Futboll Seria A Sport

SFIDA DERBI NDAJ INTER PËR COPPA ITALIA/ Piol: Javë e rëndësishme, por nuk vendos fatin tonë

Dy barazime radhazi në Serie A dhe përplasje e drejtpërdrejtë me Napolin e Luciano Spalletit. Megjithatë, për momentin, Milani do të duhet të vendosë kampionatin “në kllapa” dhe të mendojë për Kupën e Italisë. Në “San Siro: do të luhet nesër Derbi i Milanos, i treti i sezonit. Në të fundit, kuqezinjtë e mundën Interin me përmbysje, falë dopietës së Olivier Giroud.

Duke folur në konferencën për shtyp, Stefano Pioli prezantoi ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Italisë: “Ne do t’i qasemi sfidës me vëmendje dhe përqendrim të madh. Është vetëm ndeshja e parë, por fillimi i mirë është gjithmonë i rëndësishëm.

Problemi i Milanit në ndeshjet e fundit? Jam dakord me atë që tha Maldini: është koka që komandon trupin, të bën më të kthjellët dhe të luash me cilësi më të madhe. Jemi në një moment vendimtar të sezonit, po luhen fatet tona. Jemi rritur shumë.

Mos harroni se e filluam nga vendi i dhjetë dhe tani luajmë për Kupën e Italisë dhe kampionatin. Ndeshjet e fundit nuk kemi qenë në maksimum, mund të bëjmë më mirë. Kemi mbjellë shumë, tani duhet të fillojmë korrjen. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se mund të hedhim hapin e fundit për t’u bërë fitues. Hapi i fundit është më i vështiri për t’u hedhur. Pastaj, kemi shumë lojtarë të rinj.

Interi në krizë? Sezoni ka qenë i vështirë për të gjitha skuadrat, alternon momentet optimale dhe më pak optimale. Kampionati është shumë i balancuar, Milani dhe Interi janë ndër skuadrat më të forta. Për nesër nuk bëj dot parashikime, sepse është derbi. Si gjithmonë, kush do të fitojë më shumë duele individuale do të ketë më tepër shanse për fitore.

Kjo, java më e rëndësishme për Milanin? Tashmë kemi përballur periudha të rëndësishme, me ndeshje të forta. Kjo do të jetë një javë shumë e rëndësishme, por nuk do të vendosë fatin tonë. Në Kupën e Italisë do të ketë ndeshje kthimi. Pas Napolit në Serie A do të kemi edhe 10 ndeshje të tjera.

Derbi? Kemi nevojë për kësi ndeshjesh, duhet të bazohemi në mënyrën tonë të lojës. Na nevojitet guxim dhe forcë. Ne duam t’i fitojmë të gjitha ndeshjet. Megjithatë, jemi të fokusuar vetëm te derbi i nesërm.

Derbi dhe sjell shumë emocione e humor të mirë apo të keq. Nesër do të jetë e rëndësishme të shkojmë në finale të kupës dhe të fitojmë më shumë besim e entuziazëm për kampionatin”.

Related posts

CARDIFF – MANCHESTER UNITED/ Solskjaer e nis misionin e tij me “Djajtë e Kuq” (FORMACIONET ZYRTARE)

Isa.Autor

BEFASUESE/ U rrit tek JUVE”: Goleadori SHQIPTAR “injorohet” nga PANUCCI

Isa.Autor

E BUJSHME NË SPANJË/ Ja dy kushtet e Mourinhos për t’u rikthyer në stolin e Real Madridit

Delo.autor

Leave a Comment