Futboll Sport

NOTAT E LOJTARËVE/ Mala e Bardhi “XHEVAHIRET” e Partizanit, zhgënjen mbrojtja e Kukësit

Partizani mundi Kukësin ditën e djeshme, në super sfidën e javës së tetë, dhe “demat” edhe pse pa një shkëlqim të madh në fushën e lojës, arritën të merrnin 3 pikë me shumë vlera, ndaj një kundërshtari direkt.

 

 

Vlerësimet e kësaj sfide, me notat për lojtarët e të dyja ekipeve.

KUKËSI

 

 

Frashëri 5,5 – Mund të kishte bërë diçka më shumë te goli, por tani ka gjithnjë vend për komente… Sa për pjesën tjetër, reagon gjithnjë mirë dhe bllokon si duhet dy gjuajtje të hidhura nga Asani dhe Mala.

Maliqi 5 – Nën ritmin e ndeshjes. Vuan shumë praninë e Malës në krahun e tij dhe akoma më shumë kur ai bën “rokadë” me Asanin. I druajtur në mbrojtje dhe i pasaktë në sulm kur vendos të shërbejë për shokët.

Shameti 5 – Përgjegjës te goli i vetëm që vulosi edhe humbjen e Kukësit. Bardhi fiton duelin me të dhe shërben mjeshtërisht për Malën. Në pjesën e dytë kërkon t’i japë zemër skuadrës me disa dalje të vetat, por shokët nuk e shërbejnë asnjëherë nga ajri.

Cuculi 5 – Mala i “gjarpëron” para syve dhe me një gjuajtje të befasishme i djeg kohën e ndërhyrjes. Përgjegjës edhe ai te goli sepse nuk lexon si duhet aksionin e rrezikshëm të rivalëve. Më pas ngre murin dhe bëhet pa masë i ashpër për “demat”.

Melo 5 – Do mbahet mend në këtë ndeshje vetëm për rastin e penalltisë që pretendoi në minutën e 5-të pas pengimit në zonë. Start interesant sepse shtyn mirë dhe është i shpejtë në fazën mbrojtëse, por nis të bjerë shpejt dhe bëhet fare i zakonshëm në fushë.

Shkodra 5,5 – Mesfusha ishte shumë më aktive te Kukësi dje dhe Shkodra luajti me “marsh” tjetër, por sërish nuk mjaftoi. Nga ai pritet pasimi i fundit, pra topi që Rexhinaldo thjesht duhet ta shtyjë në rrjetë. Nuk erdhi kurrë një pasim i tillë, megjithëse vuri zemrën në fushë.

Dzaria 5 – Me hatër. Luan mirë në fazën sulmuese dhe i jep Kukësit epërsi numerike, por lë shumë hapësira mbrapa. Duket si jashtë rolit dhe qartazi nuk e bën dot Musollin. (Nga min 46′ Limaj 5 – Rrit agresivitetin e Kukësit në mesfushë dhe përpiqet të ndihmojë skuadrën në të dyja fazat. Ia del deri diku, por pa mundur që të bëjë mjaftueshëm diferencën.)

Shafik 5,5 – Ndeshje me intensitet të lartë, por jo fort i kthjellët në mënyrën se si kërkon të ndihmojë ekipin për golin. Pak i vëmendshëm ndaj zonave boshe dhe përpiqet t’ia japë topin Rexhinaldos me forcë dhe jo me qetësi dhe mençuri. Ka “alergji” nga gjuajtjet jashtë zone…(Nga min 70′ Shpehar 5 – Kroson kur duhet të vertikalizojë dhe jep topa tokazi kur duhet të krosojë nga ajri. Pak harmoni me pjesën tjetër të skuadrës).

Ethemi 6 – Autoritar në fushë dhe agresiv pa masë në startin e ndeshjes. Nis të tërhiqet disi shumë pas golit të Partizanit, por më pas e merr veten. Ndihmon ekipin në të dyja fazat dhe ndoshta ai që sakrifikon më shumë te Kukësi.

Kalaja 5 – Bën një ndeshje mbi mesataren, por rastin që humbi në minutën e 58-të fare pranë portës, do ta qajë gjithë Kukësi. (Nga min 60′ Çyrbja 6 – I jep ritëm tjetër lojës sulmuese të Kukësit dhe nga krahët për disa minuta vendos në vështirësi Partizanin. Mund edhe ta kishte nisur si titullar).

Rexhinaldo 6 – I frikshëm për mënyrën se si u përvidhet mbrojtësve pas krahëve. Shumë pranë golit në 3 minutat e para. Lëviz shumë pa top, por e humbet fillin pas 30 minutave të para. Nuk shërbehet asnjëherë si duhet për gol, por megjithatë krijon hapësira në sulm dhe mban në alarm mbrojtjen e Partizanit. Duket shumë i vetmuar në sulm.

Trajneri Cungu 5,5 – Le ta pranojmë që kjo ishte një nga ndeshjet më të mira të Kukësit këtë sezon. Barazimi mund të qëndronte, edhe pse Partizani nuk vodhi asgjë. Skuadra luan mirë, është shumë agresive, afrohet si duhet te zona kundërshtare, por aty guxon pak dhe improvizon akoma më pak. Gjithsesi, për ndeshjen e djeshme nuk mund të kritikohet trajneri.

PARTIZANI

Hoxha 7 – Fantastik në tre minutat e para, kur i mohon dy herë golin Rexhinaldos. Vigjilent gjatë gjithë ndeshjes dhe ngre zërin sa herë që mbrojtjen e kap paniku.

Ibrahimi 6,5 – Një ndeshje mbi mesataren. Rrëmben topa, shtyn para dhe gradualisht fiton duelin me çdo kundërshtar që i afrohet zonës së tij. Transformim rrënjësor për sigurinë dhe vendosmërinë që ka në fushë. Fizikisht bishë.

Belica 6,5 – Rexhinaldo nuk i jep pika referimi dhe ai e vuan këtë gjë, por gjithsesi nuk e humb toruan. Lexon mirë lojën e kundërshtarëve dhe bashkëpunon mirë me Atandën.

Atanda 6,5 – I saktë në çdo ndërhyrje dhe i ashpër deri në mesfushë ndaj kundërshtarëve të tij. I fortë në lojën me kokë dhe shfrytëzon maksimalisht “filtrin” që krijon Telushi me Hilën në mesfushë, duke u paraprirë rivalëve në lëvizje.

Trashi 6,5 – I padiskutueshëm në krahun e tij. Autoritar, i zgjuar në leximin e lojës dhe ofron cilësi në fazën sulmuese.

Telushi 6,5 – Muskuj pa hesap, ndonjë gjuajtje të frikshme nga larg dhe më pas vrapime në çdo cep. Vuajti disi sepse Kukësi luante me shumë forca në mesfushë, por nuk u dorëzua asnjëherë.

Hila 6 – Gjysmë note më pak sepse e tepron me mbajtjen e topit në gjysmëfushën e vet dhe vë në rrezik skuadrën. Vrapon si i çmendur dhe e di mirë se çfarë bën në fushë. I çmuar.

Asani 7 – Gjysmë note më pak për atë karton të verdhë të marrë për protesta. Sa për pjesën tjetër, po, ai është një nga lojtarët e momentit të Superiores. I vetmi që e konkurron është Mala… Nga këmbët e tij nisi aksioni i golit dhe është gjithnjë padron i krahut ku vendos të luajë.

Mala 8 – Vrasës i të mëdhenjve. Punëtor, i shpejtë, i thjeshtë dhe… shënues. Mesfushori ka një të ardhme të ndritur nëse vazhdon kështu. Me Kukësin sakrifikoi shumë, sepse iu desh edhe të mbronte, por pasi vulosi derbin, gjunjëzon edhe Kukësin. Çfarë zbulimi ky lojtar! (Nga min 75′ Çinari – Hyn në një fazë delikate të ndeshjes dhe i duhet të mendojë më shumë për mbrojtjen.)

Mensah 6 – Vrapon në të gjitha zonat boshe në gjysmëfushën e Kukësit. Sa herë ka topin shërben thjesht dhe mirë për shokët dhe është i frikshëm në kundërsulm. Bie ndjeshëm fizikisht dhe zëvendësohet me të drejtë. (Nga min 58′ 6- Nuk ishte kjo ndeshja kur duhet të binte në sy, por as nuk stonoi).

Bardhi 8 – Goli i fitores mban edhe firmën e tij. Lëvizja që bën pasi merr topin nga Asani është thjesht e mrekullueshme dhe më pas shërben “alla Pjaniç” për Malën që nuk e zhgënjeu. Në rritje të vazhdueshme dhe më efikas se kurrë për Partizanin. (Nga min 70” Hebaj – Pa notë. Pak “shpues” në vijën e sulmit dhe pak i ndihmuar nga skuadra).

Trajneri Gega 7 – Partizani i tij fiton dhe nuk pëson. Kujt nuk i pëlqen rezultati 3-0, po i kujtojmë fitoren e Teutës… Skuadra ka besimin e duhur, është e disiplinuar dhe mbi të gjitha nuk shpërqendrohet as kur i bëjnë presion. Meritë e tij pa diskutim.

Related posts

PËRFUNDON TELENOVELA E LIBERTADORES/ Ja momenti kur River Plate ngritë titullin në “Bernabeu”… (VIDEO)

Isa.Autor

SKANDAL/ Tronditet Britania e Madhe, arrestohet për përdhunim futbollisti i Premier League

Delo.autor

ZYRTARE/ E konfirmon klubi, sulmuesi i Kukësit grumbullohet nga kombëtarja për ndeshjet e tetorit

Delo.autor

Leave a Comment