Futboll Sport

DUELI I STOLIT/ Spaleti është makthi i Piolit dhe i Milanit, strategu kuqezi do sot suksesin e parë ndaj Luçianos

Që të rigjesh një Napoli-Milan e vlefshme për titullin kampion, për më shumë në javën e 28-të të Serisë A, duhet të rikthehemi më shumë se 3 dekada pas në kohë (34 vite saktësisht), konkretisht më 28 maj 1988.

Në fund, takimi i luajtur gjithashtu në stadiumin e të kaltërve do të përfundonte me suksesin e “Djallit” në shifrat 3-2.

Bëhej fjalë për një duel ku klasi ishte epokal, legjendar, me Marko van Bastenin që mposhtte Diego Armando Maradonën, një duel i cili ia bëri autostradë Milanit në fund për të ngritur edhe titullin kampion. Ishte periudha e Maradonës dhe Van Bastenit, por edhe e Otavio Biankit dhe Arrigo Sakit në stolat respektivë, dy ndër trajnerëve që kanë lënë gjurmë ikonike në historinë e këtij sporti, por që ushqenin një futboll total, me ide konkrete, sulmuese dhe spektakolare.

Pak a shumë siç garantojnë edhe 34 vite më vonë edhe Luçiano Spaleti në stolin e të kaltërve dhe Stefano Pioli në atë kuqezi, dy strategë nga ku nis edhe ajo çfarë do të shihet sot në fushën e lojës, pasi për të kërkuar një fitore brenda 90-95 minutash, plani duhet hartuar fillimisht në letër…

SPALETI NË AVANTAZH – Trajneri aktual i Napolit e nis duelin e sotëm në avantazh. Kjo nuk ka lidhje vetëm me faktin se në fazën e parë skuadra e tij fitoi 1-0 duelin direkt në “San Siro”, por edhe për faktin se 62-vjeçari ka një bilanc shumë pozitiv kundër “Djallit” në karrierën e tij.

Në 26 precedentë Luçiano Spaleti numëron 14 fitore, 11 prej të cilave nën drejtimin e Romës, Interit dhe Napolit, ndërsa 5 takime kanë përfund uar në barazim.

Humbjet janë shtatë, por ndërkohë edhe golavarazhi i përgjithshëm flet në favor të teknikut aktual të Napolit me 37 gola të realizuar dhe 31 të pësuar.

Ndërkohë, ndërsa historia flet në favor të tij kundër Milanit, për sa u përket dueleve direkte me kolegun Stefano Pioli, këtu bilanci është edhe më shtypës. Mbrëmjen e nesërme (të dielën) në orën 20:45, Spaleti do të luajë sfidën numër 10 në Serinë A, para së cilës numëron 7 fitore dhe 2 barazime.

PIOLI NË ANKTH – Nëse sheh numrat e mësipërm, pa dyshim që Stefano Pioli duhet të merakoset, duke qenë se përveç statistikave me kolegun Spaleti ka jo vetëm një tabu për të thyer, por në të njëjtën kohë ka edhe disa lojtarë të rëndësishëm pa të cilët i duhet të bëjë.

Por akoma më shumë se kaq, ankthi bëhet edhe më i madh për trajnerin e Milanit teksa sheh se në karrierën e tij Napoli ka qenë gjithmonë një kockë e fortë për atë dhe ekipet që ka drejtuar, duke qenë se në 24 ndeshje ka dalë 10 herë i humbur dhe ka fituar vetëm 7 herë (plus 7 barazime).

Por historia është bërë për t’u ndryshuar, tabutë janë bërë për t’u thyer dhe, pse jo, personi apo edhe trajneri Pioli kërkon të përmirësohet gjithmonë, siç ka përmirësuar dukshëm Milanin pas ardhjes së tij në drejtim, duke e shndërruar nga një skuadër për Kupat e Europës në një gjigant për titullin kampion.

Related posts

Juventus – Sampdoria, formacionet zyrtare

Sadik.Autor

Plani i Superiores, ja si përfundon sezoni futbollistik

Sadik.Autor

PËRBALLJA DILLIAN WHITE-POVETKIN/ Ring në oborrin e një shtëpie, këtu do të shkruhet historia e boksit (FOTO)

Delo.autor