“Sfida e titullit” mes Napolit dhe Interit nuk rezultoi pozitive për asnjërën prej tyre, me Milanin që ishte fituesi i madh. Në “Diego Armando Maradona” ndeshja u mbyll në barazim, me mbrojtjen dhe sulmin më të mirë të kampionatit, që ndanë nga një pikë mes tyre.
Rezultati u vulos nga Insinje dhe Xheko, në pjesën e parë dhe të dytë, gola që pasqyruan atë që u dha në fushë. Fraksioni i parë njohu vetëm ngjyrën e kaltër, pasi djemtë e Spaletit u treguan menjëherë zot shtëpie dhe kaluan në avantazh që në minutën e 7-të me një penallti të shndërruar në gol nga Insinje. Doveri u desh t’i drejtohej VAR-it për ta akorduar pas ndërhyrjes së De Vrajit ndaj Osimhenit. Interi nuk mundi të dilte në lojën e tij gjatë 45 minutave të para, por gjërat ndryshuan me rikthimin në fushë për pjesën e dytë.
Zëvendëstrajneri Farris që kishte marrë vendin e Inzagit të pezulluar, iu gëzua baraspeshës së rikthyer nga Xheko në të 47-ën, kur Edini shfrytëzoi një rrëmujë në zonën napolitane pas një krosimi të Lautaros dhe nuk gaboi përballë Ospinës. Goli i dha siguri Interit që tentoi më shumë, por asnjëherë rrezikshëm. Për t’u përmendur një rast i Elmas, të cilin e ndal vetëm Handanoviç. Maqedonasi i fali, por të mërkurën vështirë se Liverpuli mund ta bëjë.
E, ndërsa vëmendja zhvendoset menjëherë te ndeshja e Champions-it, me rikthimin në fundjavë të Serisë A, zikaltërve do u duhet të bëjnë llogaritë për Sasuolon edhe pa Brozoviçin e skualifikuar për kartonë. Por, ndërsa gjërat nuk shkuan siç shpresonin zikaltrit, ata duket se e gjetën ngushëllimin tek ushqimi, e më saktë te picat. Një porosi e veçantë mbërriti në stadiumin e Napolit për klubin mik, që e zbuloi vetë piceria që bëri shpërndarjen. Me sa duket lojtarëve të Interit nuk u ka munguar oreksi, por fatkeqësisht për ta këtë herë nuk ka qenë për gola.