonë përpiqem të gjej gjëra që t’i përmirësoj, pasi nuk mund të jesh gjithmonë në 100% tënd. Por, ndihem mirë që nga viti në vit kam fituar atë eksperiencë që po më mundëson të shfaq atë çfarë unë mundem të bëj për ekipin. E sigurisht që ajo çfarë më kënaq më tepër personalisht është fakti që lojtaret e tjera të ekipit kanë besim tek unë, mbështeten tek unë dhe kjo gjë më shtyn që të punoj akoma edhe më tepër, në mënyrë që të bëjmë më të mirën e mundshme të gjitha bashkë.

Cilat janë risitë që ka sjellë në skuadër trajnerja Amarilda Prenga?
Ami është përpjekur të ushqejë pasionin e madh për volejbollin te të gjitha vajzat e skuadrës, duke na e bërë si të pandashme. I ka dhënë një rëndësi akoma edhe më të madhe përgatitjes fizike, shoqëruar edhe me elementet teknike të volejbollit. Është e palodhur në punën e saj, kërkon të ndryshojë mënyrën tonë të perceptimit edhe të krijojë një familje të dytë për ekipin.

Cilin ekip shikoni si kundërshtarin tuaj kryesor?
Aktualisht është vështirë të përcaktosh vetëm një rival kryesor në kampionat. Pa dyshim që ne vlerësojmë të gjitha skuadrat me të cilat ndeshemi, mirëpo pa diskutim që emocionet më të mëdha i merr derbi i kryeqytetit. Duke pasur parasysh dhe vitet e fundit që Partizani ka dalë kampion, mbetet një rival i drejtpërdrejtë yni. Ndërkohë që surpriza e këtij sezoni është edhe Skënderbeu, i cili falë blerjeve të huaja që ka bërë, është gjithashtu një rival kryesor. Por, nuk dua të lë pa përmendur edhe Barletin e Vllazninë, që janë shumë simpatike dhe realizojnë një lojë mjaft të bukur.

Nëse do të kishte diçka që do të dëshironit të ndryshonit në volejbollin shqiptar, cila është ajo?
Gjithmonë do të ketë vend për përmirësime, por ajo çfarë mendoj se i duhet patjetër volejbollit tonë është rikthimi sërish i ekipeve zinxhir, pavarësisht tentativave pozitive që po bëhen nga federata. Brezi i ri, elementet e reja do t’i jepnin akoma edhe më shumë ngjyra vazhdimësisë së këtij sporti. Gjithashtu do të kisha dashur shumë që edhe vëmendja mediatike të jetë më e madhe, të ketë më shumë lobim për të zgjuar interes më të gjerë edhe për t’i ftuar të gjithë njerëzit të bëhen pjesë e emocioneve që të fal sporti.

Related posts

E ARDHMJA E STOLIT MBETET E PAQARTË/ Allegri zbulon kartat, ja kërkesat ndaj presidentit të Juventus

Delo.autor

I JASHTËZAKONSHËM/ Dele Alli mahnit “Old Trafford” me një super gol (VIDEO)

Delo.autor

ARSENAL-LIVERPOOL/ Aksion perfekt nga “Të Kuqtë”, Sadio Mane zhbllokon sfidën (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment