Futboll Kategoria Superiore Sport

FIFA I DHA TË DREJTË LOJTARIT/ Skënderbeu padit në KAS mesfushorin Shqiprim Taipi

Klubi i Skënderbeut ka apeluar në KAS-in e Lozanës gjyqin e humbur me mesfushorin Shqiprim Taipi, i cili deri në qershor të vitit 2021 ka qenë pjesë e korçarëve, ndërsa këtë sezon luan për Kukësin.

“Panorama Sport” zbuloi vendimin që kishte marrë FIFA më 21 tetor 2021, teksa detyrohej klubi t’i shlyente lojtarit 56 mijë euro borxh dhe gjithashtu Skënderbeu dënohej me një gjobë prej 7500 dollarësh.

Mirëpo, në klubin korçar janë irrituar shumë dhe duke qenë të bindur se kjo shifër është jashtë realitetit dhe pretendimeve të futbollistit, kanë ankimuar në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Zvicër.

Madje, klubi ka vënë në dispozicion të gazetës edhe një shkresë zyrtare të firmosur nga vetë lojtari, ku citohet se palët nuk kanë asnjë detyrim dhe Taipi konsiderohej futbollist i lirë.

Ekskluzivisht për “Panorama Sport” ka bërë dje një reagim zyrtar vetë klubi, duke sqaruar hapin e ndërmarrë për mesfushorin që luajti dy vite e gjysmë në Korçë.

“Pasi jemi njohur me vendimin e FIFA-s, çështjen e Taipit e kemi dërguar në KAS. Lojtari nuk i ka deklaruar pagesat e rregullta që ka marrë nga ne si klub.

Faksimile e lejekalimit të firmosur nga drejtori i Skënderbeut, Ilirjan Përmeti, dhe mesfushori Shqiprim Taipi, ku saktësohet ndërprerja me konsensus e kontratës dhe që palët nuk kanë asnjë detyrim financiar, ligjor apo administrativ ndaj njëri-tjetrit.

Ai ka dërguar në FIFA gjurmët bankare që ka dashur, duke mohuar të tjerat, që janë lehtësisht të verifikueshme. Për shkak të një vonese në plotësimin e dokumentacionit, nuk na u mor parasysh mbrojtja që paraqitëm në FIFA për këtë gjyq.

Në janar të vitit të kaluar lojtari donte të shkonte te Kukësi dhe firmosi një marrëveshje që nuk kemi asnjë detyrim ndaj tij.

Tashmë kërkon gjëra që nuk i takojnë, në një kohë që i ka marrë paratë. Detyrimi ka qenë shumë i vogël dhe kjo do të konfirmohet nga KAS-i, duke rrëzuar pretendimin.

Nuk ka shans që t’i kemi 56 mijë euro borxh Taipit.

Absurditeti është që për këtë çështje kemi marrë edhe një gjobë nga FIFA, diçka unike”, i thanë dje gazetes burime zyrtare në klub.

Javën e ardhshme pritet që klubi korçar të vërë në dispozicion të KAS-it të gjithë do kumentacionin që vërteton se Taipi është paguar. Gjatë aktivizimit me Skënderbeun, lojtari 24-vjeçar ka pasur një rrogë prej 2500 eurosh në muaj.

Në vendimin e publikuar nga FIFA për gjyqin e fituar, futbollisti ka pretenduar se në 25 muaj qëndrim te Skënderbeu, ka përfituar vetëm 6 mijë euro.

Related posts

ZYRTARE/ Nuk ka më dyshime, Gavazaj gjen ekip të ri. Firmos për skuadrën e…

Delo.autor

MUNGON ZYRTARIZIMI/ Ish-lojtari i Chelseat darkon me “Zikaltërit”, ja kur do të prezantohet (FOTO)

Delo.autor

Monchi: Te Roma nuk ka çështje Nainggolan

Q.Autor

Leave a Comment