Futboll Sport

“NUK E MENDOJ HUMBJEN E 2010”/ Ksavi i qartë: E falëm Bajernin, Interin jo!

Interi dhe Barcelona mbërrijnë në stade të ndryshme në përballjen e parë mes tyre në grup në Ligën e Kampioneve. Nga njëra anë, zikaltrit janë në krizë në Serinë A.

Nga ana tjetër Barcelona marshon në La Liga dhe ka kapur Realin në krye të renditjes. Por ecuria në kampionatet përkatëse nuk do të thotë asgjë kur vjen puna te përballjet europiane.

Të paktën kështu mendon trajneri i Barcelonës, Ksavi Hernandez, i cili e ka bërë të qartë se nuk i beson krizës së Interit. Numri një i stolit të Barçës e ka bërë të qartë se ai dhe Inzagi e dinë fare mirë se biletën e dytë në grup e ndajnë mes tyre, me Bajernin që është histori më vete.

MOMENTI I KEQ I INTERIT – “Për mua nuk do të thotë asgjë. Ata kanë një skuadër mjaft të fortë dhe kanë një sistem loje krejt të ndryshëm nga çdo skuadër me të cilën jemi përballur deri më tani.

Luajnë me dy sulmues, gjë që nuk e gjejmë në Spanjë. Ne vijmë nga një moment pozitiv, por këtë duhet ta tregojmë në fushë. Kemi falur shumë në Mynih. Ndaj Interit dua të shoh lojën që bëmë në Mynih, por me rezultat tjetër”.

MBROJTJA ME TRE – “Ajo që di të them është se e kam të qartë se si do të zbresim në fushë. Duke parë karakteristikat e kundërshtarit, duhet të dominojmë topin dhe të luajmë sa më shumë në gjysmëfushën e tyre. Kjo nuk është një ndeshje finale, por shumë e rëndësishme për llogaritë e grupit”.

FITORJA – “Përtej tri pikëve që janë më të rëndësishmet në këtë moment, një fitore do të vlente shumë nga ana morale. Skuadra do të fitonte vetëbesim edhe në Europë. Ndaj duhet të zbresim me 100% të mundësive tona për të treguar se dimë të fitojmë edhe në një fushë kaq të vështirë”.

CHAMPIONS 2010 – “Nuk kam asnjë ndjenjë revanshi. Kanë kaluar 12 vjet dhe tani vij si trajner. Kujtoj se asokohe udhëtuam me autobus në Milano për shkak të shpërthimit të vullkanit. U mundëm në Milano. Kujtoj se ka qenë një përballje e dyfishte me polemika. Mbetet një kujtim i hidhur për ne”.

MESI – “Unë e dua dhe i uroj gjithë të mirat e suksese atje ku është. Por nuk mendoj se është momenti për të folur për këtë temë. Nuk besoj se i bëjmë ndonjë nder vetë Leos”.

CHAMPIONS VS LA LIGA – “Unë mendoj se Liga e Kampioneve është më e vështirë. Ajo nuk fitohet gjithmonë nga më i miri, shpesh e vendosin detajet. La Liga është më e drejtë, janë 38 javë”.

Related posts

REZULTATE NEGATIVE/ Portieri Szczesny nuk po bind, Juventus mendon për “Gardianin” e Premier…

Delo.autor

SHTANGEN TË GJITHË/ Shikoni autogolin më qesharak të javës

F.autor

Skandali në Francë/ Veprime të turpshme në dhomat e zhveshjes, futbollistët rrezikojnë masa ekstreme

Q.Autor

Leave a Comment