Futboll Seria A Sport

“THATËSIRË” PREJ 5 NDESHJESH/ “Demi” Lautaro humb shënjestrën, por Napoli i sjell fat

“Demi” ka humbur toruan dhe nuk po e shënjestron më portën kundërshtare. Lautaro Martinez është në një nga momentet më të vështira të tij që nga mbërritja në Milano.

Ecuria e tij negative prej 5 ndeshjesh pa shënuar në kampionat rikthen fantazmat e fazës së parë, ishte më keq vetëm në 2019-ën, kur numri shkoi në 7.

Por, tashmë në radhë është as më pak e as më shumë se një nga viktimat e tij të preferuara: Napoli, kundër së cilës jo vetëm argjentinasi, por dhe të gjithë ata rreth tij presin kthesën e 24-vjeçarit.

E në këtë moment topi i kalon Inzagit, që pavarësisht formës fantastike të Sançezit duket se ka vendosur t’ia besojë numrit 10 fanellën e titullarit krah Xhekos.

OGUR I MIRË – “Axurrët” kanë qenë gjithmonë një ogur i mirë për Lautaron, që kur ka vënë këmbën në Itali. Që në sezonin e tij të parë, në një sfidë të dhjetorit të 2018-ës, sulmuesi, atëherë nën urdhrat e Luçiano Spaletit që sot është i ulur në pankinën kundërshtare, hyri si zëvendësues dhe shënoi një gol në kohën shtesë, që i dha fitoren Interit të tij dhe ishte një nga sinjalet e para të rëndësisë që do të merrte futbollisti në organikën zikaltër.

Një ngjarje kjo që Lautaro nuk e harroi, madje e ktheu në ritual, atëherë kur vetëm vitin pasardhës nën drejtimin e një tjetër trajneri, Kontes, “Demi” e gjen golin ndaj Napolit në të dyja fazat, madje duke ndihmuar në fitoren e Interit në “Maradona” (atëherë “San Paolo”), një fitore që nuk vinte prej një jete. Gjithmonë vendimtar, gjithmonë duke marrë skuadrën për dore, ku përveç cilësive të tij sportive ka ndihmuar mbi të gjitha karakteri i tij prej lideri, për të cilin më së shumti ka nevojë tani të dalë në pah, për të lënë pas një periudhë të vështirë të tij.

Sfida e “San Siro”-s – Si për ironi të fatit, edhe ndeshja e fazës së parë me Napolin, erdhi në një nga kohët më të errëta të tij. Edhe atëherë kishte 5 ndeshje pa shënuar në Serinë A dhe u desh që të shikonte ngjyrën e kaltër që të zgjohej dhe të vuloste suksesin e Interit me shifrat 3-2 në “San Siro”. Goli i katërt për të ndaj napolitanëve, që do të niste lumin e golave të tij në 5 ndeshjet pasardhëse, plot 6 të tillë. Pikërisht për këtë Lautaro ka tashmë nevojë Interi: një armë që do të ndëshkonte jo vetëm rivalët direkt dhe nuk do të lejonte hapa fals në rrugën drejt titullit, por mbi të gjitha një futbollist që do t’i jepte vetes dhe skuadrës një impuls psikologjik, që mund të shërbejë për të ardhmen më shumë edhe se vetë goli.

Stimujt për të shënuar nuk i mungojnë, Napoli i sjell fatin e mirë. Tani Lautaros i mbetet vetëm të stampojë topin në rrjetë.

Related posts

Loja e trefishtë, që dërgon Raphael Varane te Manchester United

Q.Autor

RIKTHEHET TEK FITORJA / Atletico Madrid mposht me përmbysje Granada-n dhe vazhdon i qetë në krye

Delo.autor

E PABESUESHME/ PENALLTI për Interin, ja çfarë bën ICARDI (VIDEO)

Isa.Autor

Leave a Comment