Futboll Sport

REZULTATET NEGATIVE/ Juventusi ultimatum Alegrit: Ke kohë deri…

Kush e priste që edhe ndeshja me Monzën, skuadrën e fundit të renditjes së Serisë A, e cila numëron vetëm 1 pikë në 6 ndeshje, do të pritej me kaq shumë ankth e frikë. Por situata në Torino është më se kaotike, sidomos pas humbjes ndaj Benfikës në Ligën e Kampioneve, e cila ka kompromentuar aventurën europiane në këtë turne, me zero pikë pas dy ndeshjeve të para.

ALEGRI 1

Nëse kapiteni Leonardo Bonuçi e pranoi pas disfatës në mesjavë se është realisht i shqetësuar, teksa nuk sheh në radhët e shokëve të tij atë shkëndijë që të mund të ndryshojë trendi negativ, edhe Masimiliano Alegri duket i përhumbur mes asaj që duhet të bëjë për të ringjallur shpirtin e vjetër juventin.

Kambanat e alarmit tashmë janë ndezur të gjitha dhe këtë e konfirmuan edhe tifozët që pas ndeshjes me Benfikën lëshuan një pafundësi vërshëllimash shurdhuese kundër lojtarëve dhe në rrjetet sociale sa vijnë e bëhen më të shumë me peticionin e tyre për të shkarkuar teknikun livornez.

 

 

Gjithsesi, në “Kontinasa” edhe pse të pakënaqur po mendojnë që t’i japin edhe një shans të fundit dhe kanë konfirmuar dje Masimiliano Alegrin.

Më saktë, i kanë vendosur një ultimatum për të ndryshuar situatën, përndryshe nuk rrezikohet vetëm dalja nga Championsi, por edhe vendi i katërt në kampionat.

Data e paracaktuar nga mbledhja e djeshme mes drejtuesve dhe teknikut është 13 nëntor, dita kur Botërori do të startojë zyrtarisht, duke qenë se me këtë datë e prapa ndeshje mes klubeve nuk do të luhen më dhe shteti i vogël në Lindjen e Mesme do të presë 32 përfaqësueset në hotelet që kanë zgjedhur.

16 DËMTIME, SHUMË…

Sigurisht që Alegri e ka pranuar ultimatumin dhe i është futur dyfish punës për të studiuar jo vetëm alternativat momentale, në pritje të rikthimit të disa yjeve të rëndësishëm nga infermieria, lojtarë që mund të bëjnë pa dyshim diferencën, por në të njëjtën kohë të kërkojë edhe më shumë përgjegjësi nga stafi i tij.

Përveç se Juventusi nuk gjen dot vazhdimësi, një tjetër faktor është se fizikisht skuadra shuhet shpejt, siç u pa ndaj Benfikës, ku në pjesën e dytë nuk kishte forcë që të bënte presing dhe dukej e dorëzuar për të ndjekur rivalin që vraponte me 2-3-fishin e shpejtësisë.

Por akoma më shumë se kaq, ajo që nuk pëlqehet absolutisht është fakti se në 2 muajt e parë të sezonit janë regjistruar 16 dëmtime dhe diçka këtu në aspektin me themelor të përgatitjes fizike duhet studiuar.

Nëse ka një person të stafit të tij që Alegri i beson më shumë se kushdo tjetër, ai është pikërisht përgjegjësi i sektorit të përgatitjes fizike, Simone Foleti, me të cilin trajneri i Juves është parë dje të bisedojë gjatë në stërvitje, pasi Nedved, Kerubini dhe Arrivabene ishin larguar, pasi ndoqën edhe pjesën e parë të stërvitjes, pas dhënies së ultimatumit ndaj 54-vjeçarit.

Shkurt, “Konti Maks” ka disa tema shumë të rëndësishëm për të zgjidhur në më pak se dy muaj, por më kryesorja, ai duhet të fitojë absolutisht ndeshjen me Monzën, pasi ato dy muaj kohë afat mund të zerohen që të dielën pasdite.

Related posts

HISTORIA KUNDËR LIVERPOOL/ Atalanta ka fituar më përpara në “Anfield”

F.autor

Gatuzo: Nuk jemi për Champions, me Del Pieron u turpërova pasi…

Sadik.Autor

Ja fjalët e para të Blerim Xhemailit pas transferimit në Itali, futbolli në Kanada ishte shumë argëtues

Q.Autor

Leave a Comment