Futboll Sport

KAMPIONËT E DEKADËS/ Nga Martini tek Duro, ja ku janë sot trajnerët që fituan titullin

Të gjithë trajnerët që janë shpallur kampionë në vitet e fundit në Itali apo edhe në ndonjë vend tjetër ndihen gjithmonë të vlerësuar dhe janë pothuajse të gjithë në aktivitet, ndërsa po të hedhim një vështrim në realitetin shqiptar për të parë se ku janë trajnerët që në 11 vitet e fundit janë shpallur kampionë me skuadrat e tyre respektive, bie në sy që një pjesë e mirë nuk janë fare në aktivitet, si Duro, Gega apo Gjoka.

EDI MARTINI
Shkodrani që shpalli kampion Teutën në sezonin 2020- 2021, është akoma pjesë e durrsakëve dhe drejton aktualisht skuadrën. Para 4-5 javëve ai u largua nga posti i trajnerit, por pas tri ndeshjeve Martini u rikthye sërish në stol.

EMANUEL EGBO
Nigeriani që u kurorëzua me Tiranën kampion në një sezon fantastik si ai i vitit 2019-2020, aktualisht është pa skuadër, por përflitet për një kalim të tij në Arabinë Saudite te skuadra e Ohod FC në postin e zv/trajnerit, por nuk ka ende asgjë zyrtare.

SKËNDER GEGA
Në sezonin 2018-2019, trajneri Skënder Gega i riktheu titullin kampion Partizanit pas 26 vitesh. Ai u largua nga Partizani që pas fitimit të titullit dhe një sezon më vonë u emërua në stolin e Kukësit, por dha dorëheqjen pas vetëm dy muajsh. Sot ai nuk drejton një ekip profesionist, por është përkushtuar te akademia private e tij, duke u marrë me stërvitjen e moshave.

ILIR DAJA
Mbetet trajneri i fundit që shpalli Skënderbeun kampion, në sezonin 2017-2018. Kryeqytetasi ndërpreu kontratën me Partizanin pak ditë më përpara dhe dje është zyrtarizuar te skuadra e Ballkanit. Kjo do të jetë aventura e parë e Ilir Dajës në Superligën e Kosovës.

ERNEST GJOKA
Ai solli titullin e parë kampion në historinë e skuadrës së Kukësit në sezonin 2016-2017 me një rivalizim të frikshëm ndaj Skënderbeut të asaj kohe, duke e mbyllur kampionatin pa pësuar asnjë humbje. Aktualisht është pa ekip, aventura e fundit e tij ishte te Shkëndija e Tetovës, ku qëndroi afërsisht për dy vite.

MIREL JOSA
Ai fitoi plot katër tituj kampionë në drejtimin e korçarëve, 2012-2016, dhe ishte edhe strategu që ai Skënderbe i para disa viteve luante ashtu në fushë. Ka vetëm dy muaj që Mirel Josa është ulur në stolin e skuadrës së Laçit, duke e ngjitur menjëherë ekipin nga pozitat e fundit në vendin e tretë në klasifikim dhe vazhdon të mbajë akoma një seri prej pesë fitoresh radhazi.

STANISLAV LEVI
Trajneri çek u shpall kampion vetëm një herë me Skënderbeun në sezonin 2011-2012. Pas kësaj u rikthye edhe një herë te Flamurtari tri sezone më pas, por e mbylli pas tre muajsh qëndrimi. Aktualisht nuk drejton asnjë ekip dhe për herë të fundit është ulur në stol në vitin 2017 te skuadra çeke e Sllovaçkos.

SHPËTIM DURO
Ai zëvendësoi Shkëlqim Muçën dhe ishte trajneri që u kurorëzua kampion me Skënderbeun në atë sezon plot polemika të vitit 2010-2011. Që nga ajo kohë ka ndërruar disa ekipe, si Vllaznia, Kukësi, Partizani, Shkëndija dhe së fundmi Laçi, ku u largua pa filluar sezoni i ri. Në këto momente është i paangazhuar me ndonjë ekip.

Related posts

“TËRBOHET” NË MERKATO “MBRETI” I CHAMPIONS/ Liverpool gati 95 milionë euro për yllin e “Los Blancos”…

Delo.autor

Klubi “Partizani i Beogradit” i kushton Vokrrit një shkrim të tërë falënderues, tregojnë për ndeshjet e tij

Sadik.Autor

Courtois drejt Real Madrid, Chelsea gjen zëvendësuesin e tij

Q.Autor

Leave a Comment