Sport Të tjera

“PEKIN 2022″/ Skiatori kuqezi del jashtë në sllallomin gjigant, Xhepa dështon në garën e parë

Në Kinë vijon zhvillimi i Lojërave Olimpike Dimërore “Pekin 2022”, event ku merr pjesë edhe Shqipëria, e cila në orët e para të mëngjesit të djeshëm bëri debutimin e saj në këtë eveniment madhor të sportit. Denni Xhepa, sportisti i vetëm kuqezi në Pekin, nuk ia doli në garën e tij të parë, në atë të sllallomit gjigant.

Skiatori 18-vjeçar nuk mundi që ta mbyllte dot konkurrimin, pasi u rrëzua që në zbritjen e parë, pa arritur që të sigurojë një vend për në finale. Por, për t’u theksuar ishin edhe kushtet shumë të këqija atmosferike, që e bënë akoma edhe më të vështirë garën, duke nxjerrë jashtë një numër të madh sportistësh.

Në kualifikuese morën pjesën 89 skiatorë, ndërsa në finale kaluan 46 prej tyre, ndërsa ishin 52 sportistët që arritën ta përfundonin garën. Për sa u përket medaljeve në disiplinën e sllallomit gjigant, ajo e arit shkoi për zviceranin Marco Odermatt me kohë të përgjithshme 2:09.35.

Medalja e argjendit shkoi për sllovenin Zan Kranjec me kohë 2:09.54, ndërsa bronzin e fitoi francezi Mathieu Faivre me kohë 2:10.69. Duke u kthyer te skiatori kuqezi, aventura e Denni Xhepës në “Pekin 2022” nuk mbaron këtu, pasi 18-vjeçari do të marrë pjesë edhe në garën e sllallomit special që do të zhvillohet në orët e para të mëngjesit të 16 shkurtit.

Xhepa shpreson që ajo garë të ketë një tjetër epilog. Shefi i delegacionit kuqezi në Pekin, Kliton Muça, komentoi garën e Denni Xhepës, ndërsa theksoi kushtet shumë të vështira atmosferike që i penguan jo pak sportistët: “Gara u zhvillua në kushte ekstreme, edhe pse një ditë më parë koha dhe pista ishin shumë mirë. Në konkurrim dolën jashtë edhe sportistë më të mirë se Denni, skiatorë që ishin pretendentë edhe për të fituar. Kjo garë ka një kthesë shumë teknike dhe shumica e sportistëve pikërisht aty kanë dështuar. Megjithatë, kemi shpresa për garën e dytë, në sllallomin special, garë që është edhe pika e fortë e Dennit”, tha Muça.

2871 sportistë meshkuj dhe femra nga 91 shtete të ndryshme të botës po marrin pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore “Pekin 2022”, duke garuar në 7 sporte dhe 15 disiplina të ndryshme. Olimpiada, e cila ka nisur më 4 shkurt, do ta ulë siparin më 20 shkurt.

Related posts

DISFATA ZHGËNJYESE NË CHAMPIONS/ Ish-mesfushori ka këtë mesazh për Juventusin: Kur një ëndërr… (FOTO)

Delo.autor

“SKUADRAT PËR TA FITUAR JANË…”/ Matthaus zgjedh favoritet e Champions dhe skuadrën e ardhshme të Haaland

Delo.autor

PËSOI ATAK KARDIAK/ Eriksen operohet në Kopenhagen, i vendoset implanti defibrilator në zemër

Delo.autor

Leave a Comment